Cicërima e bujshme e Kurtit: Cili ishte mesazhi i fshehur i tij? - NACIONALE

Cicërima e bujshme e Kurtit: Cili ishte mesazhi i fshehur i tij?

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë ditës së djeshme u bë viral në rrjetin social Twitter përmes statusit dedikuar presidentit serb Vuçiq. Por, çka tha saktë Kurti dhe pse në të mund të ketë pasur 'mesazh të fshehur'? Duket se, përsëri Besnik Bislimi na vjen në ndihmë.

“Dreqi” është në detaje, prandaj statusi i Kurtit meriton një ekzaminim të hollësishëm. Ta lexojmë me vëmendje fjalinë e parë që shpreh konstatim.

Statusi i Kurtit deri tash (ora 11:32) i ka marrë 359 mijë shikime, 3525 pëlqime dhe është ripostuar 490 herë.

Konstatimi

“Pasi refuzoi të nënshkruante Marrëveshjen e 27 shkurtit dhe para se të refuzonte përsëri që ta nënshkruante bashkë me Aneksin e 18 marsit, presidenti i Serbisë refuzoi ofertën time bujare të vetëmenaxhimit të serbëve të Kosovës, në një asociacion që do ta draftoja dhe propozoja.”

Mos shkoni te Asociacioni menjëherë. Po, Kurti nuk e mban më qëndrimin se kurrfarë Asociacioni nuk mund të ketë. Por, tashmë jemi në periudhën ‘post-apokaliptike’.

Kryeministri i Kosovës po na thotë që Vuçiq ka refuzuar ofertën për vetëmenaxhim të serbëve të Kosovës, në një asociacion, para se të refuzonte që të nënshkruante sërish më 18 mars.

Pra, nga formulimi i fjalisë, duket se nuk është fjala për periudhën pas pajtimit për Aneks. Është fjala për ndonjë takim në Ohër, ose edhe paraprakisht, gjatë diplomacisë fluturuese prej 27 shkurtit e deri më 18 mars.

Kjo nuk shpreh pozicionet aktuale të palëve. Ato dihen në bazë të interpretimit që e dha shefi i diplomacisë evropiane Josep Borrell. Kjo po shpreh idenë, sado të mjegullt, që Serbia ka refuzuar një Asociacion që do ta draftonte dhe propozonte kryeministri i vendit Albin Kurti.

Por, megjithatë konfuzioni mbetet.

Z. Nyet

“A është ai Dr. No apo Z. Nyet? Epo, e dimë që ai s’është doktor.” – tha Kurti. Besohet që kur flet për Dr. No-në, ai flet për Dr. Julius No-në, një personazh fiktiv në filmin (dhe novelën) e James Bondit. Ndërkaq kur flet për z. Nyet, besohet se po flet për Andrei Gromyko-n, një diplomat sovietik që kishte mosbesim të thellë ndaj Perëndimit.

Sipas formulimit të Kurtit, Vuçiq është pikërisht ky i fundit.

Ku ishte qëllimi i Kurtit?

Kurti duket se nuk është i kënaqur sa thotë që është me Propozimin Evropian dhe Aneksin e tij, dhe postimi i tij nga kjo dritë duket më shumë kundër BE-së se sa kundër Vuçiqit.

Është e qartë se ai po provon që ta paraqes keq presidentin serb, por kësaj radhe në një mënyrë më të mjegullt.

A po provon të na thotë ai se i ka ofruar Vuçiqit diçka më të mirë në lidhje me Asociacionin se ajo që e ka marrë më 18 mars? Kjo nuk dihet. Sidoqoftë, ajo që dihet është se Lajçak u shpreh qartë se Neni 7 nënkuptonte krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Se mund të kishte dallime në interpretime të Nenit 7, kishte treguar edhe Besnik Bislimi në një intervistë për transmetuesin publik.

“Ne e shohim (Asociacionin) në nenin 10 tek marrëveshjet e kaluara, zbatimi i marrëveshjeve të kaluara... me gjasë sipas një interpretimit të Bashkimit Evropian, ata Asociacionin e shohin edhe tek pika 7, pjesa e parë, te vetëmenaxhimi.”ishte shprehur ai.

Çka ndodh tash?

Pajtimi i Kosovës është dhënë, se sipas zyrtarëve të BE-së dhe ShBA-ve nuk është nevoja fare për nënshkrim që marrëveshja të konsiderohet si ligjërisht e obligueshme.

Por, në anën tjetër, Kosova në krye me Kurtin duket se ka interpretim tjetër. Presidentja Osmani u shpreh e bindur që Serbia do të refuzonte zbatimin e marrëveshjeve të arritura, siç nuk kishte zbatuar as marrëveshjet e 12 viteve të kaluara. Në anën tjetër, shefja e deputetëve të VV-së, Mimoza Kusari, iu referua marrëveshjeve të Ohrit thjesht si “takimi i Ohrit”.

I vetmi që mendon ndryshe në këtë mes duket të jetë Armend Muja, deputet i VV-së.

Lajme të ngjashme