Bllof me “largim” nga KiE dhe “përgjigje adekuate” ndaj Kosovës, Serbia bën presion për Asociacionin para votimit final në maj - NACIONALE

Bllof me “largim” nga KiE dhe “përgjigje adekuate” ndaj Kosovës, Serbia bën presion për Asociacionin para votimit final në maj

2 javë më parë

nga NACIONALE

Janë bërë plot 11 vjet që kur Serbia ka pranuar – tekstualisht e kontraktualisht – të mos pengojë anëtarësimin/integrimin e Kosovës në institucionet evropiane.

Qysh në Marrëveshjen e Parë të Parimeve që Udhëheqin Normalizimin e Marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë të dakordësuar më 2013, shkruhet eksplicit se Serbia nuk do të pengojë rrugëtimin evropian të Kosovës (Neni 14, 2013).

Para një viti, kjo kontratë për rrugëtim evropian, u ngrit edhe një nivel më lartë, atë përtej institucioneve të këtij kontinenti; në rrafshin e plotë ndërkombëtar (Neni 4, 2023).

Megjithatë si në atë të 2013’ës si në atë të 2023’ës barazpeshën e saj Serbia – së paku, në qëndrime në raport me ndërkombëtarët – e jep Asociacionin e Komunave të banuara me shumicë serbe, tash të rishkruar në Nenin 7 si “nivel adekuat vetëmenaxhimi për komunitetin serb” në bazë të Kartës Evropian për Vetëqeverisje Lokale që ndryshet njihet edhe si karta evropiane për autonomitë vendore.

Me t’u arritur Marrëveshja e Bruksel/Ohrit dhe horizonti që rihapej me Nenin 4 Kosovës iu çel porta për vazhdim tutje për të kërkuar anëtarësim në Këshillin e Evropës, me një lehtësim domethënës pas përjashtimit të Federatës Ruse.

Euronews (shërbimi në gjuhën serbe) njoftonte asokohe me burime se ishte vetë ShBA që kishte ‘ngrirë’ te vendet kyçe anëtare shqyrtimin e aplikimit të Kosovës në KiE deri kur Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti “të merrte qëndrim konstruktiv në raport me Asociacionin” gjë që edhe ndodhi me pranimin e Marrëveshje së Bruksel/Ohrit.

Serbia e kishte kundërshtuar menjëherë aplikimin e Kosovës në KiE dhe kishte kundërshtuar – pavarësisht se zotohej se jo – te vendet që kishin bartur aplikimin në fazë më të lartë shqyrtimi.

Tash një vit më vonë gjërat edhe kanë ecur dhe s’kanë ecur.

Kosova ka gjetur veten të afirmuar në synimin e saj për anëtarësim në Këshillin e Evropës, çka edhe është rekomanduar nga Dora Bakoyanis, megjithëse me një numër kushtesh sidomos të hidhëta për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Këtu dukshëm lart – siç edhe e shkruan ajo – qëndron Asociacioni i Komunave të banuara me shumicë serbe, për çka, në tekst, kërkohet progres i prekshëm; që përkthehet në miratim të draft-Statutit të Asociacionit dhe për dërgim të rishikimit kushtetues si gjë e cila “do të qëndrojë dukshëm lart” në konsiderimin e aplikimit për anëtarësim në Këshillin e Ministrave të KiE-së, që janë edhe instanca e fundit vendimmarrëse e kësa organizate paradhomë të BE-së.

E këtu – lexueshëm – Serbia veçse ka nisur presionin. Në njërën anë duke kërcënuar me largim nga kjo organizatë në rast të anëtarësimit të Kosovës në KiE; në anën tjetër duke jehuar një “ndryshim doktrine” në vetë dialogun e fascilituar nga BE; ndërsa në anën më të theksuar duke i rënë borisë së Asociacionit te vendet vendimarrëse në Këshillin e Ministrave.

Fakti që partnerët tanë evropianë (dhe të tjerë) në disa raste në mënyrë të qartë kanë deklaruar, publikisht dhe ndryshe, se themelimi i Asociacionit të Komunave Serbe është parakusht absolut për çdo diskutim të mëtutjeshëm për këtë (për anëtarësim të Kosovës në KiE) apo ndonjë çështje tjetër të ngjashme. A na paskan gënjyer partnerët tonë evropianë (dhe të tjerët)”, shkroi Kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Ana Brnabiq.

Kjo pyetje e Brnaviq iu drejtua Raportueses për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, e cila e quajti “thjesht bllof” kërcënimin e Serbisë për largim nga KiE në rast anëtarësimi të Kosovës.

Edhe Ministri i Jashtëm i Serbisë hodhi vrer ndaj Dora Bakoyanis për rekomandimin e Kosovës për anëtarësim në KiE.

Ky është edhe mashtrimi për çka foli Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se si perëndimorët thyen premtimet e tyre se Kosova nuk do të anëtarësohet në Këshill të Evropës pa e themeluar Asociacionin e Komunave (të banuara me shumicë) Serbe”, ka thënë Ivica Daçiq, siç e cituan mediat serbe.

(Dora Bakoyanis) fliste për tri kushte...më e rëndësishmja prej të cilave ishte themelimi i Asociacionit”.

Kryeministri në ardhje i Serbisë, Millosh Vuçeviq, tha se “kemi përgjigje adekuate” ndonëse pa i specifikuar se ndaj kujt, në rast të kalimin me sukses të Kosovës në Këshillin e Ministrave.

Ndërkaq në Asamblenë Parlamentare – që është faza e parafundit – Raporti i Bakoyanis pritet të hedhet më 16 prill, njoftoi ambasadorja e Serbisë në KiE.

Ndonëse ishte paraparë që Raporti të diskutohej dhe votohej më 18 prill, Grubjesiq i tha Euronews-it (shërbimi në gjuhën serbe) se kjo është zhvendosur në agjendë për dy ditë më herët, sipas saj, ngase ekziston frika se më 18 “mund të mos arrihej kuorum”.

Është e qartë se ka një frikë që nuk do të kishte mjaftueshëm deputetë me votë pro në sallë më 18 prill për shkak se veçse po largohen nga Strasburgu. Kështu që më 16 prill do të ketë paraqitje të raportit si dhe diskutim dhe votim të tij”, ka thënë ajo.

Korumi për vendimmarrje në Asamblenë Parlamentare është një e treta e deputetëve të pranishëm. Epo, nga ajo e treta e të pranishmëve kërkohet një shumicë prej dy të tretash, e cila është lehtësisht e realizueshme. Nuk kam dyshim se mund të jetë lehtësisht e realizueshme edhe për çështjen e Kosovës, pra për çështjen e përcjelljes së mëtutjeshme të opinionit të Asamblesë Parlamentare tek ministri i Komisionit, i cili i vetëm mund të vendosë për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës”, tha Suzana Grubjeshiq.

Grubjesiq tha edhe se takimi i Këshillit të Ministrave – që është instanca e fundit vendimarrëse për pranimin ose të Kosovës në KiE – do të mbahetr më 16 dhe 17 maj dhe se agjenda preliminare veçse është publikuar.

Lajme të ngjashme