Çka humbëm nga mosbashkëpunimi me ShBA-në? Hovenier: Nxirni ju vetë konkluzionet se çka - NACIONALE

Çka humbëm nga mosbashkëpunimi me ShBA-në? Hovenier: Nxirni ju vetë konkluzionet se çka

1 vit më parë

nga Xhezair Dashi

  • Pra, humbëm shumë shanse?
  • Po ju lë juve t’i nxirrni konkluzionet vet.

Për të dytën herë brenda pak muajsh ambasadori amerikan (tash në largim), Jeffrey Hovenier, i dha premisat për konkluzionet që duhet “t’i nxirni ju vetë” në termat e ngecjes së vendit kundrejt aderimit në botën perëndimore: prej mosanëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës, të qënit në vendnumëro në proceset integruese euro-atlantike si BE e NATO; e deri te raportet e rënduara Prishtinë-Uashington.

Në intervistën lamtumirëse në ‘Rubikon’ u pyet për fjalinë e tij të vrazhdë që “nuk duhet psh**rur para derës së klubit ku doni të hyni” e cila qe formuluar në kuptimet më eksplicite si mesazh ndaj qeverisë në kursin e saj të paepur e deri konfrontues me QUINT-it dhe forcën paqembajtëse të NATO-s në vend, KFOR-in për çështjen e Urës së Ibrit.

Adriatik Kelmendi: Çka ju bëri të thonit diçka të tillë?

Jeffrey Hovenier: (..) shumë e drejtpërdrejtë, që nëse doni të jeni pjesëmarrës të një bashkësie si BE-ja e NATO, juve ju duhet të jeni të pëlqyeshëm për ta, të bëni krejt çka është e mundshme që jeni të përgjigjshëm ndaj shqëtësimeve (...)

Këtu iu kthye konkluzioneve të miratuara në Këshillin e Bashkimit Evropian – i.e të shndërruara në ligje për bllokun njëzet e shtatë shtetësh – të cilat i quajti “shumë të fuqishme”.

ShBA-ja – tha ai – “ndjehet absolutisht njësoj” me ato konkluza.

Por, në insistimin e gazetarit që e vërteta e (mos)raporteve bashkëpunuese të mos shpërbëhet në zhargon të përzbutur diplomatik, Hovenier u detyrua të prejë që “(...në atë rast) Kosova do të bëhej anëtare e Këshillit të Evropës”.

Mendoj se do të kishit një trajektore të kthjellët drejt anëtarësimit në BE, që është një rrugë e rëndë dhe e gjatë, dhe mendoj se do të ishim në pozicion që të shtynim para më fort për afrimin e Kosovës në marrëdhëniet e saj me NATO-n. Këto dy gjëra janë çka mund t’ua vendos në tavolinë”.

Dhe, mendoj që Kosova veçse do të ishte anëtare në Këshill të Evropës”, vazhdoi Hovenier.

  • Pra, humbëm shumë shanse?
  • Po ju lë juve t’i nxirrni konkluzionet vet.

Pesë muaj më parë...

Të njëjtën përgjigje e pati marrë në Rubikon gazetari Adriatik Kelmendi, para pesë muajsh, kur çështja më e nxehtë ishin raportet e rënduara Kosovë-ShBA, kur Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Jim O’Brien veçse pati premtuar “reciprokim mospartneriteti”.

Pyetja përmbante gjendjet faktike, prej përjashtimit nga Defender 2023, mungesën e vizitave të nivelit të lartë bilateral në Uashington, e deri te “kërcënimi jo i vagët” i O’Brien.

Jemi duke shpresuar për partneritet shumë të afërm dhe është e qartë se kur partneritetet e afërta bëhen edhe më të afërta atëherë do të ketë edhe më shumë kontakt person më person. Kaq mund të them”.

Kelmendi: Pra, më mirë se ç’e kemi tash...

Hovenier: Po ju lë juve të nxirrni vetë konkluzionet.

Hovenier aty i ishte kthyer asaj çfarë ishte bërë lajtmotiv amerikan karshi qeverisë kosovare – miratimin e draft-Statutit të Asociacionit të Komunave të banuara me shumicë serbe: tekst ky ndaj të cilit qeveria ishte shprehur refuzues pasi e kishte pranuar; dhe i cili tekst është bërë qëndrim zyrtar/ligjor i BE-së në konkluzionet e saj.

Por nëse del që është jo në pajtim me Kushtetutën, ne do ta respektojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, thoshte Hovenier.

Ky dokument ka një status tejet të rëndësishëm...dhe Kosovës i thamë që kjo është mjaftueshëm e mirë që Kosova t’i përmbush obligimet e saj me këtë draft. Kjo është tmerrësisht e rëndësishme, e jo veç disa ide prej ndonjë think-tenku”, shprehej ai.

Lajme të ngjashme