Çka thonë ekonomistët për skemën e qeverisë “për një të punësuar për familje”? - NACIONALE

Çka thonë ekonomistët për skemën e qeverisë “për një të punësuar për familje”?

4 vjet më parë

nga Trina Zuka

Ende nuk dihet se sa familje kosovare do të përfitojnë nga skema ‘një i punësuar për familje’, për zbatimin e së cilës qeveria do të subvencionojë punëdhënësit kosovarë. Ndoshta nuk do të dihet kurrë. Nacionale ka biseduar me ekonomistë për ta kuptuar më mirë çështjen në fjalë.

Që ta themi prerazi, sipas profesorëve të ekonomisë, kjo masë ‘sociale’ nuk do të ketë asnjë efekt në rimëkëmbjen ekonomike apo zbutjen e papunësisë. Krejt kjo pasi që validiteti i masës së ndihmës, sipas tyre, është vetëm 6 muaj.

Profesori i Ekonomisë, Musa Limani, thotë se në shikim të parë, kjo masë sociale duket e mirë, por në të vërtetë reflekton më shumë popullizëm – një akuzë me të cilën vazhdon të përballet kryeministri i Republikës së Kosovës.

“Në shikim të parë, duket se është vendim i mirë, si për zhvillimin ekonomik, pra rritjen e punësimit e zvogëlimin e papunësisë, e cila në Kosovë është më e larta në rajon në një anë, dhe të zbusë situatën shumë të rëndë sociale me të cilën tani po përballet pjesa dërmuese e popullatës së Kosovës, në anën tjetër.

Mirëpo, në përmbajtje del se nuk është kështu, sepse kjo masë ka karakter të përkohshëm, e që nuk do të ketë efekte as në rimëkëmbje ekonomike, e as në zbutjen afatgjatë të papunësisë dhe gjendjes shumë të rëndë sociale të popullsisë”, tha Limani për gazetën.

E pas kësaj pagese të cilën do ta marrin këta punëdhënës si subvencion për pagën e punëtorëve pa familjarë të punësuar, Limani mendon që ekonomia do të jetë edhe më shumë në krizë.

“Tani, vetvetiu shtrohet pyetja: Çka do të ndodhë me të punësuarit, pas 6 muajve, kur do t'u skadojë kontrata? Prapë, do të rikthehet situata e mëparshme, ndoshta edhe më e rëndë për shkak të inflacionit të madh. Andaj, për mua kjo masë më tepër reflekton në popullizëm, sesa në një masë ekonomike e sociale”, shtoi profesori i ekonomisë.

Aq sa ‘kishte’ vlerë sadakaja e qeverisë në vlerë prej 100 euro, aq do të ketë edhe kjo masë e subvencionimit vlerë, thotë Limani, duke shtuar se qeveria veç do të shpenzojë miliona euro pa efekt.

“Qeveria do të shpenzojë miliona euro, siç ishte rasti edhe me "sadakanë" e 100 eurove të masës së mëhershme, që efektet ishin shumë të vogla në krahasim me vlerën e shpenzuar materiale. Mendoj, se efekti i njëjtë do të jetë edhe me ketë masë aktuale që e ka ofruar Qeveria. Së pari, realizimi i kësaj mase kërkon kohë dhe procedurë administrative, që përkohësisht shtyn afatin e konkretizimit. Pra, efektet e saj do të jenë të vonuara, që devalvojnë efektet pozitive. Së dyti, kjo masë ka karaker kohësisht të përkohshëm”, shtoi profesori i ekonomisë, Limani.

Se qeveria duhet të mendojë për vendime më afatgjata, e jo veç 6-mujore, e thotë profesori tjetër i ekonomisë, Muhamet Sadiku.

Ky është një ineksion social për një kohë 6 muaj, do të thotë periudhë e shkurtër. Sepse problemet në Kosovë me vështirësitë ekonomike kanë me zgjatë më shumë se 6 muaj. Por për këtë situatë e ka një kuptim të sadopaktë, sepse është një ndihmë për familjet që nuk kanë askënd në punë. Qeveria duhet të mendojë për mbështetje më afatgjatë, jo me vendime për 6 muaj, sepse jetë ka edhe pas atyre 6 muajve”, tha Sadiku.

Çfarë nënkupton saktësisht vendimi i qeverisë ‘ÇDO FAMILJE SË PAKU NJË TË PUNËSUAR’?

Në kuadër të masave të punësimit, Kurti tregoi së përmes kësaj mbështetjeje synohet të garantohet që çdo familje e Republikës së Kosovës të ketë të paktën një anëtar të punësuar.

Nëpërmjet kësaj skeme, i pari i Ekzekutivit ka thënë se do të subvencionohen deri në 70% të pagës bruto të punëtorit, maksimumi 300 euro, për 6 muaj.

Si kusht për të përfituar nga kjo skemë, Kurti ka treguar që punëkërkuesi duhet të mos ketë asnjë anëtar tjetër të punësuar.

Lajme të ngjashme