Buzhala: Sondazhi i fundit tregon shumëçka, por Kurti s'do t'i lexojë këto shifra - NACIONALE

Buzhala: Sondazhi i fundit tregon shumëçka, por Kurti s'do t'i lexojë këto shifra

1 vit më parë

nga NACIONALE

Mbrëmë u publikua edhe episodi i radhës i Ditarit të Buzhalës, prodhim i Gazetës Nacionale.

Kjo njëherit ishte pjesa e 29 e emisionit që po shënon rritje enorme shikueshmërie në të gjitha platformat tona sociale.

Për ata që s'e ndoqën gjatë premierës, përmendim faktin se temët e shtjelluara ishin zgjedhjet e brendshme në VV, të cilat edhe po shkojnë drejt fundit, deklarata e Putinit lidhur me atë se do t'i përdorë armët nukleare dhe greva, për të cilën tashmë kemi hyrë në javën e katërt, ndërsa qeveria dhe sindikata nuk po arrijnë të gjejnë zgjidhje.

Ndërkaq, sondazhi, që derivoi nga tema e parë, u përmend gjatë emisionit, me Buzhalën që i kushtoi një vëmendje të veçantë.

Sipas tij, shifrat e fundit të nxjerra nga UBO e të publikuara nga Nacionale, tregojnë shumë për pozicionin aktual të VV-së, megjithatë Kurti nuk dëshiron t'i lexojë këto shifra.

"Ne jemi duke i vërejtur efektet e para elektorale të qeverisjes Kurti. Një pjesë e qytetarëve që e votuan me 14 shkurt, kanë fillu me reflektu. Sondazhet e UBO-s, të fundit, që për herë të parë i publikoi Nacionale, spjegoi shumëçka, po këto nuk po do t’i lexojë Albini. Këto sondazhe e paraqesin Lëvizjen Vetëvendosje te 37%. 37% nga 51% i bie 14% rënie. Për një vit e gjysmë. Dikush thotë shumë, dikush thotë pak, por unë mendoj që është rënie katastrofale", tha fillimisht Buzhala.

Lidhur me këtë, autori beson se kjo është e merituar, pasi njeriu i votuar, pra i thirrur për të përmirësuar jetën e qytetarëve në vend, merret më shumë me partinë që drejton sesa me shtetin.

"Sigurisht që është e merituar, përderisa njeriu i thirrur për me përmirësu jetën në vend, edhe më tutje po ka kohë me dalë me iu thënë aktivistëve lexoni pak më tepër, me iu thënë këshillit drejtues atje, që thoshte shumë mirë është mirë, por nuk është shkëlqyeshëm, përderisa obsesioni i tij është partia që ai drejton, Lëvizja e tij, e jo qytetarët, përderisa më shumë kohë i kushton VV-së sesa mijëra nxënësve që ka mbetë në shtëpi", shtoi ai.

Tutje, gazetari vlerësoi se kjo rënie është e pabesueshme, pasi siç e thotë, nuk njeh subjekt politik që për një vit e gjysmë ka shënuar rënie të këtillë në elektorat.

"Kjo është rënie e merituar edhe pse e pabesueshme. Nuk njoh subjekt politik që për një vit e gjysmë i ka humbë 14% të elektoratit. Tash çka ka ndodh me këtë elektorat. LDK, me 12% me 14 shkurt, aktualisht e kemi te 23%. Efekti i Vjosa Osmanit, ose i Listës së saj Guxo, ka në opinion mendime të ndryshme a kanë kalu në Vetëvendosje, a s’kanë kalu në Vetëvendosje".

Në pjesën e fundit ndërkaq, kreatori i Ditarit tha se sipas tij, 3-4% nga totali prej 51 sa i siguroi VV në zgjedhjet e fundit kanë qenë të Diasporës, kurse rënia prej 10%, pra 37% është besimi aktual te Vetëvendosja, është meritë e LDK-së, që ka shënuar rritje.

"Në opinionin tim, shikoni, prej 51% të Vetëvendosjes, 3-4% janë prej Diasporës, ose kanë votu direkt, ose kanë votu përmes postës. Efektivisht, Lëvizja Vetëvendosje edhe me 14 shkurt i ka pasë diku 47%. Nuk ka pasë më shumë. LDK i ka pasë 12%. Rritja për 12% e LDK-së, i atribuohet direkt, rënies prej 10% të Lëvizjes Vetëvendosje. Pra, 47-shi ka ra në 37, 12%-shi ka shku në 22, e PDK vazhdon me rujtë njëfarë stabiliteti elektoral, që nuk është i dëshirueshëm për PDK-në, po pak a shumë është aty, 1-2%, që janë vota të Nismës e që lëvizin herë në Nisma e herë në PDK", përfundoi Buzhala.

Më poshtë pjesa e zgjeruar këtu, kurse siç edhe keni mundur ta vëreni, në atë të epërme është episodi i plotë. Shikim të këndshëm.

Lajme të ngjashme