Asociacioni i pari në zbatim: Osmani, Kurti dhe Bislimi i reagojnë BE-së
Njëri kryeministër, tjetri zëvendëskryeministër e tjetra presidente - tre liderët - Albin Kurti, Besnik Bislimi e Vjosa Osmani duket të jenë të nervozuar me Bashkimin Evropian, i cili po kërkon formimin e Asociacionit, proces ky që u vlerësua se ka filluar me prezantimin e draft statuteve. Çka thanë ata së fundi?
Diskutimet mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel janë bërë intensive, dhe temë diskutimi në secilën prej tyre, është formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Pikërisht insistimi i Bashkimit Evropian që zbatimi i marrëveshjes bazë të fillojë me këtë pikë, ka shkaktuar reagimin e Kurtit, Bislimit e Osmanit.
Bislimi
Pas takimit që e pati dje me homologun e tij nga pala serbe, kryenegociatori Besnik Bislimi fillimisht zbuloi se në vizitën e fundit të emisarit Lajçak në Kosovë, ai sjelli një “metodologji se si sheh punën e mëtejme për zbatimin e pikës shtatë të Marrëveshjes Bazë”.
Pikërisht për këtë, zëvendëskryeministri deklaroi se “nuk mund të ndërtohet metodologji për një prej pikave, pa pasur një plan të zbatimit të marrëveshjes në tërësi".
“Ndërkaq për metodologjinë kemi thënë se nuk mund të ndërtojmë metodologji për një prej pikave të marrëveshjes pa patur një plan të zbatimit për marrëveshjen në tërësi dhe rrjedhimisht të njëjtën nuk është diskutu fare.” – deklaroi ai.
Osmani
Presidentja Osmani për një kohë u diskutua në opinionin publik në lidhje me mungesën e deklarimit të saj rreth marrëveshjes së arritur me Serbinë.
Një deklaratë e kishte bërë ama, ku kishte treguar se “është e zhgënjyer që njohja-reciproke s’u përfshi në marrëveshje”.
Sidoqoftë, le të shohim se çka tha sot ajo. Njëjtë si partneri i saj qeverisës, edhe presidentja Osmani po kërkon që një nen – neni 7 – mos të jetë prioritet i marrëveshjes apo parakusht për zbatimin e saj.
“…e jo të kërkojnë nga Kosova që të bëjë diçka që fare nuk është në marrëveshje. Në mënyrë më specifike, ajo që po i referohem ka të bëjë me kërkesat, që një nen i caktuar i marrëveshjes të jetë prioritet, apo parakusht për zbatimin e neneve të tjera. Ne nuk jemi pajtuar për një gjë të tillë. Prandaj, intepretime të tjera e zhvleftësojnë procesin dhe marrëveshjen.” – deklaroi ajo.
Kurti
Një ditë pas takimit të mbajtur në Bruksel mes kryenegociatorëve, Besnik Bislimi e Petar Petkoviq, kryeministri Kurti vendoi të na thotë diçka që tashmë e dijmë:
“Nuk e përmban neni 7 marrëveshjen, po marrëveshja e përmban nenin 7.”
Megjithatë, para kësaj deklarate, kryeministri Kurti fillimisht tha se krejt përqëndrimi, është vendosur te neni 7.
“Ne jemi të interesuar për zbatim të plotë, të menjëhershëm të marrëveshjes pra pa kushte, dhe pa vonesa. Ajo dëshiron që ne të përqëndrohemi vetëm te neni 7, ky është pjesë e marrëveshjes, por marrëveshja nuk është vetëm neni shtatë.” – u shpreh ai.
BE dhe ShBA
Procesi për formimin e Asociacionit filloi më dy maj. Kështu vlerësoi BE-ja, kështu vlerësoi edhe ShBA-ja. Ishte pikërisht ky takim ku Ekipi Menaxhues do ta prezantonte draft statutin e tij, i cili do të refuzohej nga Qeveria e Kosovës, e cila më pas do të prezantonte draft vizionin e saj.
BE-ja s’pati nevojë të deklarohet, veprat treguan më shumë. Pra, takimi i parë i nivelit të lartë mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit Aleksandër Vuçiq – përveç deklaratës për të pagjeturit – u fokusua te Asociacioni.
“…edhe nëse s’pajtohen, janë pajtuar për të filluar negocimin sa i përket të ardhmes të Asociacionit në të ardhmen e afërt, duke pasur këtë draft të parë si pikë fillestare për diskutim.” – ishte shprehur mes tjerash kryediplomati evropian, Josep Borell.
Asociacionin, e përmendi gjatë vizitës që pati javën e kaluar në Kosovë edhe emisari Lajçak.
“…Ne e diskutuam si BE-ja e sheh procesin e draftit të Asociacionit me Kurtin, dhe mendoj se e kemi të qartë këtë proces.” – tha ai.
Qëndrimin e qartë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e tregoi para disa javësh i dërguari i Posaçëm i tyre për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Ky i fundit, në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, u shpreh se zbatimi i marrëveshjes fillon me fomrimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Zbatimi fillon me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.” – kishte thënë ai.


