Çfarë është një “bombë e pistë” dhe pse Rusia po pretendon se mund të përdoret nga Ukraina
Rusia është duke pretenduar se Ukraina ka në plan të përdorë një “bombë të pistë” – pajisje që përmban material radioaktiv si dhe eksploziv konvencional.
Çfarë ka thënë Rusia?
Ministri i Mbrojtjes ruse Sergei Shoigu duke folur me sekretarin e mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar Ben Wallace, ka thënë se është “i shqetësuar për një provokim të mundshëm nga ana e Ukrainës, e cila mund të përdorë një “bomë të pistë”.
Komente të ngjashme Shoigu i ka bërë edhe homologëve të tij në ShBA, Francë dhe Turqi.
Rusia pretendime të ngjashme ka nxjerrë edhe në Këshillin e Sigurisë së Kombeve të Bashkuara, duke thënë se “përdorimi i një bombe të pistë do të ishte akt terrorizmi bërthamor”.
Megjithatë, komentet e Shoigu-t, janë hedhur poshtë nga ministrat e jashtëm të Francës, Mbretërisë së Bashkuar dhe ShBA-së, të cilët i cilësuan “si të rreme”.
Çfarë është një bombë e pistë?
Është një bombë që përmban materiale radioaktive të tilla si uraniumi, që shpërndahet në ajër pas shpërthimit të eksplozivëve konvencional.
Kjo, nuk do të thotë që mund të përmbajë materiale radioaktive të rafinuara siç mund të ketë një bomë nukleare. Por, mund të jetë e mbushur me materiale nga spitalet, stacionet e energjisë bërthamore apo laboratorët e hulumtimeve
Kjo përmbajtje i bën bombat e tilla më të lira dhe më të shpejta sesa armët bërthamore, dhe mund të barten lehtësisht me makina.
E duke qenë se materialet radioaktive mund të shkaktojnë sëmundje serioze të tilla si kancer, një bombë e tillë mund të shkaktojë panik në popullsinë e targetuar.
Federata e Shkencëtarëve Amerikanë ka llogaritur se nëse një bombë që përmban 9 g kobalt-60 dhe 5 kg TNT do të shpërthente në majë të Manhatanit, në Nju Jork, do ta bënte të gjithë zonën e qytetit të pabanueshme për dekada.
Për këtë arsye, bombat e pista janë të njohura si armë për shkatërrim masiv.
Pse po pretendon Rusia se Ukraina ka në plan të përdorë një bombë të tillë?
Instituti i Luftës me Bazë në ShBA, ka thënë se ministri i Mbrojtjes ruse “ka për qëllim të ngadalojë ose ndalojë ndihmën ushtarake të Perëndimit për Ukrainën, apo edhe të dobësojë aleancën e NATO-s”.
Ka pasur gjithashtu spekulime se Rusia është duke planifikuar përdorimin e një bombe të tillë në Ukrainë, për të fajësuar më pas forcat ukrainase.
Megjithatë, shumë analistë ushtarakë, thonë se Rusia nuk mund të bëjë një veprim të tillë duke ditur dëmin që bomba mund t’u shkaktojë vetë trupave të saj dhe territorit që ka nën kontroll.
A është përdorur ndonjëherë më parë një bombë e pistë?
Ende nuk ka pasur asnjë sulm te suksesshëm me bombë të pistë askund në botë, megjithatë ka pasur shumë tentativa të dështuara.

