Çmime të ndryshme për ilaçe të njëjta / Deputetët dështuan t’ua lehtësojnë jetën qytetarëve
Një medicament të njëjtë mund ta gjeni me çmime të ndryshme në Kosovë, varësisht barnatores ku shkoni. Çmimi i ilaçeve që gjenden në raftet e barnatoreve, ndërron varësisht preferencave të shitësve.
Tentim për ndaljen e kësaj dukurie pati të premtën e 29 korrikut në Kuvendin e Kosovës.
Por, ligjvënësit, sërisht dështuan që t’ua përmirësojnë jetën qytetarëve.
Kuvendi i Kosovës nuk miratoi të premten Projektligjin për Rregullimin e Çmimit të Barnave dhe Produkteve Medicinale.
Projektligji i inicuar nga partia më e madhe opozitare në kuvend - Partia Demokratike e Kosovës nuk u përkrah nga deputetë të partisë në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje.
Çmimin e produkteve farmaceutike në Kosovë e caktojnë vetë barnatoret. Për unifikimin e tyre në treg nuk ka ndonjë mekanizëm - së paku tash për tash.
Në memorandumin shpjegues të projektligjit, i cili nuk u miratua, thuhet se në mungesë të rregullimit të çmimit të barnave, buxheti i shtetit dhe qytetarët, për vite me radhë, janë dëmtuar duke paguar produkte më shtrenjtë se vlera e tyre.
Sipas këtij memorandumi, Kosova ka blerë mbi 6 milionë euro më shtrenjtë barna spitalore brenda vitit, ndërsa qytetarët janë dëmtuar financiarisht, duke shpenzuar rreth 10 milionë euro më shumë në vit për barna.
Deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje e arsyetuan mos miratimin e këtij projektligji në lexim të parë për shkak se i njëjti ligj është duke u hartuar nga Ministria e Shëndetësisë.
Çmimet e produkteve medicinale do të përcaktohen në bazë të metodologjisë së çmimeve të jashtme referente. Kjo nënkupton që do të merren për bazë çmimet e produktit të caktuar në një apo më shumë vende të tjera.
Të ngarkuar për rregullimin e çmimeve do të jenë: Komisioni për Çmime të Produkteve Medicinale, Agjencia e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale, Oda e Farmacistëve, Fondi i Sigurimeve dhe anëtarë vëzhgues nga shoqëria civile.
Rregullimi i çmimit të barnave bëhet në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor dhe në Bashkimin Evropian, ku Kosova synon të anëtarësohet. Aktualisht, vetëm Kosova dhe Bjellorusia në kontinentin evropian nuk kanë legjislacion për qëllim të tillë.
Projektligji i iniciuar nga PDK-ja parasheh çmimin maksimal të blerjes së produkteve medicinale nga Lista e Barnave Esenciale.
Ministria e Shëndetësisë e Kosovës e ka përditësuar atë për herë të fundit në vitin 2019.
Në memorandumin shpjegues të projektligjit të iniciuar nga PDK-ja thuhet se, në mungesë të rregullimit të çmimit të barnave, buxheti i shtetit dhe qytetarët, për vite me radhë, janë dëmtuar duke paguar produkte më shtrenjtë se vlera e tyre.
Sipas këtij memorandumi, Kosova ka blerë mbi 6 milionë euro më shtrenjtë barna spitalore brenda vitit, ndërsa qytetarët janë dëmtuar financiarisht, duke shpenzuar rreth 10 milionë euro më shumë në vit për barna.
Në një raport që ka publikuar Instituti Demokratik i Kosovës më 26 korrik, është thënë se Ministria e Shëndetësisë e ka paguar rreth 280 për qind më shtrenjtë produktin paracetamol 1 gr për injeksion, në krahasim me vlerën në tregun me pakicë.
Sipas raportit, ky produkt në tregun me pakicë shitet për rreth 1.00 euro për njësi, ndërsa Ministria e Shëndetësisë ka paguar 3.80 euro.
Ministria e Shëndetësisë nuk e ka komentuar raportin.
Në vitin 2018, ky institucion ka ndërprerë një sërë kontratash për furnizim me barna të institucioneve publike shëndetësore, duke i cilësuar ato si “abuzive”, për faktin se, siç është thënë, barnat janë blerë me çmim më të lartë se vlera në treg./Nacionale.com/


