Kurti për sulmin në Banjskë: U synua kaos i përgjithshëm si pretekst që ushtria serbe të hynte në Kosovë
Albin Kurti, kryeministër i Qeverisë së Kosovës, prej orës 10:00 ka nisur të mbajë një fjalim në ditën e dytë të Forumit të Paqes në kuadër të temës “Krijimi i paqes dhe ndërtimi i një bote më të sigurt”. Në fillim të fjalimit të tij, Kurti e ka përmendur sulmin në Banjskë të Zveçanit, ku ra në krye të detyrës një polic i Kosovës dhe u plagosën dy të tjerë, ndërsa u vranë tre anëtarë të grupit të armatosur.
Në lidhje me këtë temë, Kurti ka theksuar se ata kanë pasur synim që të shkaktojnë eskalim dhe kaos të përgjithshëm.
“Më 24 shtator, ne kemi pasur këtë sulmin e grupit terrorist paramilitary nga Serbia në veri të vendit tonë afër një manastiri ortodoks në Banjskë të Zveçanit. Ata kanë vrarë një polic kosovar dhe ata qartazi dëshironin të shkaktonin eskalim të një proporcioni të madh, në mënyrë që të krijojnë kaos të përgjithshëm si pretekst që ushtria serbe të hy në Kosovë.” – tha ai.