A do t'i bashkohet Bjellorusia Rusisë në luftën në Ukrainë? - NACIONALE

A do t'i bashkohet Bjellorusia Rusisë në luftën në Ukrainë?

3 vjet më parë

nga Miranda Shala

Në një video të publikuar nga ushtria ukrainase, Bjellorusisë i është dërguar një paralajmërim i prerë.

"Nëse ushtria bjelloruse mbështet agresionin rus, ne do të përgjigjemi me të gjithë arsenalin tonë të armëve," kështu është thënë në videon, ku shtohet se udhëheqja bjelloruse do ta fusë popullin e saj në një luftë të ndyrë.

Ky parlajmërim nga Ukraina, ka ardhur pasi Rusia është duke dërguar mijëra trupa ruse në Bjellorusi, duke shkaktuar frikë se të dy vendet mund të jenë duke planifikuar një inkursion të përbashkët përtej kufirit verior të Ukrainës.

Edhe pse, një gjë e tillë do të ishte politikisht e rrezikshme për liderin bjellorus Alexander Lukashenko, por vetëm mundësia se mund të ndodhë ka sjellë shpërqendrim dhe shqetësim për Kievin.

Operator dinak

"Unë mendoj se Putini dëshiron vërtet që bjellorusët të hyjnë në Ukrainë, në mënyrë që Lukashenko të jetë gjithashtu i gjakosur, dhe t’i duhet të shkojë deri në fund me të," kështu është shprehur për BBC-në, Valery Sakhashchyk, ish-komandant i një njësie elitare parashutistësh të Bjellorusisë, i cili tani ndodhet në një kabinet të opozitës bjelloruse në mërgim.

Mendimet se Bjellorusia mund t’i bashkohet luftës, u ndezën në fillim të këtij muaji kur Putin u takua me Lukashenkon dhe ky i fundit pretendoi se fqinjët e Bjellorusisë po planifikonin të sulmonin.

Më pas ai njoftoi se Minsku dhe Moska janë duke formuar një "grup rajonal" të përbashkët të forcave për mbrojtje.

Pas këtij njoftimi, Sakhashchyk tha se ka rrezik që të dy vendet të hapin një front verior në Ukrainë. E duke e përshkruar liderin bjellorus si dinak, ai tha se “Lukashenko do të bëjë gjithçka që është e mundur për të mos dërguar trupat e tij për të luftuar, për t'i kufizuar ato në një rol mbështetës, por sigurisht që ekziston një kërcënim."

Duke qenë se në shkurt, tanket ruse hynë në Kiev nga territori bjellorus dhe Rusia lëshon rregullisht raketa nga ky territor, Bjellorusia tashmë është përfshirë shumë në luftë.

Lidhur me këtë, BE-ja aktualisht është duke përgatitur një paketë tjetër me sanksione si përgjigje, megjithatë presidenti rus është duke e shtyrë për më shumë Lukashenkon e duke mos i lënë hapësirë për manovrim.

Lideri autoritar ka qenë i varuar nga Rusia që nga viti 2020, pasi më mbështetje të Moskës ai i mbijetoi një vale të paprecedentë protestash, e burgosjet dhe torturat masive të protestuesve atë kohë, shtuan tensionet e vendit me Perëndimin.

Lukashenko ka njoftuar se për grupin e ri, në vend do të arrijnë deri në 9,000 ushtarë rusë. Por dërgimi i bjellorusëve përkrah tyre në Ukrainë do të ishte një veprim thellësisht jopopullor.

Megjithatë, në krah të Ukrainës tashmë janë duke luftuar qindra bjellorusë. Të njohur si regjimenti Kalinovsky, ata thonë hapur se iu bashkuan luftës për të mposhtur Vladimir Putinin, në mënyrë që edhe Bjellorusia të jetë e lirë.

Pra, brenda Bjellorusisë ekziston edhe rezistencë, Pavel Kukhta, nga regjimenti Kalinovsky ka thënë se shumë persona nuk duan të luftojnë kundër Ukrainës.

"Burimet e mia në ushtrinë bjelloruse thonë se 90% nuk ​​do të luftojnë," është shprehur ai.

A është vetëm një blof?

Ka pasur shumë zëra për një mobilizim të fshehtë në Bjellorusi, megjithatë deri tani asgjë nuk është vërtetuar. Ndërkohë, forcat ruse veçse janë në lëvizje.

Inteligjenca ukrainase ka raportuar se 3200 ushtarë rusë tashmë janë dërguar në Bjellorusi dhe pritet të shkojnë edhe më shumë, ndërsa projekti Hajun thotë se më shumë se 90 tanke janë transportuar në Rusi në javët e fundit, me gjasë të nevojshme për Donbasin.

Po sikur të hynte një forcë e përbashkët?

Disa argumentojnë se dërgimi i trupave bjelloruse në Ukrainë do të ishte ushtarakisht i pakuptimtë.

"Ata nuk janë të aftë, nuk janë të pajisur dhe janë të pa motivuar. Ata nuk do të përbëjnë një kërcënim," ka shkruar në Twitter politikani i opozitës Franak Viacorka.

Megjithatë, Valery Sakhashchyk paralajmëron se nuk duhet të ketë shumë siguri.

"Nëse ata mobilizohen në nivel ushtarak, do të ishte një forcë sulmi serioze që do të ishte e pakëndshme për Ukrainën. Ata do të duhet të lëviznin forca të konsiderueshme në veri, ata do të kishin humbje të konsiderueshme," thotë Sakhashchyk.

Ndërkohë, ushtria ukrainase sugjeron se një forcë e re e përbashkët mund të përpiqet të ndërpresë rrugët e saj të furnizimit nga Perëndimi, duke u dhënë trupave ruse një shans më të mirë në fushën e betejës.

"Ata do t'i bënin gjërat më të vështira, do ta ngadalësonin arritjen e fitores - por Ukraina do të fitojë."

Videoja e prodhuar nga ushtria e Ukrainës, u ka bërë thirrje bjellorusëve që të mos vdesin për ambiciet personale të dy diktatorëve.

Lajme të ngjashme