Dalin imazhet, grupi mercenar rus ka ndërtuar fortifikim antitank në Ukrainë - NACIONALE

Dalin imazhet, grupi mercenar rus ka ndërtuar fortifikim antitank në Ukrainë

3 vjet më parë

nga Miranda Shala

Imazhet e reja satelitore nga Maxar Technologies tregojnë një fortifikim pothuajse 2 kilometra të gjatë, të ndërtuar jashtë qytetit të pushtuar nga Rusia të Hirske, në Ukrainën lindore.

Nga imazhet, duket se fortifikimi përbëhet nga katër rreshta piramidash çimentoje që rusët shpresojnë se do të ndalojnë çdo automjet dhe tank ukrainas të lëvizë drejt lindjes. Ndërsa, shihet se pas fortifikimeve antitank ndodhet një llogore e madhe.

Imazhet shtesë satelitore nga Agjencia Evropiane e Hapësirës tregojnë se gërmimi i kanalit është kryer në dy pjesë: seksioni i parë i kanalit ishte hapur duke filluar më 25 shtator, ndërsa seksioni i dytë, diku midis 30 shtatorit dhe 5 tetorit.

Për fortifikimin kanë raportuar edhe dy media ruse, të cilin e quajtën "Linja Wagner" duke iu referuar grupit mercenar rus Wagner.

Zvedza TV, një media për ushtrinë ruse, tha se fortifikimi ishte një "vijë e dytë e mbrojtjes" nëse ukrainasit përpiqeshin të depërtonin në zonë.

E edhe pse fortifikimi mund të ndihmojë në mbrojtjen kundër një sulmi frontal, nuk ka asgjë që i ndalon forcat ukrainase që thjesht të udhëtojnë rreth fortifikimeve, të cilat shtrihen vetëm 1.6 kilometra.

Ndërkohë, RIA/FAN, një tabloid rus, të mërkurën ka publikuar një hartë duke pretenduar se grupi Wagner do të vazhdojë të ndërtojë "vijën" e tyre derisa të shtrihet në lindje nga kufiri ruso-ukrainas deri në Kreminna, dhe më pas në jug deri në Svitlodarsk.

Ndërsa, një analizë e kësaj harte nga CNN tregoi se një fortifikim kaq i gjatë do të shtrihej afërsisht 217 kilometra.

Imazhet shtesë satelitore të rishikuara nga CNN nuk treguan për ndonjë ndërtim tjetër përgjatë shtegut të supozuar të "Linjës Wagner".

Kjo nuk është hera e parë që Grupi Wagner ka përdorur llogore për të forcuar pozicionet e tyre. Në vitin 2021, grupi mercenar ndërtoi më shumë se 70 kilometra llogore përgjatë shkretëtirës libiane për të ndaluar sulmet tokësore mbi pozicionet e tyre atje.

Lajme të ngjashme