Ngjarje të rëndësishme: Zhvillimet e fundit nga lufta Rusi-Ukrainë - NACIONALE

Ngjarje të rëndësishme: Zhvillimet e fundit nga lufta Rusi-Ukrainë

3 vjet më parë

nga Miranda Shala

Përderisa lufta Ukrainë-Rusi është duke vazhduar, edhe dita e sotme është shënuar me ngjarje të rëndësishme.

Në vazhdim, Nacionale sjell një përmbledhje të zhvillimeve më të fundit nga konflikti.

  • Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka akuzuar Rusinë se ka vonuar kalimin e më shumë se 150 anijeve të planifikuara për të transportuar eksportet e grurit përmes Detit të Zi. Zelensky tha se veprimet e Rusisë nënkuptojnë se Ukraina ka dorëzuar tre milionë tonë drithë më pak se sa ishte planifikuar.
  • Britania e Madhe, Franca dhe Gjermania kanë bërë thirrje për një hetim të OKB-së mbi akuzat se Rusia po përdor dronët iranianë në Ukrainë.
  • Sipas autoritetit të Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut, që nga fillimi i luftës në Ukrainë janë vrarë më shumë e 6,000 civilë dhe numri mund të jetë edhe më i lartë se sa mund të llogaritet tani.
  • Pentagoni ka publikuar një deklaratë për bisedën e sekretarit amerikan të Mbrojtjes me ministrin ukrainas të Mbrojtjes, Oleksii Reznikov. Bëhet e ditur se, sekretari amerikan i mbrojtjes Lloyd J Austin, është zotuar për "angazhimin e palëkundur të ShBA-së" në mbështetje të Ukrainës.
  • Pentagoni ka konfirmuar gjithashtu një telefonatë mes sekretarit amerikan të mbrojtjes dhe ministrit rus të mbrojtjes. Duke mos dhënë detaje nga biseda, u tha vetëm se Austin "theksoi rëndësinë e mbajtjes së linjave të komunikimit" me Sergey Shoygu.
  • Ukraina tha se Rusia ka goditur të paktën gjysmën e kapacitetit të gjenerimit termik të Ukrainës që nga 10 tetori. Ministri i Energjisë Herman Halushchenko njoftoi se rreth 30-40% e infrastrukturës së përgjithshme kombëtare të energjisë ishte goditur nga sulmet.
  • Për bisedën mes Austin dhe Shoigu ka njoftuar edhe ministria ruse e Mbrojtjes. Në një deklaratë të dhënë, ministria tha se, “ishin diskutuar çështjet aktuale të sigurisë kombëtare, përfshirë situata në Ukrainë”.
  • Ursula von der Leyen tha se Ukraina do të ketë mbështetjen e Evropës "për aq kohë sa të duhet". Presidentja e Komisionit të BE-së i bëri komentet në Këshillin Evropian në Bruksel.
  • Një zyrtar i emëruar nga Rusia në Khersonin e pushtuar ka mohuar akuzat e Kievit se Rusia ka filluar të minojë një digë hidroelektrike në rajon. Duke cituar agjencinë shtetërore të lajmeve RIA, Reuters raportoi se Kirill Stremousov mohoi sugjerimet e presidentit ukrainas se Rusia po planifikon të hedhë në erë HEC-in e Kakhovska.
  • Zyra e Volodymyr Zelensky është zotuar se "nuk do t'i nënshtrohet paqes me detyrim" - duke kërcënuar se do të kundërpërgjigjet më fort nëse Rusia shkatërron një digë hidroelektrike në Kherson.
  • Rusia pretendoi se ka shkatërruar një depo me pajisje ushtarake ukrainase të prodhimit të huaj në rajonin Kherson.

Lajme të ngjashme