"Pranuam t'i dorëzojmë deri të premten": Paraqitja e dhimbshme e kryenegociatorit në Bruksel
Fjalimi që kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, e mbajti mbrëmë pas takimit që pati në Bruksel ishte mjaft i dhimbshëm. Ta shohim saktë atë që e tha ky personazh.
Besnik Bislimi fjalimin e tij e shpërndau si status të shkronjëzuar në profilin e tij zyrtar në Facebook. Kishte një ‘mal’ me gabime drejtshkrimore, por megjithatë kuptohej ajo që u tha prej tij, e që, po e përsërisim: ishte e dhimbshme, shumë e dhimbshme.
Dy dokumentet e Lajçakut
Zv. kryeministri i Kosovës njoftoi se në takimin e 11 majit i kishin ardhur dokumente nga i dërguari i BE-së për dialog, Mirosllav Llajçak. Por, për të cilat... nuk ishin përgatitur.
“Dy dokumentet që i ceka në fillim kanë ardhur të enjten dhe rrjedhimisht për ne ka qenë e pamundur që sot të vijmë me përgjigjet tona në plotni, por kemi premtuar që të njëjtat do t’i dorëzojmë deri ditën e premte...” - u shpreh ai.
Pra, deri më 19 maj do t’i dorëzojnë këto përgjigje. Por, nuk i kishin më datën 15 kur Bislimi udhëtoi për në Bruksel.
Jo për t’i besuar, por lexojeni se çka tha homologu i tij në dialog, Petar Petkoviq, për paraqitjen e djeshme të Bislimit:
“Sjellja e Besnik Bislimit ishte skandaloze, ndryshe nga Beogradi që erdhi plotësisht i përgatitur, me ekspertë, propozime, të gjitha letrat. Çdo herë përgatitemi, të disiplinuar, të përpiktë, me të gjitha materialet, dhe kështu kemi ardhur në Bruksel këtë herë, për dallim nga Bislimi që ka ardhur i vetëm, pa letra,” – ka thënë kryenegociatori serb, Petar Petkoviq.
Ta lëmë Petkoviqin, të merremi vetëm me Bislimin. Lexojini fjalët e mëposhtme:
“...Rezultate as nuk është dashur të priten ditën e sotme...” – tha ai, megjithëse nuk e dimë nëse po iu drejtohej gazetarëve apo... ndërmjetësve të BE-së.
Grupi monitorues
Më datën 18 prill është themeluar Komiteti i Përbashkët Monitorues, i cili do të udhëhiqet pikërisht nga emisari Lajçak. Pjesë e këtij grupi do të jetë kryenegociatori serb Petar Petkoviq, por jo edhe kryenegociatori kosovar, Besnik Bislimi. Kosova si përfaqësues e ka emëruar z. Agron Bajrami, ambasador në Bruksel.
Për këtë komitet foli po ashtu z. Bislimi, që u shpreh si vijon:
“Mbi takimet e radhës dhe vijimësinë e procesit, ne nuk e kemi precizuar sot se si do të ecet tutje. Mendoj që Grupi Monitorues nuk mund të takohet pa u dakorduar për termat e referencës.”
Mendon? Ndoshta, lajmi kryesor i këtij artikulli do të ishte se “Besnik Bislimi mendon”, jo që mendon në vetëvete por që shpreh pasiguri në lidhje me një çështje kaq të ndjeshme.
Kujtojmë se Komiteti i Përbashkët Monitorues parashihej që të themelohej qysh në Aneksin e Zbatimit për të cilën kishte pasur miratim në Ohër mes Kurtit dhe Vuçiqit.
Isë, Isë
Dhe, përsëri Bislimi u rikthye te Isa Mustafa.
Sipas z. Bislimi, Mirosllav Lajçak ishte sqaruar e precizuar në lidhje me deklarimet e tij se draft statuti serb trajtohej si pikënisje.
“U sqarua dhe precizua nga z. Lajcak se tek zbatimi i pikës 7 të marrëveshjes bazë, ka qenë gabim teknik ajo që është shfaq në faqen e tij të facebook-ut. Nuk trajtohet si pikënisje drafti, por prezantimi i draftit, akti i prezantimit shënon pikënisjen e diskutimeve për zbatimin e pikës 7...” – tha Bislimi.
Por, në atë faqe të Lajçakut në Facebook – ani pse postimi ishte ndryshuar tri herë – pjesa ku flet për “pikënisjen” nuk kishte ndryshuar asgjë.
“Megjithëse drafti i parë i prezantuar nga ekipi menaxhues nuk është final, është një pikënisje e rëndësishme për diskutimet e ardhshme në nivel negociatorësh.” – shkruhet aty.

Në fakt, fjalia në fjalë qartazi ende thotë se drafti në fjalë është pikënisje. Një draft ky që ishte kritikuar ashpër madje edhe nga ish-kryeministri Isa Mustafa.
“Draft-statuti i dorëzuar në Bruksel nuk është bazë e normalizimit. Është një pamflet që s’ka asnjë lidhje me marrëveshjen e vitit 2013 dhe me dokumentin për parimet e vitit 2015,” – ishte shprehur z. Mustafa.
Por, shihni se çka bën tutje Besnik Bislimi.
“Nga pala serbe është thënë sot se atyre nuk iu intereson Kushtetuta e Kosovës, nuk i intereson as letra e Mogherini-t, iu intereson vetëm ajo që kanë marrë nga z. Isa Mustafa në vitin 2015 dhe z. Petkovic edhe i lexonte atë se çka kanë marrë nga z. Mustafa në vitin 2015, thoshte që kështu e duam ne asociacionin.” – tha ai, por pa treguar pse po e thoshte një gjë të tillë.
Në fjalën e tij, z. Bislimi nuk sqaroi asgjë as në lidhje me mospajtimin që kishin pasur me BE-në për Ekipin Menaxhues, shpërbërjen e të cilit Peter Stano e kishte cilësuar si shkelje të "germës e frymës" së marrëveshjeve të Brukselit.