Pas Ukrainës, Biden kërkon nga Musk internet satelitor edhe për Iranin - NACIONALE

Pas Ukrainës, Biden kërkon nga Musk internet satelitor edhe për Iranin

3 vjet më parë

nga Miranda Shala

Disa zyrtarë të lartë nga administrata e Biden, kanë thënë për CNN, se Shtëpia e Bardhë është angazhuar në bisedime me Elon Musk për mundësinë e krijimit të shërbimit të internetit të SpaceX - Starlink brenda Iranit.

Këto bisedime të paraportuara më parë, vijnë në një kohë kur administrata Biden është duke kërkuar mënyra për të mbështetur lëvizjen protestuese iraniane, që shpërtheu më se një muaj më parë.

CNN shkruan se, Shtëpia e Bardhë e sheh teknologjinë e Starlink, kompakte dhe të lehtë për t'u përdorur si një zgjidhje e mundshme për përpjekjet agresive të regjimit iranian për të kufizuar aksesin dhe komunikimin në internet të aktivistëve.

"Ne kemi vënë këmbën në gaz për të bërë gjithçka që mundemi për të mbështetur aspiratat e popullit iranian," është shprehur një zyrtar i lartë i administratës për CNN, duke shtuar se, “kjo është politika jonë, pikë.”

Edhe pse ka shumë pyetje rreth besueshmërisë së Musk në marrëdhëniet e tij me qeverinë amerikane, nëse miratohet një plan i tillë do të ishte ngjarja e dytë e madhe këtë vit – së bashku me Ukrainën – ku qeveria amerikane i është drejtuar Starlink për të ndihmuar me shërbimet thelbësore të telekomunikacionit.

Zgjidhje apo rrezik për aktivistët iranianë?

Nevojat e protestuesve iranianë dhe ushtarëve ukrainas, dhe mënyra se si ata do të përdorin Starlink, janë të ndryshme. Paralajmërimet janë se, ndërsa Starlink në Ukrainë ka qenë kritik për suksesin në fushën e betejës, futja e Starlink në Iran do të ishte një sfidë shumë më e madhe.

Me lëvizjen e fundit, presidenti amerikan Joe Biden tregohet haptazi më përkrahës i protestuesve iranianë sesa ishte ish-presidenti Barack Obama, i cili qëndroi jashtë një proteste iraniane që shpërtheu në 2009.

Në një deklaratë të dhënë më 3 tetor, duke thënë se po përpiqet të ndihmojë iranianët të kenë akses në internet, Biden shtoi se “administrata e tij qëndron me gratë iraniane dhe të gjithë qytetarët e Iranit që po frymëzojnë botën me trimërinë e tyre".

Nuk është e bërë e ditur nëse administrata Biden, ka ofruar të paguajë për terminalet Starlink që kërkon të vendosen në Iran.

Lajme të ngjashme