Rreth 250 të vrarë e gati 12,500 të arrestuar në protestat e Iranit
Sipas një grupi të njohur të të drejtave të njeriut, që nga fillimi i protestave në rrugët e Iranit janë vrarë rreth 250 persona e janë arrestuar pothuajse 12,500 të tjerë.
The Guardian, raporton se ky njoftim ka ardhur ndërsa komandanti i Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike, gjeneralmajor Hossein Salami, është shprehur se forcat e sigurisë ishin afër përfundimit të protestave.
“Rebelimi po kalon momentet e fundit”, është shprehur ai.
Megjithatë, protestuesit kanë këmbëngulur se protestat janë duke vazhduar.
Për mënyrën e shtypjes së protestave ka reaguar edhe Unioni i Shkrimtarëve të Iranit, që lëshoi një deklaratë ku thuhej se: “Represioni i njerëzve që protestuan me duar bosh ka qenë një dukuri e përditshme në 40 vitet e fundit. Por ajo që ndodhi me fëmijët dhe të burgosurit javën e kaluar është një nga faqet më të zeza në rekordin e qeverisë aktuale”.
Më tej, sindikata ka shtuar se “sulmi i forcave të sigurisë në shkolla dhe burgje dhe rrahja dhe vrasja e fëmijëve dhe të burgosurve është një tragjedi përtej vrasjes së protestuesve në rrugë. Në këtë fazë të represionit, qeveria, si gjithmonë, mohon realitetin, përhap thashetheme dhe deformon opinionin publik për të penguar përpjekjet e organizatave dhe grupeve popullore për të shprehur të vërtetën”.
Ndërkohë, Qendra për të Drejtat e Njeriut në Iran ka njoftuar se 3,000 njerëz ishin arrestuar vetëm në provincën e Teheranit, 835 prej të cilëve vazhdojnë të jenë në burg, duke përfshirë 200 studentë të universitetit. Ndërsa, sipas qendrës, rreth 1,300 të tjerë janë dërguar në burgun qendror të Teheranit nga burgu Evin pas një zjarri që ra brenda objektit.
Shifra prej 12,450 arrestimesh është dhënë nga HRANA, një uebsajt iranian i lajmeve për të drejtat e njeriut.
Grupet iraniane të të drejtave të njeriut po ashtu thonë se në shënjestër janë veçanërisht gazetarët që raportojnë për individë të arrestuar.
Sipas Federatës Ndërkombëtare të Gazetarëve, që nga fillimi I protestave janë arrestuar 24 gazetarë, ku 11 nga ta janë mbajtur në burgun Evin. Ndërsa, Reporterët pa Kufij, thonë se janë më shumë se 30 gazetarë të burgosur, me shumë botime që u janë fshehur apo censuruar.
Kujtojmë se, protestat në Iran u nxitën nga vdekja e Mahsa Amini, gruaja kurde 22-vjeçare, e cila vdiq ndërsa ishte në paraburgim nga policia e moralit.

