Çka (s’)thanë politikanët në Ditën e Kushtetutës
9 Prilli shënon ditën e ratifikimit të Kushtetutës së Kosovës. Kushtetuta është akti më i lartë politik e juridik i vendit. Ky dokument është dokumenti suprem, më i larti për të cilën shoqëria kosovare është pajtuar të ndërtoj jetën sociale, politike e juridike. Nga aty rrjedhin të gjitha ligjet e rregullat për funksionimin e shtetit. Por, jo rrallë herë ky dokument me ose pa dashje është cenuar nga ligjvënësit. U shkarkuan presidentë. U rrëzuan edhe qeveri. Kushtetuta e Kosovës u shkel edhe me ligjet e vendimet e Qeverisë Kurti.
Por, çka thanë e çka nuk thanë politikanët në këtë ditë?
Kryeministri i vendit Albin Kurti nuk foli fare. Heshti. Anipse Dita e Kushtetutës është festë zyrtare në vend, e puna e ekzekutivit që Kurti e udhëheq është e varur me nenet e kësaj Kushtetute, ai nuk foli. Në fakt nuk folën asnjë nga ministrat e kabinetit të tij.
Qeveria e Kurtit deri tash disa herë e ka shkelur Kushtetutën. Së fundmi me Ligjin për Këshillin Prokurorial.
Kjo mbase ka ndikuar në “heshtjen” e kabinetit të Kurtit në këtë ditë.
Pikërisht kur u rrëzua Ligji për KPK-në, Kurti ishte mjaft i ashpër me gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, duke thënë se: “9 gjyqtarë nuk mund ta ndalin reformën në drejtësi, e as reformat e tjera që i kanë votuar mbi 400 mijë qytetarë.”- duke iu referuar votuesve të tij.
E ashpër me Gjykatën Kushteutese ishte edhe vartësja e Kurtit, ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu. Ajo në konferencën e thirrur për medie menjëherë pas rrëzimit të Ligjit për Këshillin Prokurorial, pati thënë se: “Gjyqtarët e Kushtetueses po marrin vendime bazuar në interesat e tyre personale.” – duke shtuar se Ligji për KPK-në, ishte harmonizuar me rekomandimet e Komisionit të Venecias.
Kujtojmë se Komisioni i Venecias vetëm rekomandon praktika dhe standarde evropiane.
Presidentja Osmani: T’i respektojmë dhe zbatojmë vlerat kushtetuese
Presidentja e vendit puna e të cilës varet drejtpërdrejt nga Kushtetuta, bëri thirrje që vlerat e saj të respektohen e të zbatohen, duke theksuar se në fakt aty shpërfaqet identiteti ynë.
“Sot festojmë miratimin e Kushtetutës së Republikës Kosovës- Aktit themeltar të shtetit tonë.
Kushtetuta jonë është frymëzim për liritë dhe të drejtat qytetare, për barazi para ligjit dhe vlera të tjera, përmes të cilave, kjo kushtetutë na mban brenda familjes së madhe evropiane.
Është detyrë e përbashkët, që nëpërmjet ruajtjes së sovranitetit, integritetit territorial, respektimit të vullnetit të popullit, garantimit të lirive qytetare pa dallim, t'i mbrojmë dhe avancojmë këto vlera, duke u bazuar gjithnjë në frymën dhe shkronjën e Kushtetutës.
Mbetet detyrë dhe prioritet i yni i përbashkët që me punë e përkushtim, t'i respektojmë dhe zbatojmë këto vlera kushtetuese, të cilat ndër të tjera janë edhe shpërfaqje e identitetit tonë.” – u tha në deklaratën e Presidencës.

Çka tha LDK-ja?
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku në Ditën e Kushtetutës ka postuar një fotografi me disa nga ministrat e Kurtit të cilët e shkelën Kushtetutën, e të disa të tjerëve vendimet apo ligjet e të cilëve janë në proces juridik pranë Gjykatës Kushtetuese.
Abdixhiku ka thënë se në këtë ditë duhet t’i kujtojmë shkelësit e Kushtetutës, duke kritikuar Qeverinë Kurti.
“Në Ditën e Kushtetutës, le t’i kujtojmë shkelësit e saj. Ata të konfirmuar tashmë, e të tjerët në pritje.”.
Ai tutje ka shtuar se Kosova nuk e ka pritur këtë ndryshim, që pushtetarët e paprekshëm të qëndrojnë mbi ligj e mbi Kushtetutë.
“Do të thonë se janë shkelje të lehta këto; se Kushtetuta është shkelë dhe nga të tjerët më parë. Por a është ky ndryshimi për të cilin Kosova kishte e ka aq shumë nevojë? Që pushtetarët e paprekshëm, të qëndrojnë mbi ligj e mbi Kushtetutë?
Urime Dita e Kushtetutës qytetarë. Kosovën do ta bëjmë vërtetë më të mirë një ditë. Sepse vendi ynë meriton më shumë; meriton më mirë!”- ka shkruar Abdixhiku.
Nga rradhët e LDK-së shkroi edhe nënkryetari Lutfi Haziri, duke tërhequr vërejtjen Qeverisë për shkeljet e njëpasnjëshme të Kushtetutës, si dhe Kryetarja e Forumit të Gruas së LDK-së, Jehona Lushaku e cila e kritikoi Kurtin dhe kabinetin e tij, që nuk e uruan fare këtë ditë.

