Daçiq i nervozuar me Shqipërinë: Po nxitni Kurtin për provokime të reja
Sitata në veri vazhdon të mbetet e tensionuar. Barrikadat ende nuk janë larguar edhe pas 19 ditëve kur janë vendosur ato. Në fakt, dita-ditës ato po shtohen, me të marten që pa dy barrikada të reja në veri. Në mbrëmje u mbyll edhe pika kufitare në Merdare, pasi serbët bllokuan rrugën që sjell nga Serbia në Kosovë.
E gjithë kjo situatë, e ka përplasur Shqipërinë dhe Serbinë, të cilat nga distanca kanë treguar qendrimet e kundërta për situatën. Ministrja e Jashtme, Olta Xhocka, shkroi një status në të cilën theksoi se Shqipëria është me Kosovën në gjithë këtë tollovi të shkaktuar në veri, duke e fajësuar Beogradin për situatën.
Ndaj kësaj deklarate ka reaguar ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, i cili e “këshilloi” Xhaçkën t’i “tregojë” kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, obligimet ndërkombëtare që ka, duke thënë se Shqipëria me deklaratën e djeshme po e nxit për provokime të reja.
Çka thanë ministrat e Jashtëm?
Dje ministrja e Jashtme Xhaçka shkroi një status në profilin e saj, duke thënë se Qeveria e Shqipërisë po e përcjell me shqetësim situatën në veri. Shefja e diplomacisë së Shqipërisë shkroi se barrikadat në veri ngjajnë me skena të viteve 1990-ta.
“Barrikadat që janë ngritur në veri, jo prej ndonjë vale zemërimi popullor, por nga një grup kriminelësh famëkeq, nuk po pengojnë thjesht vijimin normal të jetës. Ato janë po ashtu skena që të kujtojnë ditët e errëta të viteve 1990 të cilat rajoni ynë i ka lënë pas njëherë e mirë bashkë me ish Jugosllavinë që shkoi e vate.” – shkroi ajo.
Zonja Xhaçka vlerësoi se tash nuk është koha për kërcënime ushtarake apo për sulme ndaj Policisë së Kosovës, KFOR-it dhe EULEX-it. Në fund, ajo shkroi se Shqipëria është me Kosovën në këtë situatë të vështirë, duke i bërë thirrje autoriteteve serbe për të mos justifikuar barrikadat dhe grupet kriminale.
“Për pak vjen viti 2023! Kjo nuk është koha për të bërë kërcënime ushtarake apo për sulme të papranueshme kundër Policisë së Kosovës, KFOR dhe Policisë së EULEX. Kjo është koha për dialog dhe bashkëpunim. Kjo përballje e rrezikshme duhet të marrë fund dhe autorët duhet të nxirren përpara drejtësisë.
Ne jemi me Kosovën në këtë situatë të vështirë dhe i bëjmë thirrje autoriteteve serbe të mos i justifikojnë as barrikadat e as grupet kriminale që refuzojnë t'i largojnë ato. Të luash me zjarrin është një ide shumë e keqe për të ardhmen e të gjithë fëmijëve tanë.” – përfundoi ajo.
Ndaj kësaj deklaratë zyrtare, ka reaguar ministri i Punëve të Jashtme, Ivica Daçiq, duke i dhënë një “sugjerim” zonjës Xhaçka. Daçiq tha se ajo është dashur t’ia kujtojë Kurtit obligimet që ka nga procesi i dialogut në Bruksel.
“Ajo nuk ia ka kujtuar Kurtit se ka obligim ndërkombëtar të zbatojë Marrëveshjen e Brukselit, Rezolutën 1244 dhe të gjitha dokumentet relevante, si dhe obligim për formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, e të mos dërgojë njësite shqiptare të armatosura në veri dhe të mos arrestojë serbë vetëm se janë serbë”, ka thënë Daçiq për “Tanjug”.
Tutje, Daçiq e ka akuzuar Shqipërinë se po e nxit Kurtin për provokime të tjera, duke theksuar se Serbia do të bëjë gjithçka për paqen.
“Në vend që ta paralajmërojë që të mos e kërcënojë paqen dhe stabilitetin në rajon, ministrja shqiptare e inkurajon atë për provokime të mëtejshme. Prandaj ajo dhe gjithë bashkësia ndërkombëtare mbajnë një përgjegjësi të madhe për gjithçka që po ndodh dhe mund të ndodhë në Kosovë.” - është shprehur ai.

