Rusia i del në mbrojtje Turqisë, e godet Borrell-in: I lexon shënimet që i jepen, s'ka të menduar logjik
Rusia e goditi të premten shefin e BE-së për politikë të jashtme, Josep Borrell, pas kritikave të tij për lidhjet e Turqisë me Rusinë dhe për thirrjen që Ankaraja t’u bashkohet sanksioneve kundër Moskës pas fillimit të luftës në Ukrainë.
Duke iu përgjigjur një pyetjeje të gazetarëve për komentet e kryediplomatit evropian, zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, e kritikoi Borrell-in, duke thënë se ai po e poshtëron pozitën që e ka dhe po përhap “gënjeshtra e gjëra budallaqe”, raporton agjencia “Anadolu”, përcjell gazeta “Nacionale”.
“Ai po i lexon shënimet që i janë dhënë, nuk ka të menduar logjik dhe ky i menduar ka rrënjë më të thella, si kolonializmi dhe fashizmi”- tha zëdhënësja ruse.
Duke vlerësuar se Borrell-i dhe zyrtarët e tjerë perëndimorë “i shpërfillin interesat kombëtare” të Turqisë dhe të vendeve të tjera, Zakharova tha se Ankaraja “mund të jetë anëtare e NATO-s, nëse kjo u shërben interesave të Perëndimit, por nuk mund të jetë pjesë e BE-së dhe nuk i lejohet zona Schengen”.
Më herët, presidenti turk, Rexhep Erdogan, gjithashtu e kritikoi ashpër zyrtarin e lartë evropian, duke i cilësuar “neveritëse” komentet e tij. “Nuk e marr Borrell-in si bashkëbisedues timin. Ai mund të jetë vetëm bashkëbisedues i z. Mevlut [Cavusoglu, ministër i Jashtëm i Turqisë]”.
“Me fjalë të tjera, Borrell-i nuk mund t’i caktojë ose t’i rregullojë marrëdhëniet tona me Rusinë. Ai nuk i ka as cilësinë, as kapacitetin për të marrë një vendim të tillë për këto çështje. Ishte një koment shumë neveritës”- u tha presidenti turk gazetarëve gjatë kthimit me aeroplan nga një vizitë në Turkmenistan.
Në një letër për Parlamentin Evropian, para disa ditëve, shefi i politikës së jashtme të BE-së tha se Bashkimi Evropian është i shqetësuar që Turqia po mban bashkëpunim të ngushtë me Rusinë pavarësisht nga lufta në Ukrainë dhe pavarësisht nga sanksionet e ashpra perëndimore kundër Moskës.
Ai, gjithashtu, tha se thellimi i marrëdhënieve ekonomike mes Turqisë e Rusisë, është “shkak për shqetësim të madh”.
Të enjten, shtetet e Bashkimit Evropian u pajtuan për rundin e nëntë të sanksioneve kundër Rusisë, disa ditë pasi Borrell-i tha se nuk ka “pajtueshmëri 100 për qind” mes ministrave të jashtëm të vendeve anëtare, pa dhënë hollësi për pikat e mosmarrëveshjeve mes tyre.
Në grupin e ri të sanksioneve përfshihen kufizimi i investimeve në sektorin e minierave në Rusi si dhe ndalimi i eksportimit të produkteve me përdorim të dyfishtë drejt këtij shteti.

