Marrëdhënia me mediet, thembra e Akilit e pushtetit të Kurtit e Osmanit
Ka më pak se një vit që kur Qeveria e udhëhequr nga Kryeministri Albin Kurti mori besimin në Kuvend për të udhëhequr me vendin. E që nga atëherë, ekzekutivi nuk ka arritur të ndërtojë një raport të mirë me mediat, të cilat janë një nga shtyllat e demokracisë së shëndoshë.
Madje marrëdhënia e pushtetit të ri me mediat u karakterizua nga akuza të shumta drejtuar pushtetit të katërt. Nga etiketime si ‘ndërmarrje e përbashkët kriminale’ e deri tek ‘kompani të kriminalizuara’ e media të ‘prontos’.
As ditën e hënë të 21 marsit mediat nuk shpëtuan pa u sulmuar nga pushteti i ri. Për akuzën e re, por të njëjtë në përmbajtje, u përkujdes shefi i stafit të Kryeministrit Kurti, Luan Dalipi, i cili shkroi se mediat po i ngjasojnë si kompani të kriminalizuar.
Përmes një statusi në Facebook, Dalipi ka njoftuar se Qeveria Kurti ka ndërprerë kontratat me portalet, pasi sipas tij, kjo metodë “është përdorur nga qeveritë e kaluara për ta blerë heshtjen e portaleve".
“Nuk është gjë e re përdorimi i ndonjë mediumi për të shantazhuar qeverinë. Thurja e gënjeshtrave apo kurtheve dhe plasimi i tyre në portale i bën këto të fundit të ngjasojnë me kompani të kriminalizuara që model biznesi kanë shpifjen dhe tentimin për të shantazhuar qeverinë dhe/apo manipuluar publikun, ose thjesht për të fituar pandershëm sa më shumë përmes klikimeve/shikueshmërisë së "lajmeve’ të tyre.” – ka shkruar Dalipi, transmeton Gazeta Nacionale.
Tutje shefi i stafit të kryeministrit Kurti ka përsëritur se Qeveria s’do të paguajë asnjë cent për protale.
“Nuk do të paguajmë për heshtjen me paratë e qytetarëve”, ka shkruar Dalipi, duke paralajmruar se (qeveria) do t’i ndjek këto “fenomene” me rrugë ligjore.
Pas këtyre deklaratave i menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës të cilët e denojnë sulmin e shefit të stafit të kryeministrit.
AKG-ja e cilësoi si “shumë të rrezikshme” dhe “thirrje e hapur për linçim”, postimin e Luan Dalipit në Facebook.
“Shefi i Stafit të kryeministrit Kurti, Luan Dalipi, nëpërmjet një shkrimi në Facebook, sot ka sulmuar në mënyrë të paprecedent mediet në Kosovë, duke i lidhur ato me “biznese kriminale”, dhe duke u bërë thirrje atyre që ai i ndan në “qytetarë të dinjitetshëm”, t’i bojkotojnë ato. AGK-ja konsideron se thirrja e tillë publike e njeriut më të afërt të kryeministrit Kurti në qeveri është shumë e rrezikshme, dhe thirrje e hapur për linçim”, thuhet në reagim.
AGK-ja tutje e quan “vazhdimësi të sulmeve të të individëve të shumicës parlamentare në Kosovë, që rrezikon direkt sigurinë e gazetarëve dhe rëndon klimën e të bërit gazetari në Kosovë”.
I të njejtës linjë me shefin e stafit të Kurtit ka qenë edhe Sekretari për media dhe komunikim në Lëvizjen Vetëvendosje, Arlind Manxhuka, i cili shpesh deklarohet për raportimet mediatike.
Ai ka vazhduar gjuhën e njejtë ndaj mediave sikurse Dalipi. Manxhuka, në një postim të shkurtër në Facebook, të cilin e titullon “Kurrë më”, paralajmëron se qeveria nuk do të financojë portalet.
“Nuk ka më! Gjatë periudhës 2015-2020 janë paguar rreth 3.7 milionë euro për 30 media/portale, nga disa ministri dhe Telekomi i Kosovës. Rreth 615.000 euro në vit, rreth 51.000 euro në muaj” – shkruan Manxhuka.
Deklaratat e Dalipit kanë nxitur reagime edhe nga komuniteti i gazetarëve. Drejtori i portalit Insajderi ka ironizuar me Dalipin duke thënë se ai së bashku me burrin e Presidentes Vjosa Osmani, Prindon Sadriun, do të ishin të suksesshëm si këshillëtar të presidentit të Bjellorusisë, Aleksandër Llukashenko.
“Me urrejtje që kanë kundër gazetarëve, Luan Dalipi e Prindon Sadriu do të ishin tejet të suksesshëm si këshilltarë të Llukashenkos në Bjellorusi. Ishin kënaq me ta llaf e muhabet kundër mediave”, ka shkruar në Facebook Ulluri.
I menjëhershëm në reagim ka qenë edhe kolegu i Ollurit, Vehbi Kajtazi në Twitter, i cili ka thënë se Shefi i stafit të Kurtit ka “vjedhur” sot vëmendjen e opinionit publik pas një sulmi tjetër mbi mediat vendore.
Kajtazi ndër tjerash tha se Dalipi nuk përmend ndonjë rast specifik e as nuk dha ndonjë provë për një konstatim të tillë. Tutje ai ka pyetur me ironi Dalipin nëse mediat “po i ngjasojnë pak me MDA-në”. MDA quhej kompania në të cilin ka punuar Luan Dalipi dhe e cila ishte përfshirë në një keqpërdorim fondesh.
Pushteti aktual edhe më parë ka pasur deklarata të pamatura karshi mediave, për të cilat ka pasur reagime vendore e ndërkombëtare.
Bashkëshorti i presidentës Prindon Sadriu, që njëherit është diplomat karriere në MPJ, i pati cilësuar mediat si “ndërmarrje të përbashkëta krimnale”, të cilin status e pati fshirë mëpastaj.
Ndonëse gjuha e Sadriut ishte e qartë dhe e ashpër, presidentja Osmani e kishte mohuar se bashkëshorti i saj i quajti të mediat si ndërmarrje t përbashkët kriminale.
“Ai e qartëson shumë mirë, që në asnjë moment nuk i ka quajtur mediat “ndërmarrje kriminale”. Mjafton bre ta lexojnë. Nuk i ka quajtur mediat ndërmarrje kriminale, mjafton ta lexojnë”, kishte deklaruar presidentja Osmani në televizionin publik.