Bugajski kërkon njohjen reciproke: "Absurdit" të ambasadorit gjerman i vjen një reagim "joabsurd" - NACIONALE

Bugajski kërkon njohjen reciproke: "Absurdit" të ambasadorit gjerman i vjen një reagim "joabsurd"

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ambasadori gjerman në Prishtinë, Jorn Rohde, ka bërë dje një postim për çështjen e targave dhe i cili ka nxitur një valë reagimesh tjera. Së fundi, reagim ka bërë edhe Janusz Bugajski.

Kryeminsitri Kurti u shpreh se përmes tensioneve në veri që ishin rrjedhojë e vendimit për targa, Serbia po përpiqej të maskonte refuzimin e saj të planit franko-gjerman. Por, jo të gjithë janë të bindur me fjalët e tij.

Ambasadori gjerman në Prishtinë, Jorn Rohde shkroi dje se “ishte absurde të rrezikoje konfrontim të dhunshëm” për çështjen e targave.

Çka tha Rohde?

Me anë të një postimi në rrjetin social Twitter, ambasadori gjerman u shpreh si vijon:

“Urgentisht vyen vullnet politik për deeskalim dhe kompromise bazuar në marrëveshjet e Brukselit! Absurde që të rrezikohet konfrontimi i dhunshëm për targa ndërsa lufta brutale po ndodh ndaj Ukrainës nga Rusia me viktima të panumërta tashmë,” – shkroi ai në Twitter.

Ai po shpërndante një postim nga Manuel Sarrazin, diplomati gjerman, që tregonte se kishte takuar Albin Kurtin, Donika Gërvallën, Besnik Bislimin e po ashtu edhe Goran Rakiqin.

Pjesëmarrës në këto takime ishte edhe vetë Rohde.

Bugajski

Eksperti i çështjeve të Ballkanit, bëri një nga reagimet serioze ndaj postimit të ambasadorit gjerman.

“Ne pamë se ku e quan Putinin thirrjet për “de-eskalim”. Sa më gjatë që BE-ja dhe ShBA-ja shtyjnë çështjen e njohjes reciproke mes Serbisë dhe Kosovës, aq më shumë Vuçiqi do të destabilizojë rajonin.” – u shpreh ai.

Në këtë kontekst duhet ndërmendur planin franko-gjerman. Ai ishte paraqitur nga Jens Ploetner, këshilltari i kancelarit federal të Gjermanisë, Olaf Scholz dhe nga Emmanuel Bonne i shtetit francez.

Por, plani franko-gjerman nuk përmbante njohjen reciproke sipas asaj që është thënë nga ana e atyre që e kanë parë këtë plan.

Kryeministri i vendit Albin Kurti e kishte parë si “një hap drejt rrugës së duhur” dhe si “bazë të shëndoshë” ndërsa kryekuvendari Glauk Konjufca ishte shprehur se “Kosova nuk e ka luksin ta refuzojë”.

Sidoqoftë, plani në fjalë është parë edhe se i jep një njohje de fakto Kosovës derisa e shtyn çështjen e njohjes formale për një periudhë të pacaktuar.

Reagimet jo aq serioze

Rohde ka nxitur me fjalë të tij edhe reagime që po i cilësojmë si jo aq serioze.

Gazetari që mbështet Kurtin, Gëzim Mekuli, e kishte cilësuar ambasadorin gjerman si “zëdhënës të Putinit” për shkak të këtyre deklaratave.

“Turp për këtë komunikim publik. Turp të kesh z. Ambasador! Ambasadori gjerman sot megafon i Putinit!” – shkruante ai.

Amerika

Por, edhe Amerika ka shprehur pak a shumë qëndrime të njëjta në lidhje me këtë çështje. Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, e kishte cilësuar shtyrjen e vendimit për targa si “kërkesë specifike e urgjente” derisa i kishte bashkëngjitur edhe kërkesën për Asociacionin e komunave me Shumicë Serbe.

Në anën tjetër, edhe Departamenti amerikan i Shtetit ka shprehur “zhgënjim e shqetësim” në lidhje me këtë çështje.

Qindra zyrtarë serbë kanë braktisur institucionet e Kosovës duke ngritur shumë pikëpyetje për rrugën që e pret përpara Qeverinë e Kosovës.

Lajme të ngjashme