“Bisla” e Donika: Dy vartësit e Kurtit me kritika ndaj Lajçakut – Gërvalla ia përmend largimin - NACIONALE

“Bisla” e Donika: Dy vartësit e Kurtit me kritika ndaj Lajçakut – Gërvalla ia përmend largimin

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Besnik Bislimi dhe Donika Gërvalla kanë dy të përbashkëta. E para gjë që i përbashkon është se të dytë janë zëvendëskryeministra në Qeverinë e Kosovës. Pra janë vartës të Albin Kurtit. Bislimi është i pari vartës, Gërvalla e dyta në hierarkinë e Qeverisë Kurti. I dyti përbashkim, Bislimi e Gërvalla janë kritikë ndaj Bashkimit Evropian. Në këtë pikë, gara është e ashpër për vendin e parë.

Madje, hiç më larg se dje, Bislimi i kritikoi ndërkombëtarët, pra BE-në e Amerikën, në lidhje me kërkesën për ndalimin e dinarit serb. Sidoqoftë, Bislimi e Gërvalla përbashkohen në kritikën ndaj Miroslav Lajçakut, përfaqësues i BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Në konferencën e djeshme, Bislimi e akuzoi Lajçakun për mosmbajtje të fjalës.

“Ju keni konstatime në media që Lajçaku që thotë që “kurrë BE-ja nuk do ta shkruaj draftin por është detyrë e Kosovës kur të vijë momenti’, pyetjen duhet t’i drejtoni Lajçakut, pse ai nuk i ka qëndruar besnik këtij konstatimi që e ka nxjerrë në media” – theksoi Bislimi në konferencë për media.

E muaj më parë, Bislimi vlerësonte se plani i sekuencimit i dërguar nga Lajçaku i kushton më shumë vëmendje kërkesave të Serbisë.

“Ne sot kemi diskutu katër tema. Tema e parë për të cilën kemi diskutu është plani i sekuencimit. Ne kemi brenga me draftet e deri tanishme, meqë përfaqësuesit i lartë i BE-së për dialog, zoti Lajçak ka dërguar palëve tona. Për arsye se mendojmë se ai plan fillimisht është selektiv, lë anash disa provizione të rëndësishme të marrëveshjes bazike, në mënyrë të njëanshme i kushton më shumë vëmendje kërkesave dhe preferencave të Serbisë dhe po ashtu nuk garanton zbatimin e plotë të marrëveshjes.” – deklaroi ai në një deklarim para medieve.

Ndërsa në një intervistë të fundit në RTK, Gërvalla ishte edhe më e drejtpërdrejtë ndaj Lajçakut. E para e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës vlerësoi se Lajçaku ka hyrë në dialog pa ndonjë strategji e vizion. Për më shumë, ajo theksoi se ai duhet të largohet kur t’i skadon mandati.

“Ai ka hyrë pa strategji dhe pa vizion në këtë proces të dialogut dhe si duket, i tillë do të largohet nga ky dialog kur t’i skadon mandati - deklaroi mbrëmë Gërvalla për RTK.

Në këtë kontekst, e para e MPJD-së e përmendi edhe sulmin e armatosur në Banjskë të Zveçanit, e cila ngjarje, sipas Gërvallës, është dëshmi për dështimin e Lajçakut.

“Banjska është dëshmia më e mirë që Lajçaku e ka dështuar gjithë procesin e dialogut”, theksoi Gërvalla ditë më parë.

Megjithatë, Gërvalla tentoi të shquante kritikën ndaj Lajçakut nga kritika ndaj BE-së.

“Unë nuk jam kritike ndaj Bashkimit Evropian sepse unë institucionin që e drejtoj dhe në qeverinë në të cilën jam pjesë, ne punojmë çdo ditë që ta afrojmë Kosovën me Bashkimin Evropian. Unë jam kritike ndaj mbështetjes joreale të burokratatëve brenda Bashkimit Evropian, të atyre të cilët nganjëherë me një lehtësi shumë të madhe injorojnë realitetin në rajonin dhe në vendin tonë.” – deklaroi ajo ditë më parë në Tëvë 1.

Kryediplomatja Gërvalla ishte e ashpër edhe ndaj Asociacionit.

“Është një draft i cili ka dallime shumë të mëdha me ato që kemi pasur në tavolinën në të kaluarën. Unë nuk e fsheh asnjëherë mendimin tim që ai draft nuk është shumë i mirë, që ka nevojë për përmirësime në pika shumë të rëndësishme të tij.” – deklaroi ajo, transmeton Nacionale.

Në anën tjetër, Bislimi ka disa mendime për Asociacionin. Para dy viteve, ai paralajmëronte dorëheqjennë rast se bisedohet për Asociacionit, ndërsa tash Bislimi nuk “garanton” që draft-statuti i propozuar nga BE-ja nuk e shkel Kushtetutën e Kosovës.

“Gjykata Kushtetuese e vendos nëse draft-statuti i asociacionit parasheh kompetenca ekzekutive për komunat me shumicë serbe. Qeveria nuk ka garantuar që nuk ka shkelje kushtetuese…Ne kemi thënë se ky është draft që na është sjellë nga ndërkombëtarët dhe nuk është përpiluar nga ne, ndërkombëtarët kanë thënë se nuk ka kompetenca ekzekutive dhe ne nuk jemi Gjykatë Kushtetuese, rrjedhimisht ata e kanë për detyrë me tregua ka apo nuk ka.” – deklaroi javë më parë Bislimi për RTV 21.

Nuk dihet kush do të fitojë garën për kritikat më të ashpra ndaj Lajçakut, ashtu siç nuk dihet nëse dy zëvendëskryeministrat e Qeverisë së Kosovës do të vazhdojnë të kritikojnë edhe më tutje Lajçakun.

Lajme të ngjashme