Bllok-tarifat e rrymës, padrejtësi e madhe ndaj atyre që mbajnë të moshuarit në gjirin familjar
Shkruan: Gazmend Demolli
Mbështetja dhe kujdesi ndaj të moshuarve brenda gjirit familjar është një traditë shqiptare që në shumë pika ngjason me traditën e kujdesit ndaj të moshuarve në Japoni, ku sikurse edhe në Kosovë mund të gjeni gjenerata të ndryshme të një familjeje që jetojnë nën një kulm të përbashkët. Shumë studiues e shohin këtë traditë si faktorin kryesor të jetëgjatësisë së popullit japonez. Faktor stabiliteti dhe prosperteti. Atje, shteti dhe shoqëria e inkurajon këtë formë të solidaritetit intergjeneracional në mënyrë institucionale. Për më tepër, përtej kësaj mbështetjeje institucionale, kultura japoneze vlerëson pleqtë dhe respektin për të moshuarit.
Në Kosovë mund të themi shlirë që nuk është bërë asgjë në kujdesin institucional ndaj të moshuarve brenda gjirit familjar, e besa as jashtë atij gjiri. Personat e moshuar, sidomos gratë, por edhe të gjithë ata që kanë pasë jetë të vështirë, bujqësore, ata që nuk kanë pasë karrierë të vazhdueshme, janë lënë anash dhe përkundër gjithë kontributit jetësor sot jetojnë në vartësi të skajshme, barrë e fëmijëve dhe nipërve dhe mbesave të tyre.
Këtë barrë, që nuk do të duhej të ishte e tillë, sot po e rëndon edhe një padrejtësi tjetër e rradhës ndaj atyre që kujdesen për të moshuarit e tyre brenda familjes. Në vend që të ndihmohen institucionalisht për kujdesin ndaj të moshuarve, ata ndëshkohen. Si?
Konsumi i energjisë elektrike brenda një ekonomie familjare rritet në proporcion me madhësinë e familjes. Konsumi dallon nëse një familje është një-antarëshe, dy tri-anëtarëshe, apo shtatë-tëtë anëtarëshe. Mund të thuani se varet nga sipërfaqja, mënyra e të ngrohurit, etj. etj., por para së gjithash varet nga numri i anëtarëve që jetojnë nën një kulm. Nga ajo varet pra edhe sipërfaqja edhe numri i dhomave që duhet të ngrohen, sa rroba do të lahen, sa gjella do të përgatiten.
Një familje tradicionale, shumë-anëtarëshe pra, nuk ka se si të mos bie në bllok-tarifen e shtrenjtë. Një person që jeton në një familje të tillë, është padrejtësisht në disavantazh ndaj një personi që jeton vetëm. Sepse ai që jeton vetëm, jeton në një hapësirë më të ngushtë personale, dhe harxhon mesatarisht 30% më pak rrymë -- pra për kokë banori -- se ai që jeton vetë. Ai që jeton me të tjerë familjarë detyrohet të paguajë më shtrenjtë rrymën, vetëm e vetëm se ai ka vendosur të jetojë në një kulm me prindërit e dhe gjyshërit e tij. Ky vendim në shumicën e rasteve nuk ka opsion tjetër.
Imagjinoni një rast ku njëri vëlla del me banesë më vete me grua e tjetri rrin me prindërit dhe gjyshërit. Kush e paguan më shtrenjtë rrymën? Ai që ka një orë elektrike për 8 anëtarë apo ai që është vetë i dyti apo krejt vetëm.
Rritjen e çmimit të rrymës po e vuajnë më së shumti ata që kanë më së paku. Me tarifat e reja mbi 30% e rrogës së arsimtarit, profesorit, policit e inferimeres e deri në 60% e rrogës së një kamarieri do të shkojë në pagimin e energjisë elektrike gjatë muajve të dimrit. Kjo është padrejtësi e madhe e shfrytëzim i madh. Padrejtësia bëhet edhe më e madhe, bëhet e papërballueshme kur këto kategori ekonomike janë mbajtës të familjeve shumë-anëtarëshe.
