Cameron i qartë: Banjska ishte ekstremisht shqetësuese, nëse ndodhë sërish duhet ta luftojmë - NACIONALE

Cameron i qartë: Banjska ishte ekstremisht shqetësuese, nëse ndodhë sërish duhet ta luftojmë

2 vjet më parë

nga Mirlind Behluli

Britania e Madhe është një nga vendet më mike të Kosovës. Madje, Britania e Madhe është e gatshme të luftojë nëse ndodhë sërish një sulm si në Banjskë të Zveçanit, ku humbi jetën një polic i Kosovës. Këtë premtim për sigurinë e Kosovës e dha hiç më pak se David Cameron, ministër i Punëve të Jashtme të Britanisë së Madhe.

Ndërsa në një intervistë për “Reuters”, kryediplomati britanik ishte absolutisht i drejtpërdrejtë. Duke folur për sulmin e amratosur në Banjskë të Zveçanit, Cameron e cilësoi këtë ngjarje si diçka “esktremisht shqetësuese”.

Madje, ai tha se nëse ndodhë sërish një sulm i ngjashëm duhet të luftohet.

“Ajo që ka ndodhur në shtator mendoj se ishte ekstremisht shqetësuese dhe ne duhet të bëjmë gjithçka që mundemi që ta parandalojmë dhe ta luftojmë nëse ndodh sërish. Kosova është shtet i pavarur, sovran që do stabilitet, siguri dhe prosperitet. Britania po ndihmon në të gjitha këto dhe ajo që ne po bëjmë është e drejtë” – ka thënë ai, transmeton Express.

Tutje, Cameron theksoi se stabiliteti dhe siguria në Ballkanin Perëndimor hynë në kuadër të interesave kombëtare të Britanisë së Madhe. Për më shumë, ndalimi i atyre që dëshirojnë trazira e probleme bie në domenin e interesit nacional britanik.

“Stabiliteti në Ballkan, siguria në Ballkan, ndalimi i atyre që duan të shkaktojnë trazira dhe probleme, janë interesa direkte kombëtare të Britanisë së Madhe” – shtoi ai.

Përkrahja e madhe

David Cameron, ministër i Punëve të Jashtme i Britanisë së Madhe, ka qëndruar sot në Kosovë, ku ka realizuar edhe disa takime me krerët më të lartë të Kosovës. Përveç takimeve, Cameron dërgoi disa mesazhe absolutisht të nevojshme e të rëndësishme për Kosovën.

Në fjalimin e tij pas takimit me homologen kosovare, Donika Gërvalla, kryediplomati britanik e ritheksoi se Britania vazhdon të mbetet mbështetës i madh i pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës. Madje, ai vlerësoi se Britania e përkrah Kosovën në rrugën drejt njohjes universal të pavarësisë, deklaratë e cila u pësua me reagime nga Serbia.

“Jemi mbështetës të mëdhenj të pavarësisë së Kosovës, sovranitetit, dhe të drejtës për t’u njohur plotësisht nga të tjerët si shtet sovran... Sigurisht do t’ju ndihmojmë në betejën për tu njohur në forume ndërkombëtare, që është e rëndësishme dhe e meritoni”, ka thënë Cameroni.

Tutje, ish-kryeministri britanik foli edhe për prezencën e ushtarëve të Britanisë në KFOR, duke theksuar se Britania është krenare “për trajimin dhe mbështetjen” e FSK-së.

“Ne jemi krenarë me faktin se Britania luan një rol të madh në KFOR. Ne kishim mbi 600 trupa britanike këtu këtë vit. Ne jemi krenarë për trajnimin dhe mbështetjen që po u japim forcave tuaja të armatosura dhe suksesin e madh që ata kanë pasur në stërvitje në Mbretërinë e Bashkuar. Pra, ne kemi folur për sigurinë, kemi folur për ekonominë tuaj e cila po tregon rritje të mirë këtë vit dhe ne duam të bëjmë më shumë për t’ju ndihmuar ekonomikisht, për t’ju ndihmuar të siguroni punë dhe mjete jetese për njerëzit tuaj”, ka thënë ai.

Sjellim ndërmend që Britania e Madhe ka qenë një nga shtetet më përkrahëse të bombardimit të NATO-së mbi ish-Jugosllav, duke kërkuar edhe intervenim me kombësori për të ndalur spastrimin etnik të Kosovës. Përkrahja e Britanisë nuk mungoi edhe gjatë e pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Lajme të ngjashme