Balotazhi në 18 komuna: Kandidatët dhe liderët e partive, ftojnë qytetarët për pjesëmarrje në votime
Në 18 komuna të Kosovës, po vazhdohet të votohet në balotazh.
Liderë politikë e kandidatë kanë ftuar qytetarët të dalin e të votojnë.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka votuar.
Ai ka ftuar qytetarët për të votuar.
“Sot është e diel, të gjithë jemi zgjuar herët. Është ditë e mirë për demokracinë e vullnetin e mirë. Kosova mban zgjedhjet në raundin e dytë për balotazh në 18 komuna. Unë porsa votova këtu në Prishtinë. U bëj thirrje të gjithë qytetarëve ta shfrytëzojnë e të bëhen vendimmarrës për kryetarët e komunave dhe për katër-vjeçarin në vijim. Gjithçka do të shkojë mbarë e mirë, edhe KQZ-ja ka bërë përgatitjet, komisionerët e vëzhguesit ndodhen në qendra të votimit”, tha Kurti.
Ka votuar edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
“Edhe sot në balotazh është ditë po aq e rëndësishme. Qytetarët tanë përfundimisht vendosin jo vetëm se kush do t’i udhëheqë komunat, por një të ardhme më të mirë për fëmijët tanë, për shumë mundësi për komunat ku ata jetojnë. Shpresoj që secili prej qytetarëve të dalë e të votojë. Kosova ka demokracin më të fortë elektorale në rajon, e kjo është për shkak të pjesëmarrjes së qytetarëve dhe procesve të rregullta”, tha ajo.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka votuar.
Ai u pyet se a është për ndryshim në Prishtinë, apo për vazhdim të qeverisjes.
“Ndonjëherë zgjedhja e parë nuk është, mirëpo është heshtje e nuk mund të flas”, tha Krasniqi.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se zgjedhjet janë festë.
“Sot në Kosovë, zgjedhjet trajtohen e janë festë. Ditë e mirë, mëngjesi i mirë, shpresojmë të jetë proces i mbarë e i mirë. Siç ka ditur populli i Kosovës të sillet në procese zgjedhore. Kështu vendoset fati i komunave tona. Jam i lumtur për nivelin demokratik që e tregojmë”, tha ai.
Kandidatët për kryetar të Prishtinës
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka votuar.
I shoqëruar nga bashkëshortja dhe fëmijët, Rama ka thënë se uron që të fitojë zhvillimi e progresi.
“Tash më parë isha së bashku me Kristalen me tregu respekt për ushtarët britanikë që kanë dhënë jetën për lirinë e paqen që sot e kemi e gëzojmë në kryeqytet e gjithë Kosovën. Ju uroj shumë të gjithë qytetarëve për pjekurinë, maturinë që kanë treguar gjatë këtyre zgjedhjeve. Uroj që të fitoj zhvillimi, progresi e ardhmëri e ndritshme për qytetin e vendin tonë. Iu falënderoj mediave për një punë të shkëlqyeshme e na priftë e mbara”, tha Rama.
Ai vlerësoi se këto zgjedhje janë të rëndësishme për gjithë vendin.
“Këto zgjedhje janë shumë të rëndësishme, nuk e definojnë vetëm të ardhmen e kryeqytetit, por gjithë vendit, është me rëndësi të madhe që qytetarët të votojnë kahjen e duhur për vendin tonë”, tha Rama.
Ka votuar kandidati i VV-së për kryetar të Prishtinës, Hajrulla Çeku.
Ai tha se shpreson të jetë ditë e mirë.
“Pas një procesi të gjatë po e përmbyllim këtë cikël të zgjedhjeve lokale, që është detyrim për të drejtën tonë për qytetin. Shpresoj që gjithçka të shkojë mirë, të jetë ditë e mbarë për demokracinë. Nga nesër e tutje të jenë 4 vite të mira. Cilido të jetë rezultati, uroj që qytetarët t’i pres gjithçka e mirë”, tha Çeku.