Çka pritet të ketë në "meny" të darkës joformale të liderëve ballkanikë me emisarin Borrell në ShBA? - NACIONALE

Çka pritet të ketë në "meny" të darkës joformale të liderëve ballkanikë me emisarin Borrell në ShBA?

3 vjet më parë

nga Muharrem Kafexhiu

Një tjetër darkë joformalë është rezervuar për dy ditë më vonë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në tavolinën kryesore të kësaj darke pritet të ulen liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Kjo veçse është konfirmuar nga autoritetet më të larta evropiane përmes një komunikate.

“Përfaqësuesi i Lartë/Zëvendëspresidenti Borrell më pas do të mbledhë liderët nga Ballkani Perëndimor për takimin tradicional të organizuar në margjinat e OKB-së’, thuhet në njoftim.

E gjithë kjo do të jetë nën patronatin e shefit të diplomacisë së jashtme evropiane, Josep Borrell.

Ky i fundit momentalisht po qëndron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku ka paralajmëruar një sërë takimesh.

Ai më me peshë mediatike pritet të jetë me sekretarin e përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres.

"Meny"

Por, do të jetë tepër interesante të shihet se çka do të ketë në "meny".

Kujtojmë, sot gjatë ditës, portali Albanian Post publikoi një dokument, që sipas tyre është kornizë e re për dialogun Kosovë - Serbi.

Gjithnjë sipas këtij dokumenti, parashihet një marrëveshje paqeje, me të dyja palët përfituese, por jo përfundimisht, pasi sipas të njëjtit, Kosova nuk do ta fitojë njohjen nga Serbia, por pranimin e pavarësisë.

Në anën tjetër, Serbia do të përfitojë miliarda euro ndihma ekonomike duke u kthyer kështu në fuqi rajonale.

Gjithsesi, kjo mbetet edhe më tutje në margjina, ndërsa potencialisht në darkën joformale mund të kemi ndonjë "pjatë" të këtij lloji që mund të servohet.

Dinamika

Dinamika e re në dialogun Kosovë - Serbi tashmë është e qartë.

Angazhimi i këshilltarëve nga ana e presidentit Macron e kancelarit Scholtz është dëshmi që vëmendja e BE-së dhe jo vetëm karshi çështjes së mbetur pezull mes dy vendeve, po rritet.

Ritheksojë faktin se liderët Kurti e Vuçiq javë më parë kanë pranuar letër të përbashkët nga krerët e lartëcekur evropianë, ku atyre u kërkohet të marrin vendime të vështira në këmbim të paqes e stabilitetit në rajon.

Kujtojmë, të martën, më 20 shtator, Përfaqësuesi i Lartë/Zëvendëspresidenti Borrell do të bashkohet me Presidentin e Këshillit Evropian Charles Michel dhe Presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen për seancën hapëse të Debatit të Përgjithshëm të Asamblesë së Përgjithshme të 77-të të OKB-së.

Letra

Siç edhe e kemi cekur më lartë, afër dy javë më parë, Macron e Scholtz, si Vuçiqit, i kishin dërguar letër edhe Kurtit.

E njëjta letër ishte publikuar nga zyra e kryeministrit të Kosovës përmes një njoftimi.

Mes tjerash thuhej se për Ballkanin Perëndimor, normalizimi i plotë i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës e Serbisë është i një rëndësie jetike.

I dashur Kryeministër,

Po ua adresojmë këtë letër në një kohë vendimtare për sigurinë në kontinentin Evropian dhe stabilitetin në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Ne jemi të bindur që në dritën e agresionit rus kundër Ukrainës na duhet të bëjmë përpjekje edhe më të fuqishme që perspektiva evropiane të bëhet realitet për shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe për të gjetur zgjidhje për mosmarrëveshjet e kamotshme bilaterale dhe rajonale.

Për Ballkanin Perëndimor normalizimi i plotë i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është i një rëndësie kruciale.

Po u adresohemi juve si lider i shtetit tuaj, për t’u bërë thirrje për të treguar gatishmëri dhe zgjidhje maksimale për të marrë vendime të vështira, që shpijnë drejt progresit të dialogut të udhëhequr nga BE, në mes Kosovës dhe Serbisë.

Tensionet e kohëve të fundit kanë treguar se hapat konstruktivë në rrugën përpara janë urgjentisht të nevojshëm, në nivelin praktik dhe politik.

Prandaj, ne kemi ngarkuar me punë këshilltarët tonë të politikës së jashtme dhe sigurisë, z.Jens Plötner dhe z.Emmanuel Bonne, për të mbështetur direkt Miroslav Lajčak në përpjekjet e tij.

Propozimi ynë është, që Këshilltarët të bëjnë një vizitë të përbashkët me Miroslav Lajčak në Kosovë dhe Serbi, në mënyrë që të gjejnë opsionet, që procesi të lëvizë përpara shpejt.

Shpresojmë shumë që kjo iniciativë do të ketë interesin dhe përkrahjen tuaj.

Sinqerisht,

Lajme të ngjashme