Bjellorusia do të formojë forcë vullnetarësh ushtarakë prej 100 deri në 150 mijë vetash - NACIONALE

Bjellorusia do të formojë forcë vullnetarësh ushtarakë prej 100 deri në 150 mijë vetash

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Bjellorusisë, Aleksander Lukashenko, tha të hënën se ka dhënë urdhër për formimin e një force të re vullnetarësh për mbrojtje territoriale në mënyrë që të gjithë të dinë se si t’i përdorin armët dhe të jenë të gatshëm për t’iu përgjigjur një akti agresioni e për ta mbajtur rendin publik në kohë paqeje.

“Situata nuk është e lehtë. Kam thënë më shumë se një herë: secili burrë – dhe jo vetëm burrat – duhet të dinë të paktën t’i përdorin armët, të paktën për ta mbrojtur familjen e vet, nëse ka nevojë, shtëpinë e vet, tokën e vet dhe – nëse është e nevojshme – shtetin e vet”- tha Lukashenkoja në një takim të Këshillit të Sigurisë.

Presidenti bjellorus, i cili e ka lejuar Rusinë që ta shfrytëzojë territorin e shtetit të tij për të dërguar ushtarë në Ukrainë para gati një viti, shpesh ka thënë se ushtria bjelloruse do të luftojë, vetëm nëse Bjellorusia sulmohet. Ai gjithashtu ka thënë se përvoja në Ukrainë e bën të nevojshme mbrojtjen shtesë.

“Në rast të një akti agresioni, përgjigjja do të jetë e shpejtë, e ashpër dhe e duhur”- tha Lukashenkoja të hënën, raporton agjencia “Reuters”.

Ministri i Mbrojtjes i Bjellorusisë, Viktor Khrenin, tha se forca e mbrojtjes territoriale do të ketë 100 mijë deri në 150 mijë vullnetarë ose më shumë, nëse ka nevojë. Ky formacion paraushtarakësh do të jetë – në mënyrë ideale – në secilin fshat e qytet.

Ushtria profesionale e Bjellorusisë ka rreth 48 mijë trupa dhe rreth 12 mijë roja kufitare, sipas Institutit Ndërkombëtar për Studime Strategjike.

I padëshiruar në Perëndim, presidenti bjellorus është politikani me kohën më të gjatë në pushtet në Evropë – 28 vjet. Ai dhe vendi i tij varen nga Rusia politikisht e ekonomikisht. Përkrahja e Rusisë ndaj tij e kishte ndihmuar që t’u mbijetonte protestave masive pro demokracisë më 2020.

Varësia që Bjellorusia e ka nga Rusia, ka shkaktuar frikë se presidenti rus, Vladimir Putin, mund t’i bëjë presion homologut bjellorus për t’iu bashkuar një ofensive të re dhe për të hapur një front të ri të pushtimit rus të Ukrainës.

Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuar dhe disa vende të tjera i kanë vendosur Bjellorusisë sanksione me vlerë të miliarda dollarëve për shkak të përkrahjes që ky vend ia ka dhënë luftës së Rusisë kundër Ukrainës.

Lajme të ngjashme