Çka po bën EULEX-i në veri të Kosovës? Ata thonë se “po merren me këshilla” - NACIONALE

Çka po bën EULEX-i në veri të Kosovës? Ata thonë se “po merren me këshilla”

3 vjet më parë

nga Anita Nikaj

Misioni i EULEX-it, në Kosovë është deklaruar pasi që këshilltarët e lartë policorë të këtij misioni janë të vendosur në Drejtorinë Rajonale policore në veri pas dorëheqjeve masive të zyrtarëve serbë që i kanë ngritur tensionet përsëri.

Në një përgjigje për Nacionalen, EULEX-i, nuk ka dhënë informacione konkrete mbi arsyen pse janë vendosur në stacionin kryesor në veri të Kosovës.

Ata kanë thënë se këta këshilltarë po merren me “këshilla” për Policinë e Kosovës.

“Këshilltarët policorë të lartë të EULEX-it për veriun janë të vendosur në kompleksin e Drejtorisë së Policisë së Kosovës Rajoni Veri dhe janë duke dhënë këshilla për Drejtorinë e Policisë së Kosovës Rajoni Veri dhe katër stacionet policore nën komandën e saj në lidhje me një sërë çështjesh që kanë të bëjnë me ofrimin e shërbimeve policore,” - thuhet në përgjigjen e tyre.

Sipas këtij misioni edhe Njësia Policore e Specializuar e EULEX-it, është duke qëndruar në veri dhe është duke monitoruar situatën, por do të reagojë vetëm nëse nuk i kërkohet nga policia e Kosovës një gjë e tillë. Nëse i kërkohet në mënyrë (sic) eksplicite.

“Njësia e formuar e Policisë së EULEX-it, e përbërë nga 105 policë polakë, ka shtuar më tej patrullat e saj të lëvizshme në veri të Kosovës për të rritur vetëdijen për situatën... Në rolin e saj si reagues i dytë i sigurisë, NjPS e EULEX-it do të angazhohet vetëm me kërkesë eksplicite të Policisë së Kosovës,” - thuhet në përgjigjen e EULEX-it

Përveç monitorimit në stacionin policor në veri, zyrtaret e EULEX-it, i kanë thënë Nacionales se ky mision është duke përcjelle nga afër edhe Prokurorinë dhe Gjykatën Themelore në Mitrovicën e Veriut.

“Përveç kësaj, Këshilltarja e EULEX-it për Kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore të Mitrovicës dhe Këshilltarja e EULEX-it për Kryetarin e Gjykatës Themelore të Mitrovicës janë duke e monitoruar nga afër situatën në këto dy institucione të drejtësisë,”

Së fundi, ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla në një konferencë të përbashkët për medie me kryeministrin Albin Kurti u shpreh se 578 zyrtarë policorë serbë kishin dhënë dorëheqje deri tash.

Sveçla vlerësoi disa prej tyre se kishin qenë “të sinqertë” dhe “lojalë” ndaj shtetit të Kosovës. Ai akuzoi Serbinë për këto veprime të zyrtarëve serbë.

Në anën tjetër, kryeministri i vendit u shpreh se veprimet e fundit të serbëve të Kosovës ishin rezultat i përpjekjeve të Serbisë për ta refuzuar planin franko-gjerman në mënyrë të maskuar.

Lajme të ngjashme