Bëri thirrje për “mbytjen e djegien” e fëmijëve ukrainas, televizioni rus suspendon prezantuesin kryesor - NACIONALE

Bëri thirrje për “mbytjen e djegien” e fëmijëve ukrainas, televizioni rus suspendon prezantuesin kryesor

3 vjet më parë

nga Miranda Shala

Transmetuesi shtetëror rus RT ka suspenduar dhe dënuar një nga prezantuesit kryesorë të tij, Anton Krasovsky, pasi ai bëri thirrje për djegien dhe mbytjen e fëmijëve ukrainas.

Komentet e tij të dhëna gjatë një emisioni të drejtpërdrejtë televiziv, kanë shkaktuar bujë të madhe në rrjetet sociale.

Krasovsky duke folur me shkrimtarin e trillimeve shkencore Sergei Lukyanenko, i cili tha se në Ukrainën perëndimore në vitin 1980 kishte dëgjuar fëmijë duke thënë "Ukraina është e pushtuar nga moskovitët", iu përgjigj komentit të tij duke buzqeshur e duke thënë:"Vetëm mbytini ata fëmijë, mbytini. Përndryshe, mund të futen në kasolle dhe të digjen”.

Prezantuesi rus gjithashtu bëri shaka për ushtarët rusë që përdhunonin gjyshet ukrainase.

Edhe pse më pas, ai ka kërkuar falje duke thënë "epo, kjo ndodh: ju jeni në transmetim, ju thjesht flisni dhe nuk mund të ndaleni" e duke shtuar se ishte “me të vërtetë i turpëruar", kryeredaktorja e RT-së, Margarita Simonyan, ka dënuar komentet e tij duke i cilësuar "të egra dhe të neveritshme".

Ndërkohë, Ukraina e ka akuzuar kanalin për nxitje të gjenocidit, pasi televizioni shtetëror rus u ka dhënë shumë kohë për transmetim ekspertëve dhe prezantuesve që mbështesin fuqishëm luftën kundër Ukrainës dhe bëjnë thirrje për më shumë agresion ushtarak.

Nga televizioni, hedhin poshtë në mënyrë rutinore provat e mizorive ruse, duke pretenduar se ato janë "fabrikime" ukrainase e duke i bërë jehonë pozicionit të Kremlinit.

BBC shkruan se, Komiteti Hetimor i Rusisë, i cili merret me krime të rënda, është duke hetuar komentet e Krasovsky, megjithëse nuk është ende e qartë se çfarë ligji rus - nëse ka - mund të ketë shkelur.

Krasovsky është bërë i njohur ndërkombëtarisht në një kohë që mbrojti të drejtat LGBT dhe kritikoi ligjin rus që ndalon fushatat e informacionit të homoseksualëve që synojnë të miturit.

Ndërsa, për dy vitet e fundit Krasovsky ka qenë drejtor i transmetimeve në gjuhën ruse në RT. Ai po ashtu është një ndër të sanksionuarit e BE-së për shkak të mbështetjes së tij të fortë për pushtimin e Ukrainës nga presidenti Vladimir Putin.

Për qëndrimin e RT-së, ka shprehur përbuzje edhe një aktivist i shquar rus me bazë në Londër, Mikhail Khodorkovsky, i cili shkroi në Twitter se: "Margarita Simonyan nuk dëshiron të bashkëpunojë më me Anton Krasovsky, i cili bën thirrje që fëmijët ukrainas të vriten. Por dëshiron të bashkëpunojë me Putinin, që vret fëmijët ukrainas".

BBC shkruan se kur bëhet fjalë për Ukrainën, gjuha e urrejtjes është bërë një normë në televizionin shtetëror rus, ndërsa Krasovsky është vetëm maja e ajsbergut.

Lajme të ngjashme