Familja kosovare ka pësuar ndryshime strukturore në dekadat e fundit në mënyra të ndryshme. Fakti që qelizat familjare janë fraksionuar, dhe gjithnjë e më shumë familjet e reja pavarësohen më herët, është emancipues për shoqërinë. Ky process nuk guxon të ndalet sepse është bazë për zhvillimin ekonomik, është kusht për shuarjen e pabarazisë ndaj gruas.
Por edhe ata që vazhdojnë të kujdesen në gjirin familjar për të moshuarit e tyre nuk janë në faj që t’u bëhet e padrejtë. Prandaj e mora shembullin e Japonisë, për të treguar se kjo përkujdesje, nuk është dukuri e prapambetur që duhet penalizuar. Sepse kjo është vërtet padrejtësi e madhe. Është padrejtësi ndaj atyre që kujdesen për më të moshuarit e tyre nën një kulm. Ndaj atyre që pushteti ka vendosur t’i injorojë.
Sistemi i blloqeve në tarifa ose tatime duhet patjetër të përcillet me konsiderimin e numrit të anëtarëve. Për shembull në Francë, tatimi në të ardhura është i bazuar në blloqe, por të pjestuara në bazë të numrit të anëtarëve. Një i rritur përbën një pjesë, fëmijët gjysmë pjese. Për ta bërë analogjinë me bllok-tarifat e rrymës në Kosovë, psh një familje me dy fëmijë mund të konsiderohej 3 pjesë dhe mund të thuhej psh se blloku i shtrenjtë fillon me 250 ose 300 kWh për pjesë. Një personi që jeton vetëm do t’i fillonte tarifa e lartë nga 250kWh, atyre me katër anëtarë, pra tri pjesë, nga 750kWh, dhe psh nëse nën një kulm jetojnë 5 të rritur dhe dy fëmijë, tarifa e lartë do të fillonte prej 1500kWh. Kjo do të ishte më e drejtë dhe poaq funksionale dhe efiqiente.
Një padrjtësi tjetër u bëhet edhe familjeve që jetojnë në ndërtesa afër banesave të shumta të zbrazëta të bashkatdhetarëve sezonal. Nëse sipër banesës, ose poshtë apo anash, banesa është e pashfrytëzuar, duhet shumë më shumë kalori të shpenzohen për t’u ngrohur sepse një pjesë e kalorive harxhohen për t’u ngrohur muret e përbashkëta. Ky rast është shumë faktual gjithandej Kosovës, me qindra-mijëra banesa të pashfrytëzuara gjatë periudhës dimërore. Nuk është sekret që nëse je i rrethuar me banesa të ngrohura, harxhon më pak se nëse je i rrethuar me banesa të zbrazta.
Për t’ju kundërvënë kësaj pabarazie, është dashur që pjesa e pagesës fikse që ka të bëjë me mirëmbajtjen e rrjetit dhe koston e distribuimit të rrymës, të ngritej për të gjithë, pra edhe për ata që nuk përdorin rrymën gjatë dimrit. Sot është 1.7 Euro mund të trefishohej në mënyrë që të mundsohej një zbutje e tarifave të larta. Sepse mirëmbajtja e rrjetit është një kosto që duhet t’a mbajnë edhe ata që e përdorin rrjetin sezonalisht, dhe se kjo nuk do të shkaktonte barrë të papërballueshme pë rata qytetarë.
Fatura e Marsit po vie. Do të jetë e lartë.
Do të jetë shumë më e lartë për ata që jetojnë bashkarisht në një kulm. Bashkë me këtë faturë erdhën edhe qindra ngritje çmimesh të produkteve esenciale të pazëvendësueshme. Produkte si mielli dhe vaji që konsumohen shumë më shumë në familjet më tradicionale, të cilat nuk kanë mundësi të zëvendësojnë gatimin me senduiq në shehër.
Ata që jetojnë vetëm, kurrë nuk do ta kuptojnë rëndësinë e vajit dhe të miellit. Rëndësinë e kësaj padrejtësije me tarifa rryme. Nuk do ta kuptojnë as këtë shkrim.
Nuk është vonë të korrigjohet formula e tarifimit të rrymës elektrike.
Nuk është vonë të korrigjohet padrejtësia edhe ndaj të moshuarve dhe kujdestarëve të tyre.