Abdixhiku zbulon se Kurti s’ia kishte treguar preambulën e marrëveshjes ku përmendet “tejkalimi i trashëgimisë së kaluar”
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka zbuluar se në takimin që kishte pasur me kryeministrin Albin Kurti rreth propozimit evropian, ky i fundit nuk i kishte treguar preambulën e marrëveshjes ku përmendej mes tjerash edhe “tejkalimi apo kapërcimi i trashëgimisë së kaluar”.
Abdixhiku në Klan Kosova ka thënë se ai kishte marrë një dokument me dy faqe dhe se i kishte pasur disa pika më ndryshe.
“Ai nuk e kishte ndarë preambulën, i kishim vetëm pikat, vëmendja e parë që më ka shkuar ka qenë te dy elemente e para, palët nuk paragjykojnë çështjet e statutit politik edhe e dyta ka qenë tejkalimi apo kapërcimi i trashëgimisë të së shkuarës.” – ka thënë ai.
Ndërkohë, mes tjerash Abdixhiku në këtë intervistë tha se Kosova nuk e ka shfrytëzuar mirë momentumin kur ndërkombëtarët janë investuar dukshëm në dialogun mes dy vendeve.
“Këtë momentum, duhej ta shfrytëzonim mirë për interesat e Kosovës. Ajo që bëmë ne, ndoshta më së miri e paraqet raporti i ambasadorit në ShBA, Ilir Dugollit. Ai raport flet qartë për relacionet e Kosovës me ShBA-të. Pra në këto relacione ne kishim një marrëdhënie brutale, të moskoordinimit jo vetëm në politikën ndërkombëtare, po edhe refleksion prej politikës së brendshme.” – ka thënë ai.
