Asociacioni në Bruksel, BE gati t'i ndërmjetësojë diskutimet - NACIONALE

Asociacioni në Bruksel, BE gati t'i ndërmjetësojë diskutimet

3 vjet më parë

nga Muharrem Kafexhiu

Edhe më tutje nuk ka një datë rreth takimit të ardhshëm mes përfaqësuesve kosovarë e atyre serbë në Bruksel për çështjen e Asociacionit.

Megjithatë, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano ka thënë se tavolina në kryeqendrën evropiane është vendi ku Asociacioni duhet të diskutohet. Veç kësaj, ai shtoi se evropianët janë gati t'i ndërmjetësojnë këto diskutime.

Në një prononcim dhënë Radios Evropa e Lirë, Stano ka pohuar se jo vetëm këtë, por çdo propozim që mund të vijë nga palët, mund të shtrohet në tryezë.

“Kemi vënë re deklaratat e bëra nga kryeministri Kurti lidhur me Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë gjatë seancës plenare të 2 shkurtit. Forumi për të diskutuar themelimin e Asociacionit, si dhe çdo propozimi tjetër që dy palët mund të kenë, është brenda dialogut. BE-ja është e gatshme të ndërmjetësojë diskutimet për Asociacionin në takimet e ardhshme të dialogut”, tha Stano.

Në anën tjetër, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se është kundër Asociacionit një-etnik dhe se për ta nënshkruar një të tillë duhet të plotësohen gjashtë kushtet e kërkuara nga ai.

Këto kushte ai i publikoi në seancën e Kuvendit të Kosovës me datën 2 të këtij muaji.

"Asociacioni i komunave i dalur në parim nga marrëveshja Thaçi-Daçiq, si një mekanizëm i tillë nga Kosova mund të konsiderohet me këto kushte;

Asociacioni duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi të Republikës së Kosovës;

Nuk mund te jetë monoetnik, duhet të ndërrojë emri, nuk mund të bartë asnjë pushtet publik; Duhet të ketë reciprocitet të të drejtave çfarëdo të drejta për serbët në Kosovë duhet të ketë edhe për shqiptarët në Serbi;

Para vendosjes së Asociacionit, duhet të shuhen strukturat ilegale në veri dhe armët ilegale duhet të dorëzohen;

Asociacioni mund të jetë pjesë e marrëveshjes finale vetëm pas njohjes reciproke me ç'rast Serbia t’i ketë pranuar parimet e kartës së OKB-së për Kosovën;

Dhe e fundit, Vuçiqi të tërheq letrat mosnjohes që ka dërguar ndaj pesë shteteve të Bashkimit Evropian"

Ndërkaq, kujtojmë faktin se këto kushte të paraqitura nga shefi i ekzekutivit kosovar, përalla i ka quajtur kreu serb, Aleksandar Vuçiq.

Protesta

Në anën tjetër, sot gjatë ditës në vendin tonë është mbajtur protestë kundër Asociacionit.

Interesant ka qenë fakti që protestuesit kanë mbajtur vetëm flamuj të Shqipërisë e nuk kishin një të tillë të Republikës së Kosovës.

"Marshi kundër Asociacionit" nisi nga Biblioteka Kombëtare e Kosovës dhe u organizua në përvjetorin e 53 të Universitetit të Prishtinës.

Në ftesën e Parlamentit Studentor të Universitetit të Prishtinës është treguar edhe arsyeja e kësaj proteste, duke shkruar se sot flitet vetëm për Asociacionin njëetnik që dëmton stabilitetin e vendit.

Më poshtë edhe pamje nga protesta e sotme:

Lajme të ngjashme