Ministrja e Jashtme e Shqipërisë: Jemi të shqetësuar nga tensionet në veri të Kosovës - NACIONALE

Ministrja e Jashtme e Shqipërisë: Jemi të shqetësuar nga tensionet në veri të Kosovës

3 vjet më parë

nga Halim Kafexholli

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhaçka përmes një shkrimi në llogarinë e saj në Facebook ka shkrehur shqetësimin për situatën e krijuar në veri të Kosovës ku barrikadat po vazhdojnë të qëndrojnë.

Kryediplomatja shqiptare shkruan se janë të shqetësuar me situatën në Kosovë që sipas saj kujtojnë “anën e errët” të viteve 90-ta.

“Po ndjekim me keqardhje minutë pas minute shfaqjen e një krize të tejzgjatur në mënyrë artificiale në veri të Kosovës dhe jemi thellësisht të shqetësuar nga përshkallëzimi i tensioneve. Barrikadat që janë ngritur në veri, jo prej ndonjë vale zemërimi popullor, por nga një grup kriminelësh famëkeq, nuk po pengojnë thjesht vijimin normal të jetës. Ato janë po ashtu skena që të kujtojnë ditët e errëta të viteve 1990 të cilat rajoni ynë i ka lënë pas njëherë e mirë bashkë me ish Jugosllavinë që shkoi e vate”, shkruan Xhaçka.

Sipas saj, nuk është koha për kërcënime por për dialog dhe autorët që po destabilizojnë veriun duhet të dalin para drejtësisë.

“Për pak vjen viti 2023! Kjo nuk është koha për të bërë kërcënime ushtarake apo për sulme të papranueshme kundër Policisë së Kosovës, KFOR dhe Policisë së EULEX. Kjo është koha për dialog dhe bashkëpunim. Kjo përballje e rrezikshme duhet të marrë fund dhe autorët duhet të nxirren përpara drejtësisë”, thotë ajo.

Xhaçka shkruan se Shqipëria është me Kosovën dhe i bën thirrje autoriteteve serbe që mos t’i justifikojnë barrikadat e as grupet kriminale që refuzojnë t’i largojnë ato.

“Të luash me zjarrin është një ide shumë e keqe për të ardhmen e të gjithë fëmijëve tanë”, përfundon ajo.

Lajme të ngjashme