Lufta në Ukrainë: shtatë civilë vriten në luftimet për qytetin Bakhmut - NACIONALE

Lufta në Ukrainë: shtatë civilë vriten në luftimet për qytetin Bakhmut

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Shtatë civilë janë vrarë gjatë luftimeve të ashpra për kontrollin e qytetit ukrainas, Bakhmut, që ndodhet në rajonin Donetsk, thanë të martën zyrtarët lokalë, një ditë pasi forcat ukrainase pretenduan se kanë marrë nën kontroll rreth 90 qyteza e fshatra në provincën e aneksuar ilegalisht nga Rusia, Kherson.

Përpos shtatë të vrarëve, trupat e tre civilëve të vrarë u gjetën në dy vende të këtij rajoni, që ka qenë në qendër të luftimeve të ashpra me ushtrinë ruse, tha guvernatori Pavlo Kyrylenko.

Rusia ka dhënë urdhër që civilët në provincën Kherson të evakuohen nga territori i kontrolluar prej saj në perëndim të Lumit Dnipro, ku forcat ukrainase kanë shënuar përparim këtë muaj, raporton “France24”.

Zyrtarët e përkrahur nga Moska në atë pjesë të Ukrainës i kanë ndërprerë internetin dhe valët telefonike. Inteligjenca ushtarake ukrainase ka pretenduar se pajisjet e përdorura nga kompanitë e internetit janë vjedhur.

Ndërkohë presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, ka arritur në Ukrainë në një vizitë të papritur, që ishte e para në Ukrainë që nga fillimi i luftës.

“Mesazhi im për ukrainasit është që ne jo vetëm që po qëndrojmë në anën e tyre. Ne do të vazhdojmë që ta përkrahim Ukrainën, ekonomikisht, politikisht dhe gjithashtu ushtarakisht”, tha presidenti gjerman pas arritjes në Ukrainë.

Banka Botërore tha të hënën se ka ndarë 500 milionë dollarë shtesë për ta ndihmuar Ukrainën që t’i plotësojë nevojat urgjente, të krijuara nga pushtimi rus dhe lufta e vazhdueshme.

Në ShBA, ligjvënësit majtistë amerikanë i kanë bërë thirrje presidentit Joe Biden që të kërkojë zgjidhje të negociuar me Rusinë për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, përfshirë shqyrtimin e marrëveshjeve të sigurisë që do të ishin të pranueshme nga të dyja palët.

Lajme të ngjashme