Komandanti ukrainas: Rusia po përgatitet të pushtojë edhe nga Bjellorusia
Një komandant ushtarak ukrainas ka thënë se Rusia mund të përpiqet të pushtojë nga veriu, potencialisht rreth përvjetorit kur Vladimir Putin urdhëroi për herë të parë trupat e tij të pushtonin Ukrainën.
Gjeneralmajor Andrii Kovalchuk ka paralajmëruar për luftime më të ashpra që mund të vijnë dhe u ka bërë thirrje aleatëve perëndimorë që të mbështesin Ukrainën me armë vdekjeprurëse, duke përfshirë municione thërrmuese.
Në një intervistë me Sky News, ai është shprehur se mund të "parashikonte" që forcat ruse mund të përpiqen të pushtojnë Ukrainën nga veriu, lindja dhe jugu, ndoshta edhe më 24 shkurt - në përvjetorin kur trupat ruse pushtuan vendin për herë të parë.
“Ne parashikojmë opsione të tilla, skenarë të tillë. Ne po përgatitemi për to. Jetojmë me mendimin se do të sulmojnë sërish. Kjo është detyra jonë,” ka thënë Kovalchuk.
Ai ka vënë fokusin veçanërisht në mundësinë e hyrjes së trupave ruse nëpërmjet Bjellorusisë në kufirin verior të Ukrainës, me qëllim që të shënjestronin kryeqytetin.
“Ukraina po konsideron një ofensivë të mundshme nga Bjellorusia në fund të shkurtit, ndoshta më vonë", ka thënë ai, duke shtuar se Kievi do të ishte më i përgatitur për të luftuar trupat e Putinit, dhe “nuk do të jetë më rasti që ata thjesht të hyjnë brenda, siç ishte më 24 shkurt".

