Vjosa Osmani trondit opinionin: Jemi ABSOLUTISHT të zhgënjyer që njohja reciproke s'u përfshi në Marrëveshje me Serbinë
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në një intervistë për “The Sun” ka folur rreth marrëveshjes bazë të arritur tashmë mes Kosovës dhe Serbisë. Kryetarja e shtetit, u shpreh e zhgënjyer në lidhje me pajtimin mes dy vendeve pasi mungon njohja reciproke. Çka deklaroi ajo?
Osmani ka deklaruar se “janë absolutisht të zhgënjyer që njohja recirpoke nuk u përfshi në këtë marrëveshje”.
“Jemi absolutisht të zhgënjyer që njohja reciproke nuk u përfshi në mënyrë eksplicite në këtë marrëveshje, sepse kjo është mënyra e vetme që mund të sjell paqe dhe stabilitet jetëgjatë në rajon.” – ka thënë ajo.
Presidentja tutje ka deklaruar se Serbia duhet ta pranojë që Kosova është një shtet i pavarur.
“Serbia duhet të vijë në një pikë ku ata duhet ta kuptojnë që realiteti i Kosovës si një shtet i pavarur dhe Sovran është realitet që do të ekzistojë gjithmonë, ne nuk do të kthehemi pas, kjo nuk do të ndryshojë.” – ka deklaruar ajo.
Marrëveshja e Ohrit
Për disa ditë në media ishte raportuar për një vonesë të presidentes Osmani për të dhënë qëndrimin e saj në lidhje me këtë marrëveshje.
Osmani nuk e kishte dhënë asnjë deklaratë të vetme për përmbajtjen e Aneksit të Zbatimit që ishte publikuar nga Bashkimi Evropian dhe ishte i qasshëm për t’u parë nga secili.
“Nga Serbia nuk kam asnjë pritje. Ata do të vazhdojnë të shkelin marrëveshjet e dakorduara, siç kanë bërë këto 12 vjet.” – thuhej në deklaratë.
Në anën tjetër, as zyrtarë të partisë së themeluar nga vetë ajo, listës “Guxo”, nuk kishin reaguar për një kohë të gjatë. Atë kohë madje, zëvendëskryeministrja Donika Gërvalla ndodhej në Portugali.
Por në një intervistë për gazetën portugeze “Diario de Noticias”, prej atje Gërvalla kishte thënë se “…nuk kemi marrëveshje”.
“E vërteta është se ne ende nuk kemi marrëveshje me Serbinë.” – kishte deklaruar ajo.
Ndërkohë, një prej pikave më të rëndësishme të kësaj marrëveshje, e që është komentuar mjaft shumë, është edhe neni shtatë, ku flitet për “një nivel të menaxhimit të komunitetit serb në Kosovë”.
“Në këtë aspekt ekziston një paragraf që flet për një nivel adekuat që flet për një nivel të vetëmenaxhimit të komunitetit serb në Kosovë. Dhe në këtë mënyrë ne do të udhëhiqemi prej standardeve më të larta... duhet të mos harrojmë se propozimi i presidentit Ahtisaari iu ka krijuar mundësi që edhe t’i kërkojnë të drejtat edhe t’i realizojnë liritë e tyre...” – kishte thënë Kurti pas përfundimit të takimit në Ohër.
Pavarësisht se nga pala kosovare është thënë se nuk bëhet fjalë për “Asociacion” por për “vetëmenaxhim”, disa herë ndërkombëtarët, në veçanti amerikanët, i janë referuar si “Asociacion” kur kanë folur në lidhje me këtë pikë të marrëveshjes.

