Çka nënkupton Edi Rama kur e quan UÇK-në "rebelim katundarësh"?
Gjatë një debati të ashpër në Kuvendin e Shqipërisë, Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë, pati një interpretim interesant për luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Sipas shefit të ekzekutivit shqiptar, UÇK ishte vetëm një rebelim katundarësh.
Madje, Rama, që kohëve të fundit është parë tepër aktiv kundër Gjykatës Speciale e raportit të Dick Martyt, deklaroi se UÇK nuk kishte as hierarki e komandë.
“Rebelimi i katundarëve”
Ndonëse mund të duket një term pezhorativ, cilësimet si rebelim katundarësh e vullnetarë të revoltuar kanë filluar të përdoren më shpesh kohëve të fundit. E gjitha, si një përpjekje për të mbrojtur krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
Një interpretim i tillë, për të kundërshtuar pretendimet e Dick Martyt e aktakuzën e Prokurorisë Speciale, që UÇK-në e quajnë “Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale”.
Në Kuvendin e Shqipërisë sot u diskutua rezoluta kundër raportit të Dick Martyt për trafikim organesh nga UÇK-ja.
Debati u shoqërua me përplasje të ashpra të të gjithë taborëve atje, e ku spikatën fjalimet dhe përplasjet në mes të dyshes që tash e sa vite e kanë “uzurpuar” debatin atje.
Rama – Berisha, ishin përsëri dyshja protagoniste, të cilët hodhën akuza ndaj njëri-tjetrit, akuza që datojnë vite më parë.
Por, ajo që ishte e “pazakontë” ishte një deklaratë e dëgjuar jo shpesh në debatin publik për UÇK-në.
“Ky raport ka çuar në Hagë jo disa persona, as disa udhëheqës të një lëvizjeje çlirimtare që nuk ishte as një ushtri e organizuar, as një strukturë e ngritur mbi një zinxhir komandimi, por ishte një rebelim. Siç do të thoshte Fan Noli, një rebelim i katundarëve e punëtorëve që morën në një moment pushkën dhe thanë mjaft është mjaft”, theksoi Rama.

Fjalimi i Ramës në shikim të parë mund të duket vetëm një citat romantik i marrë nga veprat e Fan Nolit, ose një term me konotacion negativ që përdoret jofisnikërisht ndaj UÇK-së. Por e vërteta është pak më e komplikuar.
Në fakt, një interpretim i tillë, kohëve të fundit po shfrytëzohet si metodë për të kundërshtuar togfjalëshin “ndërmarrje e përbashkët kriminale”, e cila zë vend në aktakuzën ndaj Hashim Thaçit e të tjerëve në Hagë.
Ndërmarrja e përbashkët kriminale
Termi “ndërmarrje e përbashkët kriminale” është përdorur në Tribunalin për krime të luftës në ish-Jugosllavi, në aktakuzat ndaj të dyshuarve që u gjykuan në këtë tribunal, për krimet e kryera gjatë luftërave në hapësirat e ish-Jugosllavisë.
Kjo është një doktrinë juridike, e cila anëtarët e një grupi i konsideron individualisht përgjegjës për krimet që i ka bërë grupi dhe nënkupton përgjegjësinë penale të një individi për krimet e kryera nga persona të tjerë brenda kornizës së një plani ose qëllimi të përbashkët.
Pra, ndërmarrje e përbashkët kriminale do të thotë një grup njerëzish që janë marrë vesh, kanë planifikuar e kanë operuar me qëllim të caktuar për të kryer krime.
Për të ekzistuar një ndërmarrje ose organizatë e tillë duhet të ketë strukturë, hierarki e zinxhir të rregulluar komandues.
Nga ushtri me hierarki në luftë vullnetarësh
Në vendin tonë deri vonë ka ekzistuar perceptimi i përgjithshëm se UÇK-ja ka qenë një strukturë e organizuar mirë e me zinxhir të qartë komandues. Kjo ndoshta e krijuar edhe nga vetë komandantët e zonave, të cilët jo rrallëherë kanë folur publikisht për rolin e tyre, duke lënë të kuptohej se brenda ushtrisë çlirimtare ka ekzistuar zinxhiri i qartë komandues.
Kjo narrativë filloi të ndryshojë sidomos pas raportit të Dick Martyt e themelimit të dhomave të specializuara të cilat u votuan në Kuvendin e Kosovës.
Arsim Bajrami, ish-ministër në Qeverinë që e drejtonte Hashim Thaçi e një njeri i afërt me të e me liderin tjetër të UÇK-së, Kadri Veselin, në një emision në RTV KLAN, i cili i dedikohej “gjykimit special” të krerëve të UÇK-së, pothuajse fjalëpërfjalshëm prezanton argumentet që sot i tha në kuvend kryeministri Edi Rama.
“Gjykata Speciale për një ndërmarrje të përbashkët kriminale është një konstruksion i padrejtë e i paqëndrueshëm, për faktin se lufta e Kosovës nuk ka qenë luftë e një ushtrie të rregullt, luftë e një ushtrie të organizuar shtetërore, por një luftë guerile e vullnetarëve dhe as që ka mundur të bëhet fjalë për fiksionin e ndërmarrjes së përbashkët kriminale”, thotë Bajrami.
Në argumentet e Ramës e Bajramit, përmbajtja është identike, anipse këta dy përdorën cilësime të ndryshme për t’i përshkruar ish-ushtarët e UÇK-së.
Megjithatë, linja e argumentimit është e njëjtë, pra UÇK nuk ka pasur strukturë, as zinxhir komandues, e rrjedhimisht as organizatë apo ndërmarrje.
Edhe Avokati i licencuar nga Dhomat e Specializuara, Artan Qerkini, e ka të njëjtin shpjegim në lidhje me UÇK-në.
“Nëse i shikojmë aktakuzat ndaj krerëve të UÇK-së, prokuroria po mundohet ta afirmojë këtë formë të përgjegjësisë penale, sepse është një përgjegjësi jashtëzakonisht e zgjeruar dhe nëse e merr për bazë këtë formë të përgjegjësisë e ka shumë më të lehtë t’i ngarkojë me përgjegjësi penale të akuzuarit”, thotë Qerkini në të njëjtin emision.

