"Fshini nga faqja e dheut qytetet ukrainase": Kadyrov thotë se është i "pakënaqur" me sulmet ruse - NACIONALE

"Fshini nga faqja e dheut qytetet ukrainase": Kadyrov thotë se është i "pakënaqur" me sulmet ruse

3 vjet më parë

nga Miranda Shala

Lideri çeçen Ramzan Kadyrov ka kritikuar sulmet “e dobëta” të Rusisë ndaj Ukrainës, duke bërë thirrje për “fshirje të qyteteve nga faqja e dheut”.

Në një shfaqje të fundit, një nga mbështetësit më të mëdhenj të Vladimir Putin, Kadyrov është shprehur se “Rusia duhet t’u përgjigjet me zjarr dhe tërbim kundërsulmeve ukrainase”.

Duke folur në Telegram, ndër të tjera komandanti çeçen urdhëroi trupat e Kremlinit që “të fshijnë nga faqja e dheut qytetet ukrainase”.

Kërcënimet e tij të tmerrshme vijnë pasi Moska vazhdon paralajmërimet e saj se Kievi është duke u përgatitur të përdorë “një bombë të postë”, gjë që ka ngjallur frikë se vetë Rusia mund të jetë duke organizuar një sulm të rremë për të fajësuar Ukrainën.

Në fjalën e tij, Kadyrov tha: “Ne kemi shpallur tashmë gjendjen ushtarake… por ata nuk janë të trembur, ata qëllojnë. Jam shumë i pakënaqur. Përgjigja jonë është e dobët. Nëse një predhë vjen në drejtimin tonë, rajonin tonë, ne duhet të fshijmë qytetet ukrainase nga faqja e dheut ... kështu që ata as nuk mund të mendojnë të qëllojnë në drejtimin tonë,” u shpreh ai.

Kujtojmë se, edhe në fillim të këtij muaji, Kadyrov bëri thirrje për përdorimin e armëve bërthamore me rendiment të ulët në mes të kundërofensive mahnitëse të Ukrainës, e cila zmbrapsi trupat e Kremlinit. E në të njëjtën kohë, Putini e promovoi 46-vjeçarin në gjeneral kolonel - grada e tretë më e lartë komanduese në ushtrinë ruse.

Në videon 13-minutëshe të shpërndarë sot të Kadyrov, ndër të tjera ai tha se “Kremlini nuk duhet t'i referohet pushtimit si një 'operacion special ushtarak," duke pranuar se është duke u zhvilluar një luftë në shkallë të gjerë.

"Më herët ne thamë se po kryenim një operacion special ushtarak në territorin e Ukrainës, por tashmë një luftë - tashmë një luftë po zhvillohet në territorin tonë," u shpreh ai.

Udhëheqësi luftarak gjithashtu beson se Perëndimit janë duke i mbaruar opsionet dhe është dobësuar për shkak të mbështetjes që po i jep Ukrainës.

“Nuk do të ketë më keq. Evropa nuk ka më force,” ka thënë Kadyrov.

Komentet e liderit çeçen vijnë pasi ministri rus i Mbrojtjes Sergei Shoigu u tha homologëve të tij britanikë, francezë, turq dhe amerikanë gjatë fundjavës se forcat ukrainase po përgatisnin një 'provokim' që përfshin një pajisje radioaktive - e ashtuquajtur bombë e pistë.

Megjithatë, ky pretendim është hedhur poshtë nga Britania, Franca dhe Shtetet e Bashkuara, duke u cilësuar si "i rremë".

Një “bombë e pistë” përbëhet nga eksplozivë që mund të shpërndajnë mbetje radioaktive. Armë të tilla nuk krijojnë pasojat e një shpërthimi bërthamor, megjithatë mund të vënë zona të mëdha nën ekspozimin e ndotjes radioaktive.

Lajme të ngjashme