Ngadalësim ekonomik, sektori i energjisë e arsimi: Çka thuhet në "Raportin e Progresit" për ekonominë e Kosovës?
Ekonomia joformale, korrupsioni, sfidat e sektorit privat e sundimi i dobët i ligjit, janë disa nga pikat kyçe me të cilat ballafaqohet ekonomia kosovare. Kështu thuhet në “Raportin e Progresit” për Kosovën të publikuar nga Komisioni Evropian. Megjithatë, aty thuhet se Kosova ka bërë disa përparime në zhvillimin e një ekonomie tregu funksionale, por kritika ka edhe për sistemin arsimor dhe sektorin e energjisë.
Në këtë raport thuhet se rimëkëmbja ekonomike e Kosovës u ngadalësua ndjeshëm gjatë vitit 2022 dhe arsye për këtë sipas raportit, kanë qenë zvogëlimi i investimeve dhe ngadalësimi i rritjes së konsumit të familjeve si pasojë e inflacionit të lartë.
“Rimëkëmbja ekonomike e Kosovës u moderua ndjeshëm në vitin 2022. Kjo ishte kryesisht për shkak të zvogëlimit të investimeve dhe ngadalësimit të rritjes së konsumit të familjeve si pasojë e inflacionit të lartë, veçanërisht pas fillimit të luftës së agresionit të Rusisë kundër Ukrainës. Pavarësisht elasticitetit që ekonomia ka demonstruar gjatë krizave të fundit, sektori privat vazhdon të pengohet nga sfidat strukturore të gjata, të tilla si një ekonomi joformale e përhapur, një prevalencë e lartë e korrupsionit dhe përgjithësisht sundimi i dobët i ligjit”. – thuhet në raport.
Po në këtë raport, përmendet edhe Ligji i ri për Pagën Minimale dhe gjithashtu paraqiter edhe rreziku fiskal i përformancës financiare të ndërmarrjeve publike.
“Përfitimet sociale mbeten në shënjestër të dobët. Kuvendi miratoi ligjin e ri për pagën minimale, i cili shkëputi nivelin e pensioneve të veteranëve të luftës nga paga minimale. Performanca financiare e ndërmarrjeve publike paraqet rrezik fiskal.” – thuhet në Raportin e Progresit.
Tutje, në raport thuhet se papunësia mbetet e lartë teksa tregu i punës po vazhdon të formalizohet.
“Formalizimi i tregut të punës vazhdoi, por pjesëmarrja në tregun e punës dhe normat e punësimit, veçanërisht tek gratë dhe të rinjtë njerëzit, mbeten shumë të ulëta, ndërsa papunësia mbetet e lartë. Rekomandimet e vitit të kaluar janë adresuar pjesërisht dhe mbeten kryesisht të vlefshme.” – thuhet në raportin e KE-së.
Ndërkaq, sa i përket presionit konkurues me tregun e Kosovës, KE thotë se Kosova ka bërë përparim të kufizuar, por edhe janë dhënë kritika për sistemin arsimor.
Aty thuhet se sistemi arsimor nuk është në përputhje me nevojat e tregut të punës.
“Sistemi arsimor nuk mëson mjaftueshëm aftësitë e nevojshme kyçe dhe nuk është në përputhje adekuate me nevojat e tregut të punës. Kosova bëri përpjekje në përmirësimin e infrastrukturës rrugore dhe rritjen e investimeve në burimet e rinovueshme, por furnizimi me energji me bazë qymyri, i vjetëruar dhe jo i besueshëm mbetet shqetësim. Kosova ka bërë disa përparime në dixhitalizimin e ekonomisë.” – thuhet në raport, ku edhe rekomandohet që Kosova të përmirësojë “cilësinë e arsimit në të gjitha nivelet, dhe të harmonizojë arsimin, veçanërisht programet e arsimit të lartë dhe arsimin dhe aftësimin profesional, me nevojat e tregut të punës duke bashkëpunuar ngushtë me komuniteti i biznesit.”
Gjithashtu, Raporti i Progresit thekson se “sektori i energjisë mbetet një pengesë kryesore për zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe kriza e vazhdueshme energjetike nënvizoi urgjencën për të siguruar një furnizim të besueshëm dhe të pastër me energji dhe diversifikimin e burimeve të energjisë.”


