Bastisja “e fshehtë” në Ndërrmarrjen Publike Banesore, PSD nesër me konferencë për media
Policia e Kosovës shpeshherë është akuzuar se e ka keqpërdorur autoritetin e saj për t’i shërbyer pushtetit, pavarësisht kush ka qenë në të.
Së fundi, Gazeta Nacionale ka siguruar një postë elektronike ku hidhen kritika ndaj Policisë për bastisje jashtë normave.
Gjithnjë sipas Ndërmarrjes Publike Banesore, e cila ua ka dërguar postën gjegjëse punëtorëve të saj, ka kërkuar nga këta të fundit që t’i kontrollojnë gjësendet e tyre, pasi pak para bastisjes së para dy ditëve, policia ndali kamerat.
Bastisje jashtë orarit të punës
Për më tepër, kjo bastisje u bë pas orarit të punës dhe pa praninë e asnjë zyrtari të NPB-së.
"Përshëndetje, ashtu siç edhe jeni njoftuar tashmë më datë 19 korrik 2022, në zyret e NPB-së ka pasur një kontroll nga Policia e Kosovës, pas orarit të punës, kontroll që ka zgjatur më shumë se tri orë. Në këtë interval kohor, gjatë një kontrolli njëorësh, ashtu siç e shihni në dokumentin e bashkëlidhur, Policia e Kosovës ka ndërprerë kamerat e sigurisë brenda hapësirave të ndërmarrjes dhe kontrollin e ka realizuar pa praninë e asnjë zyrtari të NPB-së. Andaj, si rrjedhojë e kësaj, ju lus ta lajmëroni stafin nëse ju mungon diçka, në mënyrë që udhëheqësit të informohen menjëherë", thuhet ndër të tjera në postën gjegjëse, të siguruar nga Nacionale.
Në anën tjetër para pak çastesh, partia opozitare PSD, përmes një komunikate njoftoi opinionin se do të mbajë një konferencë për media gjatë ditës së nesërme.
Sipas PSD-së, në këtë konferencë do të bëhet publik një rast flagrant i përdorimit politik dhe të kundërligjshëm të policisë.
“I ftojmë të gjitha mediat që nesër në ora 11:00, në zyrat e PSD-së (rr. Bajram Kelmendi, Nr 68), të marrin pjesë në një konferencë të jashtëzakonshme, ku kryetari i PSD-së Dardan Molliqaj dhe anëtari i kryesisë Dren Kukaj do të paraqesin para publikut një rast flagrant të përdorimit politik dhe të kundërligjshëm të policisë nga ana e partisë në pushtet”, thuhet ndër tjerash në njoftim.
Siç mëson Nacionale, kjo konferencë do të ketë për bazë pikërisht bastisjen në Ndërmarrjen Publike Banesore.
S'ka asgjë për publik
Policia e Kosovës ndërkaq, nuk ka bërë asnjë postim në faqen zyrtare lidhur me këtë çështje.
Bastisja ka ndodhur para dy ditësh, saktësisht më datë 19 korrik 2022.
Kjo shihet edhe në postën elektronike të lartcekur, fotot e së cilës mund t’i shikoni më poshtë.
Kjo nuk është hera e parë që Lëvizja Vetëvendosje është akuzuar për përdorim politik të Policisë, kurse rastet më të freskëta janë ato të arrestimeve të anëtarëve të PSD-së, gjatë aktiviteteve të kësaj partie.
Jo rrallëherë policia është akuzuar për përdorim të dhunës në mënyrë joproporcionale në aktivitetet e PSD-së.

