Ditëlindja e 15-të, kush e shkeli ndër vite Kushtetutën e Kosovës?
9 Prilli shënon ditën e ratifikimit të Kushtetutës së Kosovës. Kushtetuta është akti më i lartë politik e juridik i vendit. Ky dokument është dokumenti suprem, më i larti për të cilën shoqëria kosovare është pajtuar të ndërtoj jetën sociale, politike e juridike. Nga aty rrjedhin të gjitha ligjet e rregullat për funksionimin e shtetit. Por, jo rrallë herë ky dokument me ose pa dashje është cenuar nga ligjvënësit. U shkarkuan presidentë. U rrëzuan edhe qeveri. Kushtetuta e Kosovës u shkel edhe me ligjet e vendimet e Qeverisë Kurti. Rasti më i freskët ai i 24 marsit, me Ligjin për Këshillin Prokurorial.
Ligji për Këshillin Prokurorial veqse është evidentuar si tejkalim i Kushtetutës së Kosovës nga pushteti, e për disa ligje të tjera priten vendimet nga Gjykata e cila e mirëmban këtë rrjedhë.
Kjo bëri që pushtetarët të jenë të ashpër me gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, jo rallë herë duke i sulmuar e akuzuar ata.
Ligji për Këshillin Prokurorial, anti-Kushtetues
Më 24 mars Gjykata Kushtetuese e ka shpallur si anti-kushtuetues Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës, për të cilin Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës kishin kërkuar vlerësim të kushtetueshmërisë.
Në njoftimin e publikuar për media, Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese sqaron se në rendin kushtetues të Kosovës, sistemi prokurorial është plotësisht i pavarur.
“Thënë këtë, Aktgjykimi sqaron që në rendin kushtetues të Republikës së Kosovës, sistemi prokurorial është plotësisht i pavarur. Më saktësisht, Këshilli Prokurorial është pjesë përbërëse e Kapitullit VII të Kushtetutës lidhur me Sistemin e Drejtësisë dhe bashkë me Këshillin Gjyqësor, kanë kompetencën e administrimit të sistemit gjyqësor dhe prokurorial, respektivisht dhe pavarësisht ngjashmërive e dallimeve përkatëse, në ushtrimin e funksioneve të tyre, Kushtetuta u akordon të dyjave “pavarësi të plotë kushtetuese”. Aktgjykimi sqaron që kjo pavarësi e plotë kushtetuese, bazuar në nenin 4 të Kushtetutës lidhur me ndarjen dhe balancimin e pushteteve, i nënshtrohet edhe balancimit e ndërveprimit me pushtetet tjera, gjithnjë në përputhje me vlerat demokratike siç janë të përcaktuara në nenin 7 të Kushtetutës.” – thuhet ndër të tjera në aktgjykimin e publikuar.
Kush janë shkelësit e tjerë të Kushtetutës?
8 prill 2022, një ditë para festës zyrtare, të ditës së Kushtetutës, Gjykata Kushtetuese doli me një Aktgjykim. Aty u konstatua se ministrja e Qeverisë Kurti II, Arbërie Nagavci e ka shkelur kushtetutën, kur ndali reformën e arsimit në Kamenicë. Sipas Gjykatës Kushtetuese, Nagavci si ministre e arsimit, me vendimin e saj, për ta ndalur këtë reformë, ka tejkaluar kompetencat duke ndërhyrë në punët që bien në kompetencë të nivelit lokal.
Në fakt mbi këtë shkelje kushtetuese, u ndërtua e tërë fushata e partisë së Kurtit e Nagavcit në këtë komunë, me cka e mposhtën nismëtarin e kësaj reforme, Qëndron Kastrati me kandidatin e tyre Kadri Rahimaj.
E kjo nuk ishte hera e parë që Kurti me ekipen e tij “vunë këmbën” mbi Kushtetutën e Kosovës.
Ishte marsi i vitit 2020 kur Kurti vetë ia bëri “sefte” shkeljes.
Kufizimi i lirisë së lëvizjes, në fillim të pandemisë, pati përplasur fortë dy rivalët e përbetuar politik, e që në atë kohë, të dy, ishin liderë institucionesh. Albin Kurti e Hashim Thaçi, njëri kryeministër e tjetri president, u “kapën” rreth interpretimit të masave anti-covid, me të cilat qeveria kufizonte lirinë e lëvizjes së qytetarëve.
Për këtë, u kërkua interpretimi i Gjykatës Kushtetuese. Gjyqtarët aty nuk patën dyshime, të gjithë njëzëri, vendosën se masat e ndërmarrura nga Qeveria Kurti I, bien ndesh me dispozitat e Kushtetutës, konkretisht me nenet me të cilat rregullohet Liria e Lëvizjes, E drejta për Tubim, etj.
Qeveria Kurti I, u tregua edhe njëherë e “pamëshirshme” ndaj Kushtetutës.
Këtë herë, rendin e kishte Ministri i Shëndetësisë, atëbotë, Arben Vitia.
Vitia në prill të 2020, pati shpallur komunën e Prizrenit “zonë karantinë”, me cka sipas kushtetueses, Vitia kishte tejkaluar kompetencat e tij, dhe se një gjë e tillë nuk parashihej me ligjet e vendit.
Presidentë e Parlament, shkelën Kushtetutën
Atë që dikush e quan “Bibël e Kuran” e shkelën edhe institucionet tjera më të larta. Kur shkelej nga qeveria, nuk kishte pasoja. Edhe pse, pasojat morale nganjëherë flasin më shumë se ato ligjore.
Megjithatë në rastet kur kushtetutën e shkel Presidenti ose Kuvendi, konsekuencat janë shumë më serioze. Pasojat juridike që prodhon shkelja e tillë, shoqërohet edhe me kriza politike, të cilat në vendin tonë janë parë jo rrallë herë.
Rasti Sejdiu
Ishte shtatori i vitit 2010, vetëm 2 vite pas miratimit të saj, kur Presidenti Fatmir Sejdiu u bë “shkelësi” i parë i Kushtetutës së vendit.
Gjkata Kushtetuese gjeti se ish presidenti Sejdiu, veproi në kundërshtim serioz me kushtetutën, kur mbajti njëkohësisht postin e Presidentit dhe atë të Kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Ky vendim nga ana e kushtetueses, e çoi vendin në krizën e parë politike që buroi nga një akt i tillë. Vendi u dërgua në zgjedhje të reja.

Rasti Pacolli
Ekziston një debat, në mes juristësh, nëse Behxhet Pacolli ishte apo nuk ishte ndonjëherë President i Kosovës. Kjo pasi Pacolli, në shkurt të vitit 2011 u zgjodh president nga kuvendi i Republikës, ne raundin e tretë. Post të cilin Pacolli e “gëzoi” vetëm disa ditë. Në mars të po atij viti, pas kërkesës të grupit parlamentar të LDK-së, e mbështetur edhe nga deputetët e AAK-së, për “Vlerësimin e Kushtetutshmërisë të Vendimit të Kuvendit të Kosovës” për zgjedhjen në krye të shtetit të Pacollit, u gjet shkelje e kushtetutës, në rastin e votimit të tij në kuvend.
Përsëri krizë, përsëri zgjedhje të reja.

Kuvendi-Qeveria Hoti
Debat i ngjashëm ekziston edhe në lidhje me qeverinë e Abdullah Hotit, i cili në krye të ekzekutivit, qëndroi për pak më shumë se 6 muaj.
Qeveria Hoti, që u zgjodh më 3 qershor, me 61 vota të deputetëve të Kuvendit të Kosovës, e për zgjedhjen e së cilës, vendimtare ishte secila votë, doli se njëra nga to, nuk ishte krejt e rregullt.

Pas përplasjeve të shumta, në lidhje me zgjedhjen e kësaj qeverie, që përqanë si kurrë më parë, politikën, opinionin e në përgjithësi shoqërinë kosovare, edhe njëherë “sy e vesh” u kthyen kah institucioni që është i thirrur për ta interpretuar kushtetutën.
Më 21 dhjetor 2020, Qeveria Hoti, u bë qeveria e parë që rrëzohet pas një vendimi të gjykatës kushtetuese.
Kjo pasi në aktgjykimin e kushtetueses u gjet se zgjedhja e kësaj qeveria, nga ana e kuvendit ishte kundërkushtetuese.
Vota e deputetit Et’hem Arifi, pro qeverisë Hoti, u cilësua si votë vendimtare për formimin e kësaj qeverie, por e njejta ishte edhe kundërkushtetuese. Kjo pasiqë Arifi ishte i dënuar nga Gjykata e Apelit me 1 vit e 3 muaj burgim për mashtrim me subvencione.
Kuvendi u shpërbë. vendi shkoi në zgjedhje të reja.


