E konfirmuar: Avokati i Popullit e dërgon Ligjin e Pagave në Gjykatën Kushtetuese
Ligji i Pagave tashmë është dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese. Institucioni i Avokatit të Popullit përmes një komunikate për media ka bër të ditur se tashmë e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese Ligjin e Pagave, duke dhënë edhe hollësi të tjera.
Sipas këtij institucioni ankesat e pranura nga institucione të ndryshe kanë arritur në mbi 100.
"Avokati i Popullit, në kuadër të ushtrimit të mandatit të tij kushtetues dhe ligjor, që nga hyrja në fuqi e Ligjit nr. 08/L-196 për Pagat në Sektorin Publik (më tej: Ligji i kontestuar), ka pranuar 104 ankesa nga subjekte të ndryshme të sektorit publik. Ankesat e pranuara kryesisht kanë të bëjnë me uljen e koeficienteve, rrjedhimisht me zvogëlimin e pagave, heqjen e shtesave apo trajtimin joadekuat dhe jo të barabartë ndërmjet pozitave të përcaktuara me ligj. Ankesat e pranuara janë parashtruar nga subjekte të sektorit publik, si ankesa grupore, individualisht si dhe nëpërmjet sindikatave.
Më 5 shkurt 2023, pas një procesi, i cili, sipas Avokatit të Popullit, nuk ka qenë një proces transparent, i përgjegjshëm dhe as demokratik, Ligji i kontestuar ka hyrë në fuqi. Për më tepër, Avokati i Popullit vlerëson se ky ligj nuk e bart frymën e Aktgjykimit KO219/19, në kuptimin e parimit të ndarjes së pushteteve, kontrollit e balancimit mes tyre, në kuptimin e ruajtjes së pavarësisë së institucioneve të pavarura kushtetuese, në kuptimin e sundimit të ligjit, në veçanti parimin e barazisë para ligjit, si dhe në kuptimin e mbrojtjes të së drejtës së pronës të subjekteve në sektorin publik." - thuhet në njoftim.
Tutje në njoftim Avokati i Popullit i ka përmendur disa nga nenet, që sipas këtij institucioni nuk janë në përputhje me Kushtetutën. Aty përmenden, Sistemin Gjyqësor, Sistemin Prokurorial, Forcën e Sigurisë së Kosovës, Shërbimin Korrektues të Kosovës, Nëpunësit Publikë, etj.
"Sipas Avokatit të Popullit, neni 2, paragrafi 3; neni 6, paragrafi 6; neni 41, paragrafi 3 dhe paragrafi 4, të Ligjit të kontestuar, si dhe shtojcat e tij që kanë të bëjnë me Sistemin Gjyqësor, Sistemin Prokurorial, Forcën e Sigurisë së Kosovës, Shërbimin Korrektues të Kosovës, Nëpunësit Publikë të Arsimit Universitar dhe Parauniversitar, Nëpunësit Publikë të Sistemit Shëndetësor, Kuvendin e Kosovës, Institucionet e Pavarura Kushtetuese, Ministri, Agjenci të Pavarura, Agjenci dhe Rregullator, Agjenci Ekzekutive dhe të Shërbimit Publik, Komunat, Zyra Kombëtare e Auditimit, Auditimi i Brendshëm nuk janë në pajtueshmëri me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe as me frymën e Aktgjykimit KO219/19 të Gjykatës Kushtetuese, i cili duket se është shpërfillur me rastin e hartimit të Ligjit të kontestuar.
Avokati i Popullit vlerëson se Ligji i kontestuar në përgjithësi ka krijuar një situatë divergjente, ku të gjithë të punësuarit nuk janë trajtuar në mënyrë të barabartë as me rastin e uljes dhe as me rastin e ngritjes së pagave. Avokati i Popullit vlerëson se ulja dhe rritja e pagave duket se nuk janë bazuar në një vlerësim të mirëfilltë paraprak dhe as në një sistem linear, madje as përbrenda sektorëve të caktuar, që ka rezultuar që disa punonjës të pësonin ulje, e disa të tjerë rritje të pagave, madje edhe përbrenda së njëjtës organizatë."
Tutje aty përmendet edhe ulja e pagave në mënyrë arbitrare, pa u plotësuar kushtet e përcaktuar me vetë këtë ligj.
"Megjithatë, Avokati i Popullit, duke u bazuar në Aktgjykimin KO 219/19, sipas të cilit çdo ulje e pagave duhet të jetë e tillë që të mos e vërë barrën e shkurtimit të pagës vetëm te disa persona ose sektorë të caktuar të sektorit publik dhe se arsyet për ulje pagash duhet të jenë shumëfish më të qëndrueshme sesa arsyet për rritje pagash; nuk e konteston ligjin dhe shtojcat e tij në pjesët ku për sektorë të caktuar ka rritje pagash dhe ku është ndjekur një qëllim legjitim për rritje të tilla, por shpreh shqetësimin e tij për ulje pagash në mënyrë arbitrare, madje pa u plotësuar as kushtet e përcaktuara me vetë Ligjin e kontestuar, sipas të cilit pagat mund të ulen për shkak të një tronditjeje makroekonomike, e cila rezulton në zvogëlimin e të ardhurave, apo të një fatkeqësie natyrore, të shpallura zyrtarisht.
Për këto arsye dhe për ato të cilat Avokati i Popullit i ka argumentuar me rastin e trajtimit të ankesave dhe analizës së Ligjit të kontestuar, ia ka dërguar Gjykatës Kushtetuese kërkesën për vlerësimin e përputhshmërisë me Kushtetutën të Ligjit të kontestuar."
U votua pa opozitën
Kuvendi i Kosovës e ka miratuar Projekligjin për Paga në Sektorin Publik me 63 vota pro.
85 deputetë ishin të pranishëm në sallë nga ta 63 votuan për Projekligjin për Paga.
“64 deputetë kanë votuar 63 për asnjë kundër dhe një abstenim, miratohet Projektligji për Paga në Sektorin Publik”, tha kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.
Partitë opozitare nuk morën pjesë fare në votim.
Këto parti e kishin kundështuar ashpër këtë ligj. Sipas tyre, vlera e koeficieentit duhet të ishte më e lartë. Por, partitë opozitare nuk e dërguan në Kushtetuese Ligjin. Kjo ndodhi vetëm përmes Avokatit të Popullit.

