“Shkelësit e Kushtetutës, super kriminelë” – Kurti e ministrat e tij tri herë ranë ndesh me Kushtetutën - NACIONALE

“Shkelësit e Kushtetutës, super kriminelë” – Kurti e ministrat e tij tri herë ranë ndesh me Kushtetutën

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Albin Kurti, kryeministër i Kosovës, mbahet mend për shumë fjalime të bukura sa ishte opozitar. Por, edhe për kritika të ashpra drejtuar partive si PDK e LDK që udhëhiqnin me Kosovën gjatë kohës që Kurti ishte shef i opozitës.

Sigurisht, të shumtë mund të jenë ata persona që e mbajnë mend një ‘super akuzë’ që Kurti e kishte bërë ndaj Isa Mustafës, ish kryeministër i Kosovës, vite më parë.

Pas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, me anë të së cilit konkludohej se Mustafa e kishte shkelur aktin më të lartë juridik, Kurti e pati përdorur një term të rëndë për ish kreun e LDK-së.

“Super kriminel” – ishte cilësori që Kurti e pati përdorur kundër Mustafës.

Ky njeri e ka shkelur ligjin. Ky njeri e ka shkelur Kushtetutën, ky është super kriminel. Ai që e shkel Kushtetutën është super kriminel. Nuk ka kriminel sot më të madh nëpër burgje se Mustafa që e ka shkelur Kushtetutën”, thoshte vite më parë Kurti në një emision televiziv, transmeton Gazeta Nacionale.

Por as kabinetet qeveritare të udhëhequra nga Kurti nuk është se qëndrojnë mirë sa i përket respektimit të Kushtetutës së Kosovës.

Edhe Qeveria Kurti 1, por edhe kjo aktualja, kanë shkelur aktin më të lartë juridik në tri raste.

Ishte viti 2020, kur gjatë qeverisjes së parë të Kurtit, u shënua "mëkati fillestar" ndaj Kushtetutës.

Vendimi për orën policore dhe kufizime të tjera me anë të vendimeve të Qeverisë, u cilësuan në kundërshtim me Kushtetutën nga ana e Gjykatës Kushtetuese, e cila interpretoi kushtetutshmërinë e vendimeve të Qeverisë pas kërkesës së ish presidentit Hashim Thaçi.

Në vendimin e Gjykatës theksohej e se vendimi i Qeverisë i datës 23 mars 2020 i nënshkruar nga kryeministri Kurti, nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Gjykata vendosi njëzëri se Vendimi [nr. 01/15] i 23 marsit 2020 i Qeverisë nuk është në përputhshmëri me nenin 55 [Kufizimi i të Drejtave dhe Lirive Themelore] të Kushtetutës në lidhje me nenet 35 [Liria e Lëvizjes], 36 [E drejta për privatësi], 43 [Liria e Tubimit] të Kushtetutës dhe me nenin 2 (Liria e lëvizjes) të Protokollit nr. 4, nenin 8 (E drejta për jetë private dhe familjare) dhe nenin 11 (Liria e tubimit dhe asociimit) të KEDNJ-s”, thuhet në vendimin e gjykatës.

Por, marrëdhëniet ‘komplekse’ ndërmjet Qeverisë Kurti I dhe Kushtetutës vazhduan tutje.

Pak muaj pas shkeljes së parë, erdhi edhe lajmi i dytë për mos respektimin e Kushtetutës nga Qeveria Kurti I.

Shkelësi i dytë i Qeverisë së parë të udhëhequr nga Kurti ishte Arben Vitia, ministër i Shëndetësisë, i cili me 12 prill kishte shpallur qytetin e Prizrenit zonë karantine.

Ndaj këtij vendimi, një kërkesë për interpretim kishin parashtruar atëkohë deputeti i PDK-së Uran Ismajli dhe 29 deputetë të tjerë.

E Gjykata kishte konstatuar se zona e karantinës nuk është në përputhshmëri me konventat ndërkombëtare.

Gjykata me shumicë votash, vendosi se Vendimi [nr. 214/IV/2020] i 12 prillit 2020 të Ministrisë së Shëndetësisë, për shpalljen e Komunës së Prizrenit “zonë karantinë”, nuk është në përputhshmëri me nenet 35 dhe 55 të Kushtetutës dhe nenin 2 të Protokollit nr. 4 të KEDNJ-së. Gjykata konstatoi se në nxjerrjen e këtij Vendimi, Ministria e Shëndetësisë, ka tejkaluar kompetencat e përcaktuara përmes Ligjit nr.02/L-109 për Luftimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve Ngjitëse, dhe rrjedhimisht “ndërhyrjet” në të drejtën e lirisë së lëvizjes, përmes karantinimit të të gjithë Komunës së Prizrenit, nuk janë “të përcaktuara në ligj”, thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Edhe një ministre e Kurtit, por kësaj radhe në Qeverinë e dytë të udhëhequr nga ai, ka ra ndesh me Kushtetutën.

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Informacionit, Arbërie Nagavci, sipas Gjykatës Kushtetuese, ka shkelur Kushtetutën kur me vendimin e 23 prillit të 2021-tës, u jepte direktiva komunës së Kamenicës rreth organizimit të shkollimit.

Gjykata tha se me këtë vendim, Nagavci ka tejkaluar kompetencat e saj.

Duke marrë parasysh që një numër nxënësish nuk vijuan mësimin sipas përcaktimeve të vendimeve të Komunës, në vitin 2021, MASHTI kishte formuar një komision për të vlerësuar mos-vijueshmërinë e mësimit nga ana e 441 nxënësve, i cili, ndër tjerash, kishte rekomanduar që për të adresuar situatën, MASHTI dhe Komuna duhet të: (i) ndërmarrin veprime të harmonizuara; dhe (ii) të themelojnë grup punues për analizimin e situatës në shkolla. Megjithatë, MASHTI, nxjerri Vendimin e kontestuar, bazuar në të cilin organizoi “mësimin alternativ të përshpejtuar për 441 nxënësit e Komunës së Kamenicës”. Këtë Vendim, Komuna e Kamenicës e kontestoi para Gjykatës, duke pretenduar se përmes tij, MASHTI kishte ndërhyrë në kompetencat vetanake të Komunës, dhe rrjedhimisht kishte cenuar përgjegjësitë komunale në kundërshtim me garancitë kushtetuese”, thuhet në vendim.

Kur kanë mbetur edhe tri vite deri në përfundim të mandatit të Qeverisë Kurti II, nuk dihet nëse rasti i Nagavcit do të jetë i fundit në vargun e shkeljeve të aktit më të lartë juridik të Kosovës.

Shkruan: Mirlind Behluli

Lajme të ngjashme