Kritikë, kritikë, kritikë: Gërvalla nuk e ndal kundërshtimin ndaj Lajçakut e BE-së e Asociacionit - NACIONALE

Kritikë, kritikë, kritikë: Gërvalla nuk e ndal kundërshtimin ndaj Lajçakut e BE-së e Asociacionit

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Donika Gërvalla, ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, vazhdon të jetë kritike ndaj qasjes në dialog të Miroslav Lajçakut, të dërguarit të BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Madje, krejt këtë process, mbrëmë kryediplomatja kosovare e ka quajtur mbrëmë të dështuar.

Përveç kritikës ndaj Lajçakut, Gërvalla e kundërshtoi edhe draftin e statutit të Asociacionit te komunave me shumicë serbe, që po ashtu u propozua nga BE-ja, në një përpjekje për të ecur përpara me themelimin e Asociacionit.

Kritikat...

Në intervistën e fundit, që e dha mbrëmë në RTK, Gërvalla vlerësoi se Lajçaku ka hyrë në dialog pa ndonjë strategji e vizion. Për më shumë, ajo theksoi se ai duhet të largohet kur t’i skadon mandati.

“Ai ka hyrë pa strategji dhe pa vizion në këtë proces të dialogut dhe si duket, i tillë do të largohet nga ky dialog kur t’i skadon mandati” - deklaroi mbrëmë Gërvalla për RTK.

Në këtë kontekst, e para e MPJD-së e përmendi edhe sulmin e armatosur në Banjskë të Zveçanit, e cila ngjarje, sipas Gërvallës, është dëshmi për dështimin e Lajçakut.

“Banjska është dëshmia më e mirë që Lajçaku e ka dështuar gjithë procesin e dialogut”, ka theksuar Gërvalla.

Në intervistën e saj, Gërvalla kishte ankesa edhe ndaj draftit të Asociacionit, që u propozua nga BE-ja. Ajo ka vlerësuar se ky propozim “nuk është shumë i mirë”, duke shtuar se ka nevojë për përmirësime në pika shumë të rëndësishme.

“Është një draft i cili ka dallime shumë të mëdha me ato që kemi pasur në tavolinën në të kaluarën. Unë nuk e fsheh asnjëherë mendimin tim që ai draft nuk është shumë i mirë, që ka nevojë për përmirësime në pika shumë të rëndësishme të tij.” – deklaroi ajo, transmeton Nacionale.

Në fjalën e saj, Gërvalla deklaroi se Asociacioni u pranua nga kryeministri Albin Kurti për shkak të urgjencës në takimin me kancelarin e Gjermanisë Olaf Scholz, presidentin e Francës, Emmanuel Macron, dhe kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni.

Pasi kritikoi të dërguarin e tyre, Lajçakun, dhe propozimin e tyre, draftin e Asociaiconit, Gërvalla kishte kritika edhe ndaj BE-së si institucion. Në intervistë, ajo vlerësoi se BE-ja e ka ledhatuar Serbinë.

Tutje, Gërvalla vlerësoi se BE-ja nuk ka arritur të jep një verdict për atë që ka ndodhur në Banjskë, ku ra në krye të detyrës një polic kosovar dhe u eleminuan tre pjesëtarë të grupit të armatosur që sulmoi policinë.

“Ka pasur vlerësime të ndryshme nga ana e institucioneve të BE-së, të cilat kanë quar në një vlerësim të gabuar të asaj çfarë ka ndodhur në Kosovë. Fakti që BE-ja, edhe pas deklaratave e rezolutave të Parlamentit Evropian, edhe pas deklaratave të ndryshme të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, BE-ja si institucion pra, ajo pjesë e institucioneve të BE-së, që merret me politikën e jashtme të BE-së, konkretisht zyra e Borellit nuk kanë arritur të japin verdiktin për atë që ka ndodhur në Banjskë”, tha ajo.

Lajme të ngjashme