Çorientohet Kurti: Dje u nervozua me fjalimet e së kaluarës, sot kthehet në 2021 për të arsyetuar mosnjohjet - NACIONALE

Çorientohet Kurti: Dje u nervozua me fjalimet e së kaluarës, sot kthehet në 2021 për të arsyetuar mosnjohjet

1 vit më parë

nga Miranda Shala

Duket se angazhimi i tepërt në dialog me Serbinë, që dikur nuk ishte prioritet, e ka çorientuar disi kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin. Përderisa këtë javë ai ka befasuar me dy intervista të dhëna për dy media të ndryshme të Kosovës, duket sikur në të dyja rastet ishte një person tjetër.

I ftuar në “Debat Plus” në Tv Dukagjini, Kurti u prit me një video të tij nga viti 2010, atëherë kur kishte thënë se nuk do të pranonte një dialog me Serbinë pa e pranuar pavarësinë e Kosovës. E ndërsa u pyet nga moderatori se a kishte marrë malli për veten, ai tha që jo. Madje madje, e quajti obsesion tendencën për t’ia kujtuar fjalimet e së kaluarës.

“Mu nuk më merr malli për vetveten. Në vitin 2010 është bërë kjo video, ndërsa në vitin 2011 kanë filluar bisedimet ish-kryeministrit dhe ish-presidentit Hashim Thaçi dhe ish-kryenegociatores Edita Tahiri,”- tha Kurti, teksa pa përballë atë që ishte dikur.

Më tej ai shtoi se fjalimet e tij të kaluara po shihen sikur janë me nga një sekondë larg njëra-tjetrës.

“Konsiderohen me nga një sekond larg njëra tjetrës. Nuk mund të çoj veten tash në veten 2011 e ta lexoj këtë dokument sepse janë 13 vjet ndërmjet. Unë nuk mund të kthej kohën. A do të dëshiroja të jem kryeministër prej vitit 2011, besoj që do të ishte më mirë edhe për Kosovën, por tash jam kryeministër më 2023,”- ka thënë Kurti.

Pra në përballje me pamje të së kaluarës, kryeministri nuk është se ndihet shumë rehat, e në veçanti në ato që shfaqen premtimet e tij të pambajtura që e sollën në pushtet.

Kurti harron çka tha dje

Megjithatë, në një intervistë të realizuar të enjten për Rubikon, në një moment kryeministrit iu desh të kthehej tek e kaluara për të arsyetuar një dështim të madh të qeverisë së tij, më gjegjësisht, të ministrisë së Jashtme në krye me Donika Gërvallën – atë të mosnjohjeve.

I pyetur se si është e mundur që për dy vite nën qeverisjen e tij Kosova nuk ka marrë asnjë njohje nga ndonjë vend i huaj, Kurti tha se ai nuk kishte premtuar as njohje e as liberalizim të vizave. E për ta dëshmuar këtë iu desh të kthehej në fushatën e vitit 2021.

“Më tregoni në fushatën e dimrit 2021, kam thënë “Punë dhe Drejtësi”, a ka një fjalim timin që do të sjellim njohje apo liberalizim të vizave, jo. Ju duhet të më mbani përgjegjës për premtimet e mia, jo për dëshirat e juaja,”- u shpreh Kurti në Rubikon.

Do të thotë që kryeministri Kurti harroi që vetëm një ditë më parë kthimin në të kaluarën e kujtimin e premtimeve të tij e quajti obsesion. Megjithëse, këtë radhë mund të arsyetohet, pasi për dështimin e madh në mos sjelljen e njohjeve të reja për Kosovën, arsyetimi i vetëm që mund të gjente, ishte ai: “S’kam premtuar”. Ani pse Kurti dhe qeveria qe ai drejton kritikohen shpesh nga opinioni publik për mosrealizimin e premtimeve të shumta të dhëna e ndryshimin e shpeshtë të qëndrimeve.

Lajme të ngjashme