Çka tha Kurti në ceremoninë hapëse të Forumit Ekonomik të Vjenës?
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti po qëndron në Vjenë të Austrisë. Ai të dielën mbrëma mori pjesë në ceremoninë hapëse të edicionin jubilar të 20-të të Forumit Ekonomik të Vjenës. Ndërkohë ai pati disa fjalë në hapjen e Forumit teksa sot pritet edhe të flas për temën “Kosova si peng i interesave gjeopolitike”.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në fjalimin e tij në hapjen të Forumit Ekonomik të Vjenës ka thënë se është i ndëruar që po qëndron në këtë Forum që sipas tij, janë bashkuar nga një vizion i përbashkët për prosperitetin e rajonit.
Më tej, Kurti ka përmendur edhe konfiliket në botë, duke thënë se për shkak të tyre, Forumi bëhet edhe më i rëndësishëm.
“Në kohë si këto, kur pamja e botës është e mbushur me skena konflikti, thelbi i mbledhjes sonë bëhet edhe më i rëndësishëm. Ajo nënvizon domosdoshmërinë që ne të qëndrojmë së bashku, të flasim së bashku dhe të punojmë së bashku. Roli i forumit ekonomik bëhet jo vetëm një katalizator për zhvillimin ekonomik, por edhe një vend i shenjtë për paqen dhe një forum për ndërtimin e qëndrueshmërisë ndaj lëkundjeve që tronditin botën tonë.” – ka thënë ai.
Tutje, Kurti ka theksuar edhe sulmin në Banjskë të Zveçanit ku mbeti i vrarë rreshteri, Afrim Bunjaku.
Ai ka thënë se këto sulme nuk janë sulme veç ndaj Kosovës por edhe ndaj idealeve
“Në cepin tonë të Evropës, në Ballkanin Perëndimor, ne jemi shumë të vetëdijshëm se si jehonat e konfliktit prekin jetën dhe aspiratat e njerëzve tanë. Aktet e fundit terroriste në vendin tonë, të cilat mizorisht i morën jetën një oficeri policie të përkushtuar, janë kujtues të ashpër të sfidave me të cilat përballemi. Këto nuk janë vetëm sulme ndaj Kosovës, por edhe ndaj idealeve që ne i mbajmë të dashura – bashkëjetesës paqësore, demokracisë liberale dhe shtetit të së drejtës si thelbi i shtetit tonë të begatë.” – ka thënë Kurti.
Kurti ka thënë se është i vendosur për të ofruar siguri në Kosovë dhe për të krijuar mjedis “ku prosperiteti ekonomik mund të lulëzojë i papenguar nga frika dhe i disponueshëm për të gjithë.”
Gjithashtu, ai ka theksuar se Kosova është e përkushtuar si vend për rritjen e sigurisë jo vetëm brenda Kosovës por “si një përkrahës aktiv i paqes dhe sigurisë rajonale.”
Kryeministri në përmbyllje të fjalimit të tij ka thënë se Bashkimi Evriopian është fati ynë “që ne e përqafojnë”.
“Takimi ynë këtu nuk është thjesht një traditë vjetore; është një riafirmim i agjendës sonë të përbashkët përballë vështirësive. E ardhmja jonë është e ndërthurur me mirëqenien e çdo vendi të përfaqësuar në këtë sallë, të kontinentit tonë evropian dhe Bashkimit Evropian si fati ynë që ne përqafojmë, me çdo komunitet që premtojmë t’i shërbejmë dhe me frymën kolektive që mishëron ky forum.” – ka thënë Kurti.
Kurti gjatë pjesëmarrjes në Forum do të marrë pjesë edhe një panel diskutimi me titull “Ndërtimi i Bashkëpunimin Ekonomik në Kohë të Vështira”, nesër prej orës 14:05.
Diskutimi i tij do të fillojë në ora 14:05.
Po ashtu, sipas njoftimit të ZKM-së, Kurti është i ftuar “nga Karl-Renner-Institut për të diskutuar mbi temën “Kosova: Shteti i ri demokratik si peng i interesave gjeopolitike”. Diskutim ky që do të mbahet të hënën, duke filluar nga ora 18:00.”
Ai do të takohet edhe me përfaqësues të kompanive private të sektorit të energjisë.