PDK-ja
Kryetari i PDK-së Memli Krasniqi i ka uruar qytetarët e Kosovës për Ditën e Kushtetutës, duke venë në spikamë, shkeljet e saj nga Qeveria Kurti.
Krasniqi ka thënë se PDK-ja do të sigurohet ta denoncoj Qeverinë e Kosovës dhe secilin institucion që e shkel Kushtetutën, në mënyrë që ta mbroj atë.
“15 vjet nga miratimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës – aktit më të lartë juridik të shtetit tonë, e cila është pasqyrë e vlerave bashkëkohore të shoqërisë sonë, që bazohen në rend dhe ligj.
Për fat të keq, sot në Qeveri kemi një kryeministër dhe shumë ministra që disa herë kanë ndërmarrë veprime anti-kushtetuese, nga përpjekja për ta vënë nën kontroll dhe për ta cenuar integritetin e Këshillit Prokurorial të Kosovës, ndërhyrja e MASHTI-t në kompetencat e nivelit lokal, si dhe cënimi i lirisë së lëvizjes së qytetarëve gjatë pandemisë, e një varg shkeljesh tjera që janë duke u shqyrtuar nga Gjykata Kushtetuese.
Megjithatë, PDK mbetet e përkushtuar ta mbrojë dhe ruaj këtë akt thelbësor të shtetësisë së Republikës sonë, duke denoncuar çdo veprim që bie ndesh me dispozitat themelore dhe rendin tonë kushtetues.
Urime Dita e Kushtetutës, qytetarë të Kosovës!”- shkroi kreu i PDK-së.

AAK-ja
Kreu i AAK-së gjithashtu uroi qytetarët për nder të kësja dite, duke e quajtur si një ndër datat më të rëndësishme të Republikës.
“Sot Kosova shënon një ndër ditët më të rëndësishme të shtetësisë së saj, ditën e miratimit të Kushtetutës. Jemi krenarë që kemi Kushtetutë moderne e të avancuar që është shkruar mbi parimet më të larta të njerëzimit duke lartësuar të drejtat e njeriut, garantimin dhe mbrojtjen e të drejtave të pakicave, demokracinë vibrante, kontrollin dhe balancin e pushteteve, ekonominë e tregut të lirë dhe sundimin e ligjit.
Kjo Kushtetutë është motori i demokracisë dhe zhvillimit por edhe mburojë e fuqishme ndaj çdokujt që rrezikon sistemin tonë me apetite të autokracisë.”
Haradinaj gjithashtu i bëri thirrje Qeverisë Kurti, të tërhiqet nga veprimet kundërkushtetuese.
“Kushtetuta e Republikës së Kosovës mori shpirtin e saj nga populli ynë paqedashës dhe nga skena politike e cila deri më tash respektoi me dinjitet vendimet e Gjykatës Kushtetuese edhe atëherë kur ato nuk ju konvenuan grupacioneve politike.
Ftoj edhe këtë qeveri që të tërhiqet nga sjelljet kundërkushtetuese dhe ta ruajnë sigurinë juridike të cilën e ndërtuam me vite. Siç thuhet edhe në Kushtetutë, pushteti i Qeverisë buron nga Kushtetuta, andaj edhe çdo sjellje kundër saj e humb legjitimitetin dhe legalitetin qeverisës.
Urime dita e miratimit të Kushtetutë”
Në këtë ditë përveq heshtjes e urimeve, pati edhe ide për ndryshimin e Kushteutës. Valon Murati i Lëvizjes pë Bashkim përmes një shkrimi, ka thënë se Kushtetuta nuk është libër i shënjtë dhe se duhet të ndryshohet.



