BE-ja do t’i japë Ukrainës 18 miliardë euro vitin tjetër për ta mbajtur shtetin
Bashkimi Evropian do t’i dhurojë Ukrainës nga 1.5 miliard euro në muaj vitin e ardhshëm për ta mbajtur funksionimin e shtetit gjatë luftës kundër Rusisë, tha të premten presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Zyrtarja e lartë e BE-së foli pas diskutimeve të udhëheqësve të 27 vendeve të bllokut për përkrahjen e Ukrainës gjatë ditës së dytë të samitit të tyre në Bruksel të premten, në ditën e 24-të të luftës së Rusisë ndaj fqinjës së saj.
Ajo tha se Bashkimi Evropian deri më tani i ka dhënë Ukrainës 19 miliardë euro këtë vit, por në samit u diskutua për ndihmën që do t’i jepet këtij vendi vitin e ardhshëm, raporton agjencia “Reuters”.
“Është shumë e rëndësishme për Ukrainën që të ketë rrjedhje të parashikueshme dhe të qëndrueshme të të ardhurave”, tha Von der Leyen, duke shtuar se Kievi vlerëson që ka nevojë për 3 – 4 miliardë euro në muaj për shërbimet elementare.
Presidentja e KE-së tha se BE-ja do të ndajë nga 1.5 miliard euro në muaj për Kievin, ndërsa pjesa tjetër e mjeteve pritet të vijë nga Shtetet e Bashkuara dhe institucionet ndërkombëtare.
“Kjo do të japë gjithsej 18 miliardë euro për vitin e ardhshëm – një sasi në të cilën Ukraina mund të llogaritë dhe ku ka rrjedhje të qëndrueshme, të besueshme dhe të parashikueshme të të ardhurave”, tha Von der Leyen.
“Terrorizëm i pastër”
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, iu drejtuar udhëheqësve të BE-së përmes video-lidhjes të enjten, duke thënë se raketat ruse dhe dronët iranianë kanë dëmtuar një të tretën e infrastrukturës së energjisë në Ukrainës.
“Rusia gjithashtu provokon një valë të re emigrimi të ukrainasve për në vendet e BE-së”, tha Zelensky.
“Terrori rus kundër objekteve tona energjetike e ka për qëllim krijimin e sa më shumë problemeve që është e mundshme me energjinë dhe ngrohjen për Ukrainën në vjeshtë dhe në dimër në mënyrë që sa më shumë ukrainas që është e mundshme të vendosen në vendet tuaja”, shtoi ai.
Presidenti ukrainas i kërkoi BE-së sisteme të mbrojtjes ajrore si dhe sanksione të reja e të fuqishme ndaj Rusisë dhe ndaj Iranit për shkak të dërgimit të dronëve në Rusi për t’u përdorur në luftën e Ukrainës.
Bashkimi Evropian tashmë i ka vendosur Iranit disa sanksione të kufizuara për këtë çështje, por vendet e BE-së janë të ndara sa i përket vendosjes së sanksioneve të reja ndaj Rusisë tash për tash.
Polonia dhe tri shtetet baltike propozuan që të ndalohet importimi i diamanteve ruse dhe ndërprerja e tregtisë së çelikut për një periudhë më të shpejtë, por Belgjika dhe Italia janë në mesin e vendeve që i kundërshtuan këto masa.
Hungaria është kundër vendosjes së sanksioneve ndaj Rusisë në përgjithësi, ndërsa Gjermania e Franca kanë thënë se masat e tanishme tashmë shkojnë mjaft larg.
Zelensky i bëri thirrje Perëndimit që ta paralajmërojë Rusinë për të mos hedhur në erë një digë të madhe, veprim që do të mund të shkaktonte vërshime në zona të mëdha në jug të Ukrainës.
Ai gjithashtu bëri thirrje për më shumë zotime për ndihma në një konferencë ndërkombëtare, e cila do të mbahet të martën në Berlin për të grumbulluar mjete për rindërtimin e Ukrainës.
Kryeministrja e Estonisë, Kaja Kallas, për krimet e Rusisë në Ukrainë tha: "Ky është terrorizëm i pastër"./Nacionale

