Pritet luftë e ashpër në Kherson, Ukraina: Forcat ruse po përgatiten për mbrojtje - NACIONALE

Pritet luftë e ashpër në Kherson, Ukraina: Forcat ruse po përgatiten për mbrojtje

3 vjet më parë

nga Miranda Shala

Shefi i spiunazhit të Ukrainës ka njoftuar se Rusia është duke dërguar më shumë trupa në qytetin kyç të Khersonit dhe po përgatitet për mbrojtje.

Rusia mori qytetin e Kherson në ditët e para të luftës, por kohët e fundit është vënë nën presion pasi trupat ukrainase janë duke përparuar përgjatë lumit Dnipro.

Kujtojmë se pak kohë më parë, autoritetet ruse kanë urdhëruar evakuimin e mijëra civilëve.

E tani, shefi i spiunazhit të Ukrainës, ka thënë se ushtria ruse po dërgon më shumë trupa dhe po përgatit rrugët për mbrojtje, duke shtuar se largimi i qytetarëve është një pretendim për të shpëtuar fytyrën në rast se qyteti bie në duart e Ukrainës.

“Forcat pushtuese nuk po largohen nga qyteti, siç mund të jetë pretenduar më parë” ka thënë ai.

Sipas BBC-së, sugjerimet se trupat ruse janë duke u përgatitur, rrit mundësinë për një luftë të ashpër në javët në vazhdim.

Duke qenë se Kherson është një prej katër rajoneve që presidenti Putin ka aneksuar pas referendumeve të dënuara gjerësisht nga Perëndimi, humbja e qytetit do të ishte një rënie e madhe për Rusinë.

Kherson është gjithashtu i vetmi kryeqytet rajonal që është pushtuar që nga shkurti, duke qenë e vetmja pikëmbështetje në bregun perëndimor të lumit Dnipro që kalon përmes Ukrainës. Kherson po ashtu është një portë për në Krimenë e aneksuar nga Rusia në vitin 2014.

Lajme të ngjashme