Danas zbulon detaje nga versioni i fundit i Propozimit Franko-Gjerman, thotë se ka ndryshuar Asociacioni - NACIONALE

Danas zbulon detaje nga versioni i fundit i Propozimit Franko-Gjerman, thotë se ka ndryshuar Asociacioni

1 vit më parë

nga NACIONALE

Gazeta opozitare serbe Danas ka zbuluar detaje nga versioni i ri i propozimit franko-gjerman që u dorëzua te Kosova dhe Serbia nga Mirosllav Lajçak gjatë kësaj jave.

Sipas asaj që shkruan kjo gazetë, nuk ka devijime prej disa parimeve themelore – Kosova merr njohjen, përkatësisht anëtarësimin në Këshill të Evropës – kurse Serbia merr Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Këto Danasi pretendon t’i ketë mësuar nga qarqet diplomatike.

Se versioni më i fundit u është dorëzuar palëve e kishte konfirmuar edhe shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell. Ai një konfirmim të tillë e kishte bërë gjatë Samitit të Tiranës.

Sipas burimeve të mediumit të lartpërmendur, nuk do të ketë garantim të anëtarësim të dy vendeve në Bashkimin Evropian (BE) por se do të ketë investime dhe fonde të ndryshme.

Sipas bashkëbiseduesve të Danasit, thuhet që në dokumentin e ri të propozuar është ndryshuar ideja fillestare për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe” dhe se nuk do të jetë fjala për Asociacionin e paraparë sipas marrëveshjes së Brukselit të vitit 2015.

Danas thotë se presidenti i Serbisë Vuçiq ka vetëm pak javë që të shprehë mendimin e tij për propozimin e ri.

Nuk është dokument historik

Më tej, aty thuhet se marrëveshja e planifikuar si ligjërisht detyruese do të reduktohet në udhëzim detyrues dhe “sigurisht se nuk do të jetë dokument historik”

Kujtojmë se edhe portali Euractiv kishte zbuluar detaje të tjera nga burime diplomatike, por ku nuk ishte dhënë një informacion i tillë për Asociacionin. Ashtu si marrëveshja për Asociacionin, edhe të tjerat marrëveshje të arritura deri tash do të respektoheshin.

Ato thonin se marrëveshja duhej të arritej për më pak se një vit, dhe se drafti i ri ishte bazuar në komentet e bëra.

Sipas atij diplomati, propozimi përmban një shtojcë “me një kalendar të qartë me veprime se kur dhe se si duhet të ndodhin gjërat,”

“Nuk ka njohje e plotë (...) por është një normalizim i plotë i marrëdhënieve,” – shtoi zyrtari i lartë i BE-së për këtë portal.

Kryeministri Kurti fillimisht e kishte vlerësuar si “bazë të shëndoshë drejt rrugës së duhur” propozimin që e kishte marrë më 9 shtator të këtij viti në zyren e tij. Ai besohet që e mori draftin e ri po në zyren e tij sot nga Lajçak.

Situata ndërkohë është përkeqësuar në terren, me shpërthime dhe sirena që se kanë ndodhur në veri të Kosovës. E gjitha ka të bëjë me zgjedhjet e parakohshme lokale të 18 dhjetorit.

Për fat të mirë, deri tash nuk ka pasur raportime për të lënduar nga komunat veriore.

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, është shprehur para pak minutash se Serbia po synonte ta destabilizonte situatën në veri të Kosovës pikërisht për shkak të propozimit franko-gjerman. Një qëndrim të tillë më herët e ka shprehur edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti por edhe kryekuvendari Glauk Konjufca.

Gjatë ditës së sotme, Bashkimi Evropian (BE) ka pranuar se i është bërë ftesë edhe presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiq por edhe kryeministrit të Kosovës për një takim të përbashkët në Bruksel.

Lajme të ngjashme