Skema e "një të punësuari për familje": Çka duhet të dinë 297 mijë familjet kosovare?
Sipas statistikave të vitit 2011, në Kosovë janë mbi 297 mijë familje. Por, ka një mungesë numrash sa i përket vitit 2022 kur pritet të ndodh regjistrimi i ri i popullsisë, e për më tepër ka mungesë numrash edhe sa i përket gjendjes ekonomike të familjeve, anëtarëve të punësuar dhe anëtarëve të punësuar por të padeklaruar në ATK. Çka duhet të dimë për masën?
“Masë mbështetëse për familjet” po e konsideron Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT) skemën e re për punësimin e një anëtari nga çdo familje kosovare.
Ministria e FPT-së e drejtuar nga Hekuran Murati, po konsideron që kjo skemë është bërë në kuadër të “masave mbështetëse për familjet”.
Familja
Domethënë, nga kjo kuptojmë se ka pasur kornizë të “mbështetjes për familjet” në Kosovë edhe në të kaluarën nga qeveria aktuale.
Por, nëse kërkojmë me fjalën “familja” në uebfaqen zyrtare të ministrisë, atëherë do të na dalin vetëm tri rezultate: një konkurs për vende të lira pune i vitit 2017 në shtëpinë e pleqve, një konkurs tjetër “Këshillin e Përgjithshëm për shërbime sociale dhe familjare” dhe i fundit, mbështetja për “familjet që kanë humbur familjarin nga Covid-19”.
Sidoqoftë, nuk dihet nëse Qeveria do të vazhdojë politikën e saj të fokusuar te “familjet” edhe me masa të tjera.
Skema
Sipas ministrisë, skema “synon mbështetjen në punësim të atyre që nuk kanë asnjë anëtar të familjes të punësuar.”
Mirëpo, fatkeqësisht ministria ka dështuar që të ofrojë shifra të sakta apo qoftë edhe matje në lidhje me numrin e familjeve kosovare që nuk e kanë asnjë anëtar të familjes të punësuar. Përveç kësaj, nuk ka asnjë matje as sa i përket ekonomisë informale, në këtë rast numrit të punëtorëve që punojnë por janë të paregjistruar si punëtorë.
Mungesa e shifrave mund të paraqes telashe të mëdha për matjen e efektshmërisë së kësaj skeme, e për më tepër mund të ofrojë hapësirë të madhe për manipulime masive bazuar në ekonominë formale.

Qeveria e di se “mund të ketë manipulime”
Qeveria e Kosovës si duket e di se mund të ketë manipulime me këtë masë. Kjo pasi ka vënë disa kufizime për skemën në fjalë.
Paga maksimale prej të cilës mund të përfitohet subvencionimi i saj është 300 euro;
Subvencionimi i pagës mund të shkojë deri në 70% (që për 300 euro, nënkuptohet se punëdhënësi do t’i marrë 210 euro);
Koha përgjatë së cilës do të ndodh subvencionimi është gjashtë muaj;
Një punëdhënës mund të punësojë vetëm 30% të stafit ekzistues përmes kësaj skeme;
25 mijë të punësuar
Ka më shumë se dhjetë muaj që Qeveria Kurti II thotë se janë hapur 25 mijë vende pune. Duke qenë se numri është specifik, kjo shtron dyshime e pikëpyetje në lidhje me vërtetësinë e tij.
Kjo skemë mund të çojë potencialisht në rritjen e numrit të të punësuarve të deklaruar në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK), por mund të ketë edhe pasoja të tjera të pamenduara nga Qeveria e Kosovës si "çregjistrimi" eventual i shumë punëtorëve në mënyrë që anëtarët e tjerë të familjes të përfitojnë nga skema qeveritare.
Numri i familjeve kosovare llogaritet të jetë afër 300 mijë sosh, ose 297 mijë e 90 familje sipas të dhënave nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK).



