Chollet dhe Escobar para Senatit Amerikan: 5 vendet që s’e njohin Kosovën po kërkojnë të implementohet marrëveshja - NACIONALE

Chollet dhe Escobar para Senatit Amerikan: 5 vendet që s’e njohin Kosovën po kërkojnë të implementohet marrëveshja

3 vjet më parë

nga Leonitë Demaku

Dy personat në Administratën Biden që po merren me dialogun Kosovë-Serbi, këshilltari special Derek Chollet dhe emisari për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, janë duke raportuar aktualisht para Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë në Senatin Amerikan. Mesazhi i tyre kryesor deri më tani – implementimi i Marrëveshjes Bazike.

Po vazhdon edhe më tutje raportimi i dy zyrtarëve të lartë amerikan në Komitetin për Punë të Jashtme, dhe një prej temave që është përmendur më së shumti deri më tash, është Asociacioni.

Që në nisje të kësaj seance, kryetari i Komitetit, Bob Menendez e pati një pyetje të prere: “A mund të na garantoni që Asociacioni nuk do të jetë si Republika Serbe?”

Ky është qëllimi

Emisari Escobar para senatorëve amerikanë deklaroi se nuk do të ketë Republikë Srpska, dhe se ky është i gjithë qëllimi.

Megjithatë, ai thotë se Asociacioni është marrëveshjet e arritur, ligjërisht e obligueshme, dhe për këtë arsye, po përgatiten modele që nuk shkelin sovranitetin e Kosovës

“Pozicioni ynë është që Asociacioni është një marrëveshje e arritur, ligjërisht e obligueshme. Ne do ta bëjmë një model evropian, që nuk shkel sovranitetin e saj, apo Kushtetutën. Në mënyrën që ne e shohim është një formë e komunave që do të ofronin shërbime të komunave për serbët…Në fjalë të tjera, nuk e shoh këtë si koncesion i Serbisë, e shoh këtë si një mënyrë që Kosova të akomodojë ata persona që të kenë qasje në shërbimet e shtetit.”ka thënë ai.

Escobar i ka përmendur edhe modelet që Bashkimi Evropian ka ofruar, dhe tha se asnjë prej këtyre nuk e shkel Kushtetutën e shtetit tjetër, në këtë rast, Kosovës.

“Nuk do të jetë një Republikë Srpska, ky është qëllimi jonë. BE-ja u ka ofruar modele, modele evropiane ku shtetet mund të japin shërbime në një gjuhë tjetër për shtetasit e saj, dhe në asnjë prej këtyre modeleve, nuk është që një shtet fqinj që mund të hyjë në një shtet tjetër e ta thyej kushtetueshmërinë apo strukturën ligjore të atij shteti.” – u shpreh ai.

5 njohjet

Kosova është në pritje të njohjeve nga pesë shtete anëtare të BE-së, që ende s’e pranojnë si shtet të pavarur: Spanja, Sllovakia, Qipro, Rumania dhe Greqia.

Cila është arsyeja që këto vende s’e njohin Kosovën? Zyrtarët amerikanë u përgjigjën edhe për këtë dhe fokusi, shkoi te implementimi i marrëveshjes së arritur tashmë.

“Një pjesë e arsyes pas janë politikat e vetë tyre, nuk është veç për Kosovën apo Serbinë, por kanë situat e veta në shtetet e tyre, dhe frikësohen se mund t’u ndodhë e vnjëjta në vendet e tyre. Derisa bëmë marrëveshjen për zbatimin e saj, kemi pasë sinjale se kjo mund të ndodhë, do të jetë shumë e vështirë, por ne u themi miqëve tanë në Kosovë që po punojmë shumë, por ne duhet ta shohim këtë marrëveshje që të implementohet.” – u shpreh ai.

Escobar ndërkohë, ka thënë se shtetet që s’e njohin Kosovën po kërkojnë implementim të Marrëveshjes Bazë.

Pikërisht për këtë, ai tha se Kosovës po i kërkohet ta formojë Asociacionin, një marrëveshje që e përsëriti sërish, të obligueshme.

“Pesë shtetet që s’e njohin Kosovën kanë kërkuar implementim të plotë të marrëveshjes, për një marrëveshje bilaterale mes dy vendeve, është një qëllim i politikave të tyre. Ne duam të lëvizim drejt njohjeve të reja. Por për të pasur një presion të tillë, duhet të kemi pak implementim. Dhe Kosovës, po i kërkohet që ta implementojë Asociacion, është një marrëveshje ligjërisht e obligueshme. Pra, mund ta lëviz më afër Bashkimit Evropian.” – u shpreh ai.

Lajme të ngjashme