Çfarë do të nënkuptonte për Rusinë tërheqja nga Khersoni?
Forcat ukrainase, që po zhvillojnë një ofensivë në jug të vendit, janë përqendruar në Kherson, kryeqytet rajonal që është nën kontrollin e ushtrisë ruse që nga ditët e para të luftës.
Rënie a mundshme e këtij qyteti do të ishte një goditje tjetër ndaj Moskës pas një vargu të humbjeve në fushëbetejë dhe hapa të tjerë prapa, duke e shqetësuar edhe më shumë presidentin rus, Vladimir Putin, dhe duke e ndërtuar skenën për një eskalim të mundshëm të luftës tetëmuajshe, shkruan "Associated Press".
Pse Khersoni shihet si trofe?
Khersoni, që para luftës kishte rreth 280.000 banorë, është i vetmi kryeqytet rajonal ukrainas që është kapur nga forcat ruse. Qyteti dhe zonat përreth tij ranë në duart e Moskës në ditët e para të konfliktit, pasi trupat ruse e zhvilluan shpejt sulmin e tyre në veri të Krimesë – rajon që Kremlini e ka aneksuar ilegalisht më 2014.
Humbja e këtij qyteti ishte goditje e rëndë për Ukrainën për shkak të vendndodhjes së tij në Lumin Dnieper, afër “gojës” së Detit të Zi, dhe rolit të tij si qendër e rëndësishme industriale. Luftëtarët e rezistencës ukrainase i kanë sfiduar ushtarët rusë për kontrollin e qytetit me akte sabotimi e vrasje të zyrtarëve të emëruar nga Moska.
Khersoni gjithashtu shtrihet në një pikë ku Ukraina mund ta ndërpresë furnizimin e Krimesë me ujë të freskët nga Lumi Dnieper. Kievi i ka bllokuar këto furnizime jetike pas aneksimit të Gadishullit të Krimesë dhe Putini e ka përmendur nevojën për t’i kthyer ato si një arsye për vendimin e tij për pushtim.

Gjatë verës, trupat ukrainase kryen sulme të pamëshirshme për të marrë nën kontroll pjesë të provincës me të njëjtin emër, që është njëra nga katër rajonet e aneksuara ilegalisht nga Rusia pas referendumeve të cilësuara si mashtrim, që u mbajtën muajin e kaluar. Ukraina ka përdorur sisteme raketore amerikane, HIMARS, për të goditur një urë kyçe mbi Lumin Dnieper në Kherson dhe një digë të madhe, që gjithashtu përdorej si pikëkalim. Këto sulme e kanë detyruar Rusinë që të mbështetet në përdorimin e trageteve, që gjithashtu janë në shënjestrën e forcave ukrainase.
Kjo i pengon lidhjet e furnizimit për në Kherson dhe grupin e forcave ruse në bregun perëndimor të Lumit Dnieper dhe i vë ato në rrezik nga rrethimi. Mungesa e furnizimit u përkeqësua pas shpërthimit në urën e Kerch-it, që e lidh Rusinë me Krimenë dhe që ka shërbyer si vijë e rëndësishme e furnizimit për forcat ruse në jug të Ukrainës.
Çfarë do të nënkuptonte për Rusinë humbja e Khersonit?
Tërheqja nga Khersoni dhe zonat në anën perëndimore të bregut të Lumit Dnieper do ta thyenin shpresën e Rusisë për ta vazhduar sulmin në perëndim, drejt Mykolaivit dhe Odesës për t’ia hequr Ukrainës daljen në Detin e Zi. Një veprim i tillë do të ishte goditje e rëndë për ekonominë e Ukrainës dhe do t’ia mundësonte Moskës ndërtimin e një korridori tokësor për në rajonin separatist të Moldavisë, Transnistri, ku Rusia ka një bazë të rëndësishme ushtarake.
“Humbja e Khersonit do t’i shndërrojë në pluhur të gjitha ato ëndrra jugore të Kremlinit”, tha analisti ushtarak ukrainas, Oleh Zhdanov. “Khersoni është çelës për tërë rajonin jugor, që do t’ia lejonte Ukrainës vënien në shënjestër të rrugëve kyçe të furnizimit për forcat ruse. Rusët do të mundohen që ta rimarrin kontrollin e tij duke i përdorur të gjitha mjetet”, shtoi ai.

Për Ukrainën, marrja e Khersonit do ta përgatiste skenën edhe për marrjen e pjesës së Zaporizhia-s që kontrollohet nga rusët dhe zonave të tjera në jug, me mundësi për ta synuar më pas edhe Krimenë.
“Ukraina vetëm duhet të presë derisa Khersoni të bjerë në duart e saj si mollë e pjekur, sepse situata me furnizimet për grupin e forcave ruse po vazhdon të përkeqësohet gradualisht”, shtoi analisti Zhdanov.
Volodymyr Fesenko, drejtor i organizatës së pavarur “Penta Center”, theksoi se marrja e tërë rajonit të Khersonit dhe e zonave të tjera jugore do të ishte trofe për Rusinë dhe humbja e tyre do të kishte pasoja të dhimbshme për Putinin në Rusi dhe jashtë saj.
“Putini do të ballafaqohet me humbje të reputacionit jo vetëm brenda vendit, por gjithashtu në sytë e Kinës dhe kjo mund të jetë veçanërisht e rrezikshme për Kremlinin”, tha Fesenko./Nacionale